Skerdilajd Zaimi
Hapi i parë i reformës, Konferencë panshqiptare për Drejtësinë. Të decentralizohet Prokuroria. Opozita ka humbur drejtimin. Imuniteti, lojë e Berishës. Duhet hequr me çdo kusht. Nishani, viktimë e Berishës njësoj si viktimat e dikurshme në Byronë Politike.
“Populli ka theks më opozitar se vetë opozita”. Kështu shprehet në intervistën për Shekullin, Spartak Ngjela, kryetar i Partisë Ligj dhe Drejtësi, i cili merr në analizë zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Sipas tij, reforma në drejtësi nuk ekziston dhe në këtë pikë një përgjegjësi të madhe kanë edhe socialistët që janë pjesë e lojës së orkestruar nga Kryeministri Berisha. Sipas Ngjelës, thelbi i krizës gati ekzistenciale të vetë sistemit lidhet me transformimin e opozitës, pushtetit politik por edhe gjyqësorit në njësi që u ngjajnë korporatave mes të cilave ka marrëveshje të heshtur.
Z. Ngjela, politika, apo më saktë dy partitë e mëdha, duket ti jenë rikthyer klimës së bashkëpunimit. Po flitet për reforma në drejtësi, heqjen e imunitetit dhe po zgjidhet problemi i emërimeve në gjykatat e nivelit të lartë. Në fakt çfarë po ndodh sipas jush; po korrigjohet problematika në Drejtësi?
Jo, nuk ka asgjë që mund të të bëjë optimist. Reforma në drejtësi as që po duket as në horizont. Partia Socialiste nuk ka potenciale për të bërë reformën në drejtësi. Reforma, që të kuptohemi, është ligj, nuk është ndërrim njerëzish. Në çdo sferë të shtetit, reforma para së gjithash është ligj. Ende nuk ka fare një ligj të tillë, dhe as që ka për të pasur. Drejtësia shqiptare, e cila nuk ekziston, nuk është një çështje që zgjidhet nga ata që nuk e kanë bërë dot si reformë, kur kanë qenë një herë në pushtet. Socialistët nuk e bënë dot reformën në drejtësi kur ishin në pushtet, sepse nuk e njohin fare sistemin.
Ende nuk ka në Shqipëri një institucion me personalitet që të luftojë krimin. Prokuroria aktuale është një tip xhepi komunist që nuk ka fare forcë jashtë politikës, kurse gjykata nuk ka fare gjyqtarë. Gjykata shqiptare si korpus i përgjithshëm, është një korporatë biznesi, dhe nuk ka lidhje fare me drejtësinë. Ajo ka bërë një kompromis të heshtur me pushtetin politik, që askënd, që do të shkojë para saj nga nivelet e larta të politikës me ndonjë akuzë çfarëdo, nuk do ta dënojë, kurse nga ana tjetër, vetë gjyqtarët duhet të jenë ndarës pazaresh. Kështu që janë krijuar dy korporata biznesi:
Qeveria “Berisha” dhe Pushteti Gjyqësor shqiptar, ose vetë gjykata shqiptare. Një situate të tillë nuk ka mundësi që t’i dalë përpara një reformë që s’shpreh asgjë, por që na flet për identitete, për një rutinë të vjetër dhe, mbi të gjitha, pa asnjë studim dhe pa asnjë statistikë. Është një gënjeshtër e injorantëve që gjithmonë bëjnë sikur. Reforma në drejtësi duhej të ishte një punim shkencor që duhej t’i kalonte 1000 faqe. Me statistikë, me dështime, me prova dhe më mënyrën sesi duhej të zgjidhet kjo situatë, e cila është krizë. Ne kemi para së gjithash një krizë në drejtësi, pastaj kemi një krizë korrupsioni.
Nëse ke drejtësi të konsoliduar institucionalisht, nuk ke korrupsion. Të dyja aspektet e shtetit i ka pushtuar krimi, edhe gjykatën edhe politikën e lartë. Reformë do të thotë që duhen shkallmuar me ligj që të dyja. Në fillim duhet ngritur një Prokurori e decentralizuar që të hetojë e të zbulojë krimin; e mandej duhet parë ri-institucionalizimi i gjykatës. Në këtë vështrim, duhen thirrur patjetër gjyqtarë të rinj; njerëz të ndershëm. Juristë profesionalistë që nuk kanë asnjë shenjë për korrupsion. Duhet të kuptohemi për një gjë që ende nuk dihet në Shqipërinë leniniste: drejtësia ka sens komun, dhe jo sens profesional. Juria amerikane na i ka mësuar të gjithëve këtë.
Ne na duhen gjyqtarë të ndershëm, të cilët do t’i paguajmë shumë mirë, por që do të na japin drejtësi dhe do të qetësojnë shpirtin e revoltuar të popullit. Duhet të kuptohemi edhe për një gjë: ndershmëria paguhet. Kjo është motua e shtetit dhe drejtësisë moderne. Por në të njëjtën kohë, ne kemi nevojë që shumë shpejt të ngremë një Konferencë për Drejtësinë, e cila do të ishte logjikisht moment preliminar i reformës institucionale. Në këtë Konferencë panshqiptare domosdoshmërisht duhet të marrin pjesë edhe personalitete të mëdhenj të drejtësisë botërore. Megjithatë, do të kemi kohë që të flasim për reformën në drejtësi, e cila as që ka shenja se do të bëhet.
Po për imunitetin?
Imuniteti në Shqipërinë e këtyre 20 vjetëve të fundit, ka qenë imunitet që me Kushtetutë e me ligj, i është dhënë krimit. Atë e gëzon krimi. Prandaj ai duhet hequr menjëherë. Të gjitha lëkundjet, janë pasojë e metodave të liga që luan Saliu, në mënyrë të fshehtë ose me trembje politike. Ai që ka frikë më shumë nga kushdo tjetër për heqjen e imunitetit është Sali Berisha, sepse ai ka vrarë, ka vjedhur dhe ka uzurpuar pushtetin në mënyrë të paligjshme. Sokëllimat e tij, janë thirrje për t’iu thënë atyre që ia kanë në dorë provat, se “unë jam për heqjen e imunitetit, por nuk duan socialistët”.
Kurse socialistët, si pa mendim politik që janë, mendojnë se ai po bërtet kundër tyre. Domethënë do të godasë penalisht socialistët e pambrojtur. Po janë kaq naivë sa nuk e kuptojnë: asnjë opozitë nuk ka imunitet, sepse mazhoranca ta heq imunitetin në çdo moment që do dhe në të gjitha mënyrat. Por, ose janë viktimë e kërcënimit të Saliut, ose bashkëpunojnë për të mbajtur realisht një pushtet si ai që thashë unë: dy korporata që vjedhin popullin pavarësisht nga njëra-tjetra, por në bashkëpunim me njëra-tjetrën. Por nuk besoj se do t’ua lënë ndërkombëtarët që ta vijojnë këtë lojë. Imuniteti do të hiqet. Nëse nuk do ta heqin këta, duhet t’ua heqë populli.
Një faktor që ndikon shumë çështjet e gjyqësorit është edhe Presidenti i Republikës. Bamir Topi ka lënë detyrën dhe Bujar Nishani sapo e ka marrë atë. Çfarë prisni ju në këtë drejtim; a do të luajë Presidenti atë rol që kërkohet për të mbajtur sistemin në ekuilibër?
Pikë së pari, duhet thënë se Shqipëria sot nuk ka më një President. Bujar Nishani nuk mund të jetë President i Republikës së Shqipërisë dhe, për këtë fakt, do ta shihni që do të kthehet në një viktimë. Ky President është një zgjedhje abuzive e Sali Berishës, dhe një tulatje apolitike e lidershipit socialist, që kurrë në këta tetë vjet nuk ka kuptuar gjë nga agresiviteti i Saliut. Bujar Nishani nuk i ka aftësitë, as mendore dhe as fizike, për të qenë President i Republikës së Shqipërisë. Po për këtë nuk ka faj. Është një viktimë, njëlloj si viktimat që krijoi Enver Hoxha me Simon Stefanin, Hekuran Isain apo Lenka Çukon, që, duke mos qenë të aftë për të drejtuar shtetin, në vitin 1992, ranë viktima, por si pasojë e talljes që iu kishte bërë Enver Hoxha kur i kishte futur në Byronë e tij Politike.
Këtë ka bërë edhe Sali Berisha: pikë së pari është tallur me popullin shqiptar, por më pas, është tallur me vetë Bujar Nishanin. Ky, nëse nuk e kupton se nuk ka asnjë ingredient politik që të jetë i besueshëm si president, fatkeqësi për të; por nëse e kupton dhe vazhdon ta pranojë, atëherë është edhe më e rëndë situata, sepse do të jetë një viktimë historike që është sakrifikuar rëndë për të tjerët. Nëse nuk e kupton se në Shqipëri nuk mund të vendoset diktatura “Berisha”, dhe mendon se mund të ndihmojë në vendosjen e kësaj diktaturë me tagrin e tij si President, do ta pësojë shumë keq. E asgjë më. Kjo është situata. Por le të presim për ta parë edhe më qartë.
Z. Ngjela së fundmi është Ministria e Mbrojtjes dhe titullari i saj që janë vënë në qendër të vëmendjes për një çështje delikate si përgjimi i opozitës. Ju besoni për një veprim të tillë nga ana e Imamit dhe nëse po, a jemi në kushtet e vitit 1996 sa I përket raportit të pushtetit me opozitën?
Nëse ajo që kam dëgjuar është e vërtetë, Imami ka kryer një krim, për të cilin, herët a vonë do të përgjigjet, sepse ky lloj krimi nuk parashkruhet, se është i barabartë me terrorin. Përgjimi i opozitës nga mazhoranca në demokraci është krim i rëndë. Jam i bindur se në këtë krim Imamin e ka hedhur Saliu; por kjo nuk mjafton. Të gjithë e dinë këtë, por gjithsesi Imami, nëse do të shpëtojë disi nga përgjegjësia që do të ketë, duhet ta denoncojë që tani, ose të dijë të distancohet, sepse unë mendoj se Saliu e ka bërë pa e pyetur fare Imamin. Nëse është kështu, dhe Imami e denoncon me prova, kuptohet se Imami vetë hyn në historinë pozitive të demokracisë shqiptare si figurë. Në të kundërt, mund të hyjë në këtë histori si i pandehur. E ka në dorë për të zgjedhur. Por gjithmonë duhet t’i qëndrojë të vërtetës.
Në fakt, teksa qeveria akuzohet për përgjime, opozita nuk mungon ta shfajësojë atë duke i dhënë konsensus në sektorë të tjerë. Mendoni se institucioni i opozitës funksionon si duhet në Shqipëri ? Si e shpjegoni një lloj ftohtësie mes opinionit publik dhe apelit apo denoncimeve të PS-së si forca më përfaqësuese në koalicionin e opozitës?
Ju keni të drejtë, por opozita nuk ka drejtim. Është lëshuar në mëshirë të fatit dhe po të vijojë kështu, do të ketë një krizë opozitare në Shqipëri, e cila nuk dihet se çfarë do të prodhojë. Populli është më përpara se opozita në theksin e vet opozitar; dhe kjo sjell dëme të mëdha në demokraci. Në fakt, sa herë që shoqëritë kanë pasur degradim opozitar, gjendjet kanë degraduar në anarki spontane. Por le të shohim sesi do të precipitojnë ngjarjet.
Një forcë e re politike po lind, brenda së djathtës-FRD-ja ku në krye pritet Presidenti Bamir Topi. Si do ta përkufizonit këtë lëvizje djathtas dhe çfarë përfaqëson ajo për ju në kuptim të zgjedhjeve të vitit 2013?
E shoh me pozitivitet, por ende duhet pritur për të parë verbin dhe fjalimet e Bamir Topit. Gjithçka do të hyjë në atë hullinë që iu thashë më lart: do të jetë kjo parti me frymën dhe nivelin e theksit opozitar popullor? Po të jetë e tillë, patjetër që do të ketë sukses. Dhe do të sjellë pozitivitet në demokracinë shqiptare, e cila duhet thënë se ende nuk ka ardhur në Shqipëri.
Ju keni botuar një libër me refleksione për kohën e Diktaturës, viktimë e së cilës edhe ishit për disa kohë. Ndërkohë në periudhën e pluralizmit jeni protagonist. Çfarë mund të na thoni për refleksionet tuaj për këto 22 vjet tranzicion traumatik për shoqërinë shqiptare? Pse është i suksesshëm ky model politikani, mes të cilëve padyshim dominimi i Sali Berishës është nyja nga rrjedhin ndoshta edhe shpjegimet e tjera?
Para së gjithash, më duhet të ndërhyj për të rregulluar termin “viktimë” që përdorni në pyetjen tuaj. Unë, në 90 % të atyre që kam takuar nëpër burgjet shqiptare si të burgosur politikë, nuk kam gjetur asnjë viktimë, sepse që të gjithë kishin dalë kundër regjimit të atëhershëm. Domethënë, edhe kundër ligjit komunist në Shqipëri. Këtë fjalën “viktimë” e ka nxjerre Saliu për të “larë veten”. Ai ka qenë një shërbyes i Diktaturës, që ka larë korridoret e pistë të Partisë së Punës, dhe mendon se të tjerët kanë qenë viktima. Por le të vijojmë për librin. Libri im, i cili quhet “Përkulja dhe Rënia e Tiranisë Shqiptare 1957-2010”, është në tre volume.
Është botuar deri tani Volumi i Parë që rrok ngjarjet deri në vitin 1975; kurse Volumi i Dytë, del këto ditë, sepse e kam çuar për shtyp. Ky Volum shkon deri në vitin 1991. Volumi i Tretë, i cili kap këto 20 vjet që ju pyesni, del në janar ose shkurt të vitit që vjen. Në këtë Volum të Tretë, unë i shoh ngjarjet që rrjedhin brenda arketipit të Enver Hoxhës. E kam analizuar arketipin e Enver Hoxhës në dy volumet e para dhe, pastaj arsyetoj që ky arketip vijon, dhe është i njëjtë me arketipin e Enver Hoxhës. Janë shumë gjëra të përbashkëta, por mbi të gjitha impulsi i urrejtjes që është thuajse identik, vijon ende në Shqipëri.
Gjithashtu, e njëjtë është edhe psikologjia e drejtimit të shtetit, dhe moslejimi i ngritjes së nivelit të arsimit. Pastaj i analizoj që të gjitha krizat që kemi kaluar: pse jemi ndeshur së brendshmi? Cili është roli retrograd i politikës? Ç’është orientalizmi i ri shqiptar pengues për-drejt Europës? Ngjarjet e vitit 1997 dhe gjithçka që vjen deri në vitin 2010. E rëndësishme është që të theksoj se, sipas analizës sime, tirania shqiptare e pasluftës e ka marrë të tatëpjetën, por ende nuk po bie. Cila është arsyeja e kësaj inercie kaq të gjatë? Për këtë, prisni që të lexoni librin.