Sovjetikët e rinj të Tiranës dhe Prishtinës

0
47


Nga Mero Baze

Para dhjetë ditësh u përkujtuan 22 intelektualë të pushkatuar nga regjimi komunist pasi regjimi i përfshiu ata në një skenar imagjinar se kanë organizuar hedhjen e një bombe në ambasadën sovjetike në Tiranë. Fabula ishte e thjeshtë. Të gjithë intelektualët e pushkatuar ishin kundërshtarë të spikatur të regjimit, por meqë nuk po gjendej një sebep për t’i pushkatuar, vetë regjimi hedh një bombë të padëmshme në ambasadën sovjetike dhe pushkatoi 22 kundërshtarë që s’kanë asnjë lidhje me të. Kjo mendësi kriminale, duket se po rishfaqet frikshëm kohët e fundit në politikën shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë.

Më 21 Janar në Tiranë u bë një demonstratë e dhunshme e opozitës, e cila përfundoi me një masakër të forcave qeveritare mbi protestuesit duke lënë katër të vdekur dhe dhjetëra të plagosur me armë zjarri. Pas masakrës, kryeministri i vendit, në vend që të merrej me përgjegjësitë e tij politike për masakrën dhe hetimin e ngjarjes, nxori listën e armiqve të tij të mëparshëm dhe tentoi t’i ekzekutojë si puçistë. Kështu mosbindja e Presidentit Topi ndaj tij, mosvënia në shërbim të tij e Kryeprokurores Ina Rama për skandalet korruptive të familjes së tij, si dhe shqetësimet që i kishin sjellë disa medie dhe gazetarë kritikë me të para 21 Janarit duke i publikuar skandale të rënda korruptive dhe detaje të frikshme të jetës së tij personale dhe lidhjeve me Enver Hoxhën, mjaftuan që ai ta përdorte 21 Janarin si Enver Hoxha bombën që hodhi vetë në ambasadën sovjetike.

Ai bëri publike një listë armiqsh që duheshin dënuar dhe bëri qesharak dhe disa deputetë të vet, të cilët i ktheu në një institucion inkuizitor me shpresë që diçka do arrinin. Bamir Topi, Ina Rama, Filip Çakuli, Sokol Balla si dhe unë me Andi Bushatin, kemi qenë para 21 Janarit kundërshtarë të qartë të zotit Berisha dhe atij i duhej të vriste katër vetë, për të gjetur një sebep të na shpallte luftë ne.

Për ta imituar deri në fund shëmtinë e tij, Lulëzim Basha, Ministri i Punëve të Brendshme ka shtuar në listë një emër që më ka bërë shumë përshtypje, por që më vonë e tërhoqi. Mes emrave të katër gazetarëve, fillimisht figuroi dhe një emër tjetër që nuk është gazetar, ing. Arben Meçja. U çudita shumë kur dëgjova emrin e tij, pasi ai nuk ka ndonjë lidhje me opozitën dhe aq më pak me medien. Por skema e shpjegon të vërtetën. Ai është “armiku” i Lulëzim Bashës, pasi është njeriu që ka çuar në prokurori dosjen e Lulëzim Bashës për rrugën Rrëshen- Kalimash, dosje për të cilën nisën hetimet dhe u bllokuan prej pushtetit me procedurë.

Në atë zallamahi pas vrasjes së katër qytetarëve, Ministrit të Brendshëm i ka shkuar në mendje të fusë dhe emrin e armikut të tij në listë se ndoshta me këtë rast eliminohet dhe ai. Dhe ka vijuar më tej ta ndalë rrugëve makinën e tij me forca speciale dhe t’i terrorizojë familjen. Uroj që inxhinier Meçja mos të ketë qenë në ndonjë kafe afër kryeministrisë se me këtë vëmendje ndaj armiqve që ka pushteti dhe mund të ishte ndonjë nga viktimat.

Pra mentaliteti i regjimit që përdor raste të stisura për të ndëshkuar armiqtë e vet, është po aq i freskët sa në vitet 50-të, me ndryshimin se tashmë nuk ka çdo gjë në dorë dhe nuk bën dot atë që bënte Enver Hoxha. E njëjta gjë e shëmtuar ndodhi dje dhe në Kosovë. Pati një lajmërim të dyshimtë se në shtëpinë e Bexhet Pacollit, presidentit të zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, pati një bombë. Policia verifikoi menjëherë lajmin dhe doli që ishte gënjeshtër. Nuk mjaftoi që gjithçka ishte gënjeshtër dhe e stisur, por del dhe një zëdhënës i zotit Pacolli dhe thotë që kjo ka ndodhur se disa gazetarë kanë kritikuar Presidentin.

Pra në mendjen e këtij sulltani të ri të Kosovës, janë vizatuar armiqtë e parë të tij dhe ata janë disa gazetarë që kanë sulmuar zgjedhjen e turpshme të tij. Edhe ai mezi po pret të krijojë raste terrorizmi apo dhune për të hequr qafe ata që mendon se i prishin punë. Një partner i tij në Tiranë, i akuzuar dikur nga Sali Berisha si trafikanti më i madh i naftës në Ballkan, dhe me histori të pafundme korrupsioni dhe deri eliminime fizike, i doli në mbrojtje nga Tirana po ashtu duke i akuzuar gazetarët që e kritikojnë atë si njerëz që duhen ndëshkuar.

I gjithë ky turp ndodh para syve tanë, nga njerëzit që na qeverisin, nga kryeministri ynë, nga Presidenti i Kosovës dhe nga konet që lehin me thërrimet e pushtetit të tyre. Në mendjen e tyre ka vetëm një skemë të eliminimit të kundërshtarëve dhe ajo është skema e regjimit të Enver Hoxhës që shpikte terror për të eliminuar kundërshtarët. Berisha, Pacolli, Basha dhe çdo derivat i tyre po bëjnë po atë punë, me ndryshimin se janë të pafuqishëm për të marrë jetën me pushtetin e tyre. Ata thjesht po përpiqen ta imitojnë precedentin e “bombës në ambasadën Sovjetike” si një mënyrë të menduari dhe të vepruari. Dhe përfytyroni që njëri udhëheq Shqipërinë, tjetri do të udhëheqë Kosovën dhe kjo konia e vogël lëpin buzët se mund të qeverisë Tiranën me këtë mentalitet.