
Nga Dardan Braun
“E pashë sot Doktorin, i ndriste buza, jo si më 21 Janar, kur ta vrisje nuk i dilte gjak”. “E pse të mos i ndrisë, kur është në pushtet?” “Eee, po në pushtet ishte edhe me 21, por nuk i lëvizte gjaku”.
E konsumuar sot, më 26 Maj 2011, në një nga zyrat e shtetit të “madh”, kjo bisedë mes zyrtarësh të vegjël, por që kishin pasur rastin të shihnin nga afër Shefin e “madh”, përçonte një kumt. Një kumt nga hiçnjerëz për një diçvendim qe pritej të vinte nga pushteti i tretë, më saktë nga disa përfaqësues të pushtetit të tretë. Disa gjyqtarë, aspak më të paepur se ata që janë bërë leckë nëpër komisione parlamentare, sa herë kanë tentuar të pretendojnë një shkallë më lart në karrierën profesionale.
“Homemooo, se lirmetës ja dhosh, ec pim noj got ime”. “O Hasonoo, me kadalë e pra mo se vota osht e mçefme”. “Mir pra mir, po lirmetës ja dhom”.
Duke më kujtuar për të “partisë së lirmetës”, meqë kunatin ma kishte parë dikur në çdo mikrofon, kur “lirmeta” shante mysybet qeverinë, Hasoni donte të më jepte prova se e kishte mbajtur fjalën, pra i kishte “hallall” ato pesë lekë që i kishin dhënë “shoncin për t’kthy igotë”. Hallall, i thashë unë, por herë tjetër, më kërko “sa dush, vetëm voto për qejfin tat”. “U ç’ma dhjeve, po mir e pra mo, ku di gjo unë se si e dridhni ju, unë menova se ti je me “lirmetën”, “qafsha kalamojt, gjithmonë “edromës” ia kom dhonë”. Vallahi gjith dora jonë me “edromën” osht, po ku di gjo un i shkreti, ksaj here m’dhon, ma kërkunë dhe ia dhosh”. Hajt t’boft mir, i them unë. Lene mo se ma ngece n’fyt, ma ktheu ai, me një shikim që më ngjalli keqardhje.
“Ej ej, mirë unë, po sa ka si unë, vallahi, ej, masnej, mirë un k’tu n’Tironë, po un kom ene nja katër tjerë n’shpi mor jau, qi as nuk i njof fare. M’i kan pru aty për nja dy net, sa t’hudhin votën dhe as kom për ti pa mo, lene mo, punë m…, po mundohej të “rregullonte”muhabetin i ziu.
Dita po kalonte, por gazetat ende merreshin me një fjalë të ardhur së largu. Edhe së larti. “Pse të mos themi se, jo vetëm turpin, por edhe nderin e kemi të përbashkët”, kumtonte Shkrimtari. “Unë nuk mund të fyej votat e qytetarëve”, ia kthente personazhi. Në fakt jo ai, as Ai, por ndonjë sekretare e rastit, e urdhëruar të mblidhte “copy paste” e t’ia jepte “për firmë” atë përgjigje me fjalë të konsumuara “para, gjatë dhe pas” eventit. Kësaj radhe, jo prej “ngjarjes së horrave dhe lavireve të bulevardit”.
U desh një mort e u pamë. Pas kësaj, një ortek buburrecash që ngucnin njëri tjetrin, kush e kush të vinte emrin e tij pranë, larg, përkundruall a përsëprapthi me Shkrimtarin. Qytetarët ndiheshin të parët, s’ka gjë se dora vetë Qytetarin e Parë e kishin bërë rezil, duke i shkelur fshehtësine e votës. Edhe Ky, tani “po ia ndreqte”. Ishte takuar për të disatën herë me “trojkën” shëtitëse që kish marrë përsipër të bënte kallauzin në fshatin tonë që dukej edhe nga maja e thanës.
Por kronika kryeqytetase vazhdonte. “Ia dha Shkodra që e përmbyti, nuk ia dhanë këta që i mban me bukë”, thoshte Drejtoresha e Burimeve Njerëzore. “Ec, se do e shofin tani këta, komunistat. E tha Doktori, ministritë të shkurtojnë administratën për të ndërtuar më tepër shkolla e ambulanca. A nuk morëm më shumë vota nga mësuesit dhe infermieret?”
Gjithçka sillej e rrotullohej rreth orës 13:00, me 26 Maj 2011. Një kronikë e vjedhur zyrave të shtetit, ku bubuloj edhe unë si pjesë e administratës. Asaj administrate “mosmirënjohëse” ndaj Atij që “na mban me bukë”. Kjo asht pulitika! “E pashë sot Doktorin, i ndriste buza, jo si me 21 Janar, kur t’a vrisje, nuk i dilte gjak”. “E pse të mos i ndrisë buza, kur është në pushtet?” “Eee, por në pushtet ishte edhe me 21, por nuk i lëvizte gjaku”, filxhani ringrihet nga pjata.
“Kolegji? Pse nuk janë njerëz edhe ata? E ç’a kishte Ristani më pak se ata? Lëre mo ça thonë ata të huajt, këtu është hedhur lek i madh. Po ata, nuk janë njerëz? Ai po e thotë troç se “në Evropë do hyjmë kur ta meritojmë”. Ça kujton ti, se i plas atij ça thonë të huajt? Ai ta ka thënë troç se “Fazlliçin e kam mik”, ti kujton akoma kohën, kur për një shprehje të tillë “shkoje për lesh si spiun”. “Ai po të bën cirk mu në mes të Tiranës dhe po të shikon në kokërr të syrit nga televizori, ti thua nuk është e mundur. Ai thotë “kam fitu, Tirana blu”, ti ke shpresë tek “çeta vogël me pesë vetë” që me një gisht kthehet “bythëpërpjetë”. Cigarja shkundet në taketuke. “E pse të mos i qeshë buza Atij që të ngrin buzëqeshjen ty, mua dhe gjithë zavallit popull, i cili e ka ngrënë më shumë, pikërisht atëhere, kur i kanë thënë se është i pari”, kafeja rrufitet.
Ore, e kujton atë maskimin e dikurshëm, kur bënim zbor? “Këtu ka mina”, duhej të shkruanim. Armiku do të kujtonte se ne do të kishim gënjyer, dhe “fap n’tullum”, do e hante. Njëlloj si qytetari, kur Doktori thotë se është i pari, shuhet cigarja, e shtypur aq shumë, sa gishti ndjeu dhimbje. Për votën.







