Redaksionale – Shekulli, 21.01.2011
Ka një përpjekje të pushtetit për të ndjellë dhunën sot. Berisha po bën sa mundet me retorikën e tij prej rrahagjoksi, që “nuk i hap rrugë njeriu”, ndërsa partneri i tij në pushtet, mori atributet e Ministrit të Brendshëm dhe njoftoi për rekrutime grupesh kriminale në disa qytete prej opozitës.
E gjithë kjo mërmërimë pushteti kundër demonstrimit të sotëm, në të vërtetë nuk është as burrëri dhe as frikë, por thjesht një lloj ankthi.
Ata në të vërtetë nuk dinë se çfarë duan të ndodhë sot. Kur mendojnë që mund të shëtisin njëqind mijë vetë rrugëve të Tiranës dhe të mos ndodh asgjë, gëzohen me vete, por do të nxitojnë të mërzisin mbështetësit e opozitës me fjalët “frikacakë”, etj.
Kur mendojnë se dikush prej atyre qindra mijëra vetëve mund të humbasë durimin dhe t’i vërë shkëndijën përleshjeve, tremben, por shpresojnë. Që të gëzohen me akuzat e gatshme që kanë bërë për destabilizim.
Paqartësia e tyre se si është mirë të jetë e premtja e sotme për ta, është në të vërtetë në bazën e gjithë retorikës kërcënuese, që mbushi ekranet këto tri ditë. Është kjo paqartësi që po i detyron ata të shfaqen si një shtet politik para qytetarëve, ku një ish.zëvendëskryeministër i shkarkuar si hajdut nga detyra javën e shkuar, bën rolin e kryepolicit të regjimit, ndërsa një kryeministër që i ka shokuar qytetarët me rrëshqitjen e tij psikike, betohet duke u çjerrë me zë të lartë për normalitet.
Nuk e dimë si do të jetë kjo e premte. Nuk dimë nëse qytetarët do të demonstrojnë dhe do të ikin në shtëpi, apo do të ulen në bulevard. Nuk dimë nëse Berisha do të guxojë të dalë në dritare t’i përqeshë dhe ata ta tolerojnë. Nuk dimë nëse Familja Berisha, do të largohet nga Tirana, apo do të rri në shtëpi për të parë nga afër protestat. Por dimë që njerëzit janë zemëruar me qeverisjen dhe qeveritarët, dhe do të dalin në rrugë.
Kishte dhjetëra mënyra për t’u ndalur deri më sot. Bile me këtë opozitë të moderuar që ka Shqipëria, kishte mundësi që populli mos ta njihte kurrë përplasjen në rrugë. Por Berisha e ka sjellë çështjen tek rruga. Ai konsumoi për një vit e gjysmë shansin për dialog politik, rreth transparencës së zgjedhjeve dhe po konsumon me cinizëm avokatinë e një plaçkitje publike të shqiptarëve, që u shfaq me zë dhe figurë në ekranet shqiptare nga njerëzit e tij. Dhe njerëzit për këtë do të dalin sot në rrugë.
E sigurt është se askush nuk del as për të vrarë, as për të vjedhur dhe as për t’u pasuruar, por dalin kundër vrasjeve që po shtohen përditë, kundër çmimeve që po kapin qiellin, kundër plaçkitjeve që po rrënojnë vendin përditë dhe kundër pasanikëve të rinj të Familjes Berisha, që po bëhen pronarë de facto të Shqipërisë.
Sali Berisha dhe Ilir Meta mendojnë se janë duke provokuar Edi Ramën apo aleatët e tij, duke shpikur lloj- lloj skenarësh. E kanë gabim. Kjo opozitë ka dhënë prova të panevojshme për të na mbushur mendjen të gjithëve që është ashtu si është. E sigurt është se askush në këtë vend nuk mund të vijë në pushtet përmes dhunës, por më e sigurt po bëhet psikoza se kur në një vend humbet shpresa për të ndryshuar pushtetin me zgjedhje, dhuna kthehet në alternativë të rrezikshme.
Berisha po e ndjell dhunën. Po e ndjell me shpresë dhe makth, me shpresë se do të jetë “aq pak” sa t’i bëjë punë atij dhe të mos ndihmojë kundërshtarët.
Do të ishte më mirë mos ta ndillte atë, se me këtë opozitë të pafuqishme politike për të menaxhuar pakënaqësinë popullore që ka tejkaluar aspiratat e opozitës, Zoti na ruajt nëse një shkëndijë i vë zjarrin situatës.
Sot, në rrugë nuk do të dalin as hajdutë, as vrasës, as banda. Në rrugë do të dalin qytetarët e zemëruar. Nëse ata provokohen nga hajdutë apo banditë, është keq për pushtetin. Është keq për të gjithë ne, që çdo orë që kalon kemi më pak fuqi për të qenë përfaqësues të këtij zemërimi.
“Çunat” e Bllokut të Berishës, janë kthyer në një neveri për qytetarët shqiptarë, njësoj si çunat e Bllokut të Enverit në vitin 1990. Shpresojmë që kjo e premte të jetë një ditë e bardhë për qytetarët shqiptarë të zemëruar, që ata të ndjehen zot të vetes së tyre. Por nëse Berisha e do medoemos të “Premte të Zezë”, duhet t’ia heqim këtë kënaqësi. Qoftë dhe me dhunë.