Nga TemA
Më shumë organizata se ato që protestuan në vitin 2004 kundër qeverisë Nano, pritet të protestojnë sot përpara Kryeministrisë, për të kërkuar që të ndalohet importimi i plehrave në vendin tonë. Këto organizata, të njohura si Grupimi i Reagimit Qytetar 2, kanë bërë të njohur dje arsyet pse po protestohet. Sipas tyre, Shqipëria duhet të jetë e pastër, dhe para së të bëhet kjo gjë, duhet ndaluar importimi i plehrave nga jashtë.
“Ne, Grupimi i Reagimit Qytetar, të njëjtat organizata si në vitin 2004, por dhe shumë më tepër se në atë vit, jemi para publikut shqiptar për të bërë edhe njëherë të njohur se ne duam përfundimisht dhe vendosmërisht një Shqipëri të pastër, një Shqipëri krejt ndryshe nga Shqipëria e sotme, e ndotur në çdo përrua, lumë, det, liqen, fushë, kodër e mal. Ne jemi këtu, para publikut shqiptar, për t’i thënë si pushtetit qendror, ashtu edhe atij lokal se ne kërkojmë që mbetjet tona të menaxhohen plotësisht para se të synohet importi i materialeve me origjinë nga mbetjet, objekt i VKM-së së fundit të Qeverisë.
Ne jemi këtu që t’ju ftojmë të bashkoheni nesër (sot) me tubimin tonë, në orën 11:00 përpara Kryeministrisë, për t’i kërkuar Kryeministrit që të plotësojë sa më parë dhe në mënyrë sa më të plotë kuadrin ligjor dhe nënligjor për importin e lëndëve të para me origjinë nga mbetjet,” thuhet në deklaratën e këtij grupimi.
Gjithashtu ky grupim ka ofruar si alternativë një aksion të madh, ku të gjithë të angazhohen për të pastruar Shqipërinë e përmbytur nga plehrat.
“Ne duhet të kemi një kuadër ligjor dhe një infrastrukturë të plotë për importin e mbetjeve, konform standardeve të Bashkimit Europian.
Ne i ofrojmë qeverisë qendrore dhe pushtetit Vendor gatishmërinë dhe vullnetin tonë për t’u përfshirë në një fushatë të madhe kombëtare apo lokale për të pastruar Shqipërinë nga plehrat e për ta inkurajuar fort klasën politike që ta pastrojmë të gjithë së bashku shtëpinë tonë të përbashkët. Parimi, i konsoliduar edhe në legjislacionin evropian, është parimi i afërsisë, që përkthehet: menaxho sa më mirë mbetjet e shtëpisë tënde. Protesta jonë është një thirrje qytetare në mbrojtje të të drejtave dhe të mirëqenies së fëmijëve tanë, për të garantuar breza të shëndetshëm qytetarësh evropianë,” thuhet në deklaratën e Grupimit.
Gazeta Tema denoncoi e para vendimin e qeverisë për të importuar plehra nga jashtë. Vendimi përkoi me një periudhë trazirash në Itali. Qytetarët protestuan kundër hedhjes së mbeturinave pranë zonave të banuara. Edhe Gjermania u përfshi nga protestat e kaosi pasi një tren me mbetje radioaktive do të depozitohej në një zonë.
Në vitin 2004, një projekt i ngjashëm, u kundërshtua shumë ashpër nga opozita e asaj kohe, e drejtuar nga kryeministri aktual, Sali Berisha. Por, pas pesë vitesh në pushtet, kryeministri Sali Berisha e ka ringjallur këtë projekt. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit, qëllimi i këtij vendimi është që të fuqizohet industria e përpunimit të mbeturinave në vend. Në disa shkrime ka pasur aludime për personat që qëndrojnë pas kësaj marrëveshje të dyshimtë. Ndër emrat e përfolur është ai i ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu dhe ish- ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli.
Grupimi i Reagimit Qytetar 2
– ZQMM (Zyra Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit) – Sazan Guri
– QSHDNJ (Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut)- Kozara Kati
– QSHDNJ (Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut) – Yllka Hida
– SHBO (Shoqata Bujqësisë Organike)- Lavdosh Ferruni
– Shoqata e Pensionistëve- Isa Gorica
– ANEP (Shoqata për Politika të Reja të Mjedisit)- Romeo Hanxhari
– FRA (Forumi “Rinia Aktive”)- Dritan Broka
– GSHDNJ (Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut)- Elsa Ballauri
– KRIIK Albania- Premto Gogo
– ASAG (Albanian Society for All Ages)- Mira Pirdeni
– SHGJM (Shoqata e Gjoeomjedisit)- Dëfrim Shkupi
– MJAFT- Elton Kacidhja
– QSHA (Qendra Shqiptare e Ambientit)- Fatos Hasa
– SHGZH (Shoqata Gruaja në Zhvillim)- Jeta Katro
– SHB (Shoqata e Blertë)- Gazmend Bujari
– SHZHTK (Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor)- Armada Molla
– Shoqata e Demografëve- Ilia Telo
– ZMK (Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit)- Arben Loka
– Komiteti Shqiptar i Helsinkit- Vjollca Meçaj
– Keshilli Rinor Shqiptar- Argyrina Jubani
– Qendra EDEN- Jonida Mamaj