Sot Berisha ka mbetur vetëm!

0
47

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Rrethi i njerëzve të besuar të kryeministrit po ngushtohet sërish te të njëjtët persona që ai ka përdorur në fillim të vitit 1997, në ditët e fundit të mandatit të tij të parë. Shqetësimet e ngritura ditët e fundit nga media pas gjobave spekulative të vendosura vetëm ndaj atyre medieve që nuk ka nën kontroll qeveria, rinxjerr në dritë të njëjtët personazhe, të cilët Berisha ka përdorur në ditët e fundit të pushtetit të tij të parë kundër medies.

Ky zhvillim duhet parë me kujdes në të gjitha aspektet pozitive dhe negative. Pozitive në këtë zhvillim është fakti që brenda administratës shtetërore ka gjithnjë e më pak njerëz të gatshëm që të sakrifikojnë personalitetin e tyre dhe të përdoren si kamikazë të shkeljes së ligjit dhe pastaj të arratisen nga Shqipëria. Është pozitive po ashtu dhe fakti që Berisha nuk ka në dispozicion më asnjë kostum të papërdorur që ta rihedhë në luftë për interesa të tij.

Nga loja me maska që tentoi të bënte në vitin 2005 me të rinj të shkolluar dhe intelektualë me integritet, ai ka përfunduar pesë vite më vonë te të njëjtat emra fytyra dhe biografi të vitit 1997. Edhe pse duket cinizëm, ky duhet marrë sërish si lajm i mirë. Lajm i keq është që Shqipëria është kthyer 13 vite pas, duke përballur sërish medien me personazhe të shërbimeve sekrete, të cilat tashmë nuk drejtojnë më institucione të tilla dhune siç ishte atëherë SHIK-u dhe policia, por po kthejnë në institucione dhune, institucione të tilla financiare si Tatimet dhe Doganat. Kjo është një dëshmi tjetër se nuk ka qenë policia dhe SHIK-u ata që ishin të inkriminuar dhe në atë kohë, por vullneti i zotit Berisha për t’i përdorur ato privatisht.

Tashmë që Perëndimi është investuar me kuadër ligjor për t’i hequr nga duart SHIK-un dhe Policinë, Berisha po përdor Tatimet dhe Doganat, për të njëjtin qëllim me të njëjtit njerëz kundër të njëjtëve kundërshtarë në medien e pavarur. Gjobat anormale të tyre ndaj medies, përpjekja për të rrënuar financiarisht dhe për të hequr dhe çdo mundësi mbijetese botuesve të medies kritike, përfshirja direkte e kryeministrit deri në sulme ndaj familjarëve të botuesve dhe përpjekja për të nënshtruar media televizive në vend përmes diktimit të politikës botuese dhe pse jo shpesh dhe politikës së kuadrit, e bën situatën shumë të rënde për një vend, i cili pretendon të aplikojë si vend kandidat për anëtar i Bashkimit Evropian.

Sot po ngrihen në detyrë ish-zyrtarë të SHIK-ut që kanë rrëmbyer gazetarë dhe i kanë mbajtur ata në burg siç ka qenë rasti i Filip Çakulit dhe po përdoren kundër medies ata personazhe që kanë udhëhequr përndjekje redaksish dhe gazetarësh dhe pse jo dhunë mbi ta dhe personazhe të jetës politike. Rikthimi i Berishës 13 vite pas te të njëjtët njerëz dhe te të njëjtat metoda kundër lirisë së shtypit dhe kundërshtarëve të tij në media dhe politikë, dëshmon më shumë se çdo gjë tjetër vetminë e tij në këto ditë kur opozita dhe media është sërish përballë tij. Kjo është një shenjë se Berisha ka shumë pak njerëz në dispozicion, për të mos thënë askënd, që të marrë përsipër plotësimin e epsheve të tij të vjetra kundër lirisë së shtypit dhe kundërshtarëve politikë.