SOS: Këta gjyqtarë janë më të rrezikshëm se sa gardistët vrasës

0
49

Nga Mustafa Nano, 8 Shkurt 2012

Ndodhi ajo që dihej e që pritej. Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë, dhe ka vendosur të lërë në arrest shtëpie Ndrea Prendin, i cili është akuzuar se ka qëlluar mbi turmën më 21 janar të vitit 2011, dhe ka vrarë, të paktën, protestuesin e opozitës, Faik Myrtaj.

Duket e pabesueshme që një gjykatë të lërë në arrest shtëpie dikë që është akuzuar për një vepër të tillë penale, por tanimë janë dy gjykata që e kanë bërë këtë. Kjo është prova e n-të se sistemi ynë i drejtësisë është frikshmërisht i korruptuar, materialisht dhe politikisht. Në këto rrethana nuk vlen asnjë rotacion pushteti, nëse opozita nuk tregon një plan se ç’do të bëjë me këtë sistem e se si do të sillet me këta gjyqtarë.

A mos vallë ka ardhur koha që opozita të bëjë premtimin e parë elektoral: “Me të ardhur në pushtet, do bëhet verifikimi i pasurisë të të gjithë gjyqtarëve, e në rast se kjo pasuri nuk justifikohet me të ardhurat e tyre personale e legale, gjyqtarët duhen qëruar nga sistemi e duhen ndjekur penalisht (por jo duke i mbajtur në arrest shtëpie)?

http://respublica.al/artikuj/2012/2/8/sos-keta-gjyqtare-jane-me-te-rrezikshem-se-sa-gardistet-vrases