Sondazhi, Gallup: 69% e shqiptarëve mendojnë se qeveria është e korruptuar

0
48

Shekulli Online, 17.11.2010

Kriza ekonomike globale po i godet rëndë banorët e rajonin të Ballkanit Perëndimor dhe ky është njëri nga faktorët që po ndikon negativisht dhe në besimin e tyre tek institucionet. Ky është një nga përfundimet e sondazhit të përvitshëm të realizuar nga “Gallup-i”, një firmë konsulencash e specializuar në kryerjen e sondazheve, në bashkëpunim me Fondin Europian për Ballkanin – një iniciativë e fondacioneve europiane që mbështet iniciativat, të cilat synojnë afrimin e rajonit në Bashkimin Europian. Sondazhi, i cili njihet si Monitori ballkanik, synon të ndjekë fenomenet dominante në 7 vendet aspirante për anëtarësim në bllok. Për edicionin e tij të dytë u intervistuan nga një mijë vetë në secilin vend për një seri çështjesh; që nga gjendja ekonomike, tek korrupsioni, besimi në institucione, deri tek dëshira për të migruar.

Albana Kasapi e BBC foli me Andrzej Pyrkal nga “Gallup-i” dhe fillimisht e pyeti se cila ishte gjetja më e papritur e sondazhit.

Pyrkal: Ne u befasuam që situata ekonomike nuk është përmirësuar pas një viti të vështirë në 2009-ën. Kjo do të thotë se situata materiale e njerëzve nuk është në gjendje më të mirë. Për shembull në Serbi, rreth 70 për qind e të intervistuarve thanë se kanë vështirësi në përballimin e jetës së përditshme… Dhe në Kosovë ne vumë re një gjë interesante. Tradicionalisht, që kur ne nisëm t’i bënim këto sondazhe, kosovarët kanë qenë më optimistët në rajon, më të kënaqur me situatën e tyre materiale. Tani, në 2010-ën, nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Banorët ankohen për situatën e vështirë ekonomike.

Pse ka ndodhur kjo?

Pyrkal: Them se ka të bëjë me situatën ekonomike në një perspektivë më të gjerë në Europë, sepse shqiptarët, nga Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në Maqedoni janë tradicionalisht grupi që ka më shumë pjesëtarë që migrojnë për arsye ekonomike.
Shumë analistë kanë vënë re se emigrantët nuk kanë qenë në gjendje të dërgojnë remitanca në të njëjtin nivel si më parë. Një nga pyetjet që bëmë ne për sondazh ishte nëse të intervistuarit kishin marrë para nga jashtë dhe përqindja e tyre që kishin marrë dërgesa në para ose në mall ka rënë nga 26 për qind, në 15 për qind brenda vetëm një viti.

Sondazhi ka arritur në përfundimin se besimi në institucione në mbarë Ballkanin perëndimor është mjaft i ulët…

Nuk e shohim atë zhvillim që presim të gjithë – që njerëzit të fillojnë të besojnë tek institucionet. Kanë kaluar 15 vjet që nga konfliktet e mëdha në Ballkan dhe vendet janë në rrugën drejt integrimit europian dhe pritet që demokracitë të bëhen më të qëndrueshme, më të shëndetshme dhe që njerëzit të nisin të kenë besim tek to. Por kjo nuk po ndodh.
Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor shihet se besimi i popullit tek qeveritë e tyre, tek sistemi i drejtësisë, po bie.

Të flasim tani pak për korrupsionin..
Pyrkal: Ne bëjmë një pyetje shumë të përgjithshme: a mendoni se korrupsioni është i përhapur? Dhe pastaj pyesim si për botën e biznesit, ashtu dhe për qeveritë. Numri i atyre që thonë se qeveria është e korruptuar është shumë i madh. Në Shqipëri është 69 për qind, në Kosovë, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, mbi 85 për qind.

Në sondazhet tuaja, ju hulumtoni dhe çështje të migracionit. Në këtë sondazh të fundit, ju keni arritur në përfundimin se “shumica e njerëzve që dëshirojnë të migrojnë” janë në Shqipëri – 42 për qind – ndërkohë që vetëm një e pesta e të intervistuarve në Bosnjë mendojnë të njëjtën gjë. A mendoni ju se kjo do të përbëjë problem tani që banorët e këtyre vendeve do të munden të udhëtojnë në vendet e Shengenit pas njoftimit për liberalizimin e vizave?

Pyrkal: Parashikimi im do të ishte se nuk duhej të prisnim një rritje gjigante të numrit të emigrantëve. Por nga ana tjetër, ne e bëmë këtë pyetje në Shqipëri dhe në Bosnjë-Hercegovinë: Çfarë prisni të ndodhë pas fillimit të regjimit të udhëtimit pa viza. Në Shqipëri, 39 për qind e të intervistuarve thanë se emigracioni do të rritet ndjeshëm, kështu që brenda vendit, njerëzit besojnë se kjo do të çojë në rritej të ndjeshme të migracionit.