Sondazh i “Albstat”: PS 40.4 për qind, gjithë opozita 60 për qind

0
80

TemA, 29 Dhjetor 2012

Një sondazh i organizuar nga Qendra e Kërkimeve Shkencore dhe të Dhënave “Albstat” tregon se në zgjedhjet e ardhshme Partia Socialiste do të marrë 40.4 përqind sikur zgjedhjet të zhvilloheshin sot, ndërsa së bashku me gjithë forcat që kërkojnë ndryshimin rezultati mund të shkojë në 60 përqind. Sondazhi u zhvillua me vizita në shtëpitë e të anketuarve, bazuar në një kampion statistikor të përbërë nga 1100 votues, 600 prej të cilëve banojnë në zonat urbane dhe 500 në zonat rurale (metodologjia e përzgjedhjes së kampionit jepet më poshtë).

Nga përgjigjet e të anketuarve, rezultoi se 77.1% e tyre do të merrnin sot pjesë në zgjedhje, ndërsa 67.7% deklaruan edhe se për cilën parti do të votonin.

Preferencat e të anketuarve që deklaruan se për cilën parti do të votonin

PS 40.40%
PD 31.40%
AK 15.20%
LSI 4.90%
FRD 4.90%
PDIU 0.60%
Parti të tjera 2.60%
Total 100.00%

Nga preferencat e atyre që e deklaruan votën, konstatohet se PS-ja mbetet në kuotat e zgjedhjeve të 2009-ës, ndërsa PD-ja duket se ka pasur një rrjedhje që është kanalizuar kryesisht drejt dy partive të reja. Për të anketuarit që u shprehën se do të merrnin sot pjesë në zgjedhje, por që nuk e deklaruan preferencën për partitë, nuk kemi informacion të mjaftueshëm të parashikojmë se nga mund të anojnë.

Metodologjia e përzgjedhjes së kampionit statistikor

Qendrat e votimit të zonave urbane dhe rurale u renditën veç e veç nga veriu në jug të Shqipërisë. Nga 2221 qendrat urbane të votimit, të renditura si më sipër, u zgjodhën 30, nga një në çdo 74 qendra (e para e 74-ta, e 148-ta e kështu me radhë). Në çdo qendër votimi të përzgjedhur u anketuan 20 votues të zgjedhur krejt rastësisht sipas gjinisë dhe grupmoshave. Në mënyrë të njejtë, nga 2476 qendrat e votimit rural u zgjodhën 50 dhe u anketuan nga 10 votues për secilën. Një përzgjedhje e tillë realizon një kampion përfaqësues nga pikëpamja gjeografike dhe demografike. Marzhi i gabimit statistikor të kampionit për dy partitë e mëdha është 3.4%. Për partitë e vogla është më i vogël.