Sokol Hasani padit Sali Berishën për moskallëzim krimi

0
35

TemA Online, 16 Korrik 2012

Ish-numri dy i ALUZINI-t, Sokol Hasani, i është drejtuar Gjykatës së Larte për të kundërshtuar vendimin e Prokurorisë se Përgjithshme, e cila ka vendosur mos-fillimin e çështjes penale ndaj kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Kallëzimi i rrallë, ku një zyrtar shteti padit Kryeministrin e vendit, është depozituar disa muaj me pare nga ish-zëvendës drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Sokol Hasani, në organin e akuzës, raporton Vizion Plus.

Ai ka pretenduar se kryeministri Berisha nuk ka reaguar ndaj shkeljeve të kryera në drejtorinë e legalizimeve, megjithëse nga ana e tij janë vënë në dispozicion një sërë dokumentesh që vërtetojnë shkeljet disa milionëshe. Për këtë arsye sipas Hasanit, shefi i qeverisë shqiptare duhet të përgjigjet për akuzën e moskallëzimit te krimit.

Por ish-numri dy i legalizimeve pretendon se pas kallëzimit të depozituar ndaj tij është marre masa administrative e shkarkimit nga detyra dhe për këtë ai akuzon serish kryeministrin për shpërdorim detyre. Pasi ka marrë në shqyrtim këtë çështje, organi i akuzës ka vendosur mos fillimin e saj me argumentin se nuk ka vepër penale.

Por vendimi është kundërshtuar nga Hasani në Gjykatën e Lartë ku sot ishte caktuar seanca e parë e shqyrtimit, e cila u shty pas mungesës së Hasanit për arsye shëndetësore. Gjykata ka vendosur datën 10 shtator për të zhvilluar seancën e radhës.