Bledar H. Prifti, 23.11.2010
Politika, ndryshe nga si e etiketojmë në jetën e përditshme, nuk është gjë tjetër, por një “shpërndarje autoritativave e vlerave të një shoqërie”. Institucionet politike dhe mënyra se si operojnë nuk janë gjë tjetër, por mishërim (strukturizim) i vlerave të shoqërisë sonë.
Që nga lindja e shtetit shqiptarë, shoqëria jonë i ka dhënë jetë regjimeve dhe pushteteve si ai i satrapit Zog, formacioneve fashiste dhe pro-fashiste, regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe regjimit neo-komunisto-fashist të Fatos Nanos dhe Sali Berishës.
Fatkeqësisht, shoqëria jonë i ka eliminuar (dhe vazhdon t’i eliminojë në mënyrë të pavetëdijshme) forcat dhe elementët pozitiv dhe progresist. Jam i bindur se edhe ju vetë çuditeni me faktin se si të këqijtë, injorantët dhe kusarët triumfojnë ngaherë mbi bijtë tuaj më të mirë, të mençur dhe të ndershëm.
Jam i bindur gjithashtu se ju ngaherë pyesni se si shpjegohet që bijtë tuaj më të mirë ose janë vrarë ose janë syrgjynosur. Dhe pyetjet e kësaj natyre nuk kanë mbarim për ju, sepse ka shumë ngjarje të së shkuarës dhe të sotmes që kërkojnë mendimin dhe reflektimin tuaj.
Ndaj, në kushtet ku ndodhet politika Shqiptare, e them me bindje se neve nuk na duhet thjesht një ndryshim pushteti por një ndryshim (një “revolucion i bardhë”) në mënyrën se si mendojmë dhe si vlerësojmë sistemin politik dhe aferat politike të shoqërisë. Ne duhet të ndryshojmë kulturën tonë politike, mënyrën se si i perceptojmë, gjykojmë dhe bashkëveprojmë me individët dhe institucionet politike.
Vlerat mund të jenë ideologjike në mënyrën se si i përafrohesh një çështje dhe një sistemi politik, ose vlerat mund të jenë primitivo-materialiste ku shoqëria (sidomos intelektualët dhe “paria”) e konsideron veten një shërbëtore të regjimit dhe shërben për të marrë të mira materiale nga regjimi pa pasur kurrfarë ndjenje për të drejtën, moralen, të vërtetën dhe demokratiken.
Vlerat dhe mënyra jonë e të menduarit dhe të vlerësuarit politik janë të ndikuara dhe krijuara nga propaganda e satrapëve dhe diktatorëve që na kanë qeverisur për dekada me radhë. Fatkeqësisht, të menduarit dhe të vlerësuarit tonë janë akoma nën efektin e së kaluarës sonë fatkeqe.
Është për shkak të këtij fakti që sot edhe politikanët, mendimtarët, analistët, dhe media (që të gjitha përbëjnë bërthamën e shoqërisë dhe mbajnë përgjegjësinë kryesore për gjendjen e shoqërisë) nuk kanë një përqasje dhe vlerësim korrekt në lidhje me principet bazë të demokracisë dhe se si funksion një sistem demokratik.
E them me bindje se pjesa dërrmuese e këtyre mendimtarëve dhe intelektualëve janë të paedukuar dhe mendjengushtë kur vjen puna për të folur për dhe vlerësuar demokracinë dhe principet bazë të sajë. Këta mendimtarë dhe intelektualë akoma nuk arrijnë të kuptojnë se vjedhja e votës është shumë herë më e rëndë se çdo lloj vjedhjeje tjetër, pavarësisht përmasave.
Ata nuk e kuptojnë se në demokraci çdo gjë fillon nga vota e lirë dhe jo nga lufta kundër korrupsionit (apo hamendësime të tjera), pasi korrupsioni dhe çdo fenomen negativ luftohen vetëm atëherë kur pushteti dhe institucionet burojnë nga vota e lirë.
Vota e lirë qëndron në majën e hierarkisë së nevojës dhe prezenca apo mungesa e saj kondicionon natyrën e sistemit politik. Nuk mund të flitet për demokraci dhe institucione demokratike në një vend ku vidhet vota dhe ku propagandohet se transparencën e votës dhe të pushtetit e ndalon kushtetuta.
Me këtë logjikë i bie që edhe në kohën e komunizmit ne paskemi jetuar në demokraci, pasi çdo gjë ishte e bazuar në kushtetutë. Është njëlloj sikur të thuash se ne kemi demokraci atëherë kur e lejon Kushtetuta.
Ajo që kemi parë dhe po shikojmë deri më tani nuk është demokraci, por primitivizëm, marrëzi dhe injorancë që kërkojnë të institucionalizohen dhe prezantohen si vlera dhe morale të shoqërisë sonë dhe sistemit politik.
Në Shqipërinë tonë po kërkohet të institucionalizohet e keqja, korrupsioni, vjedhja, padrejtësia, marrëzia dhe primitivizmi pervers. Këto antivlera po i serviren shoqërisë sonë në mënyrën më diabolike dhe primitive. Dhe e gjithë kjo bëhet duke përdorur fjalën “demokraci” apo “demokratike” ashtu sikundër edhe Enver Hoxha propagandonte dje për “demokracinë e proletariatit”.
Shqiptarët duhet të kuptojnë sot se nuk ka asgjë demokratike në këtë qeveri të dalë nga pazare kusarësh dhe hajdutësh, se nuk ka asgjë demokratike në një kuvend që ka dalë nga votat e vjedhura dhe që administrohet si një kooperative bujqësore, se nuk ka asgjë demokratike në këtë sistem gjyqësor që vendimet i merr bazuar në direktivat partiake, dhe se nuk ka asgjë demokratike në një sistem ky një populli të tërë i mohohet e drejta e pronës dhe e drejta për të zgjedhur përfaqësuesit e tij në pushtet.
Ndjej shpresë për të gjithë ne kur lexoj një shkrim të Blendi Kajsiut në lidhje me protestat e popullit të Dukatit kundër kusarisë qeveritare që u ka rrëmbyer tokat e të parëve. Por ndjej neveri dhe përçmim kur shikoj mendimtarë, analistë edhe mediat, të zhytur në llumin e injorancës dhe të diabolizmit, që heshtin ose kërkojnë ta portretizojnë këtë ngjarje si një veprim të dhunshëm antidemokratik në një kohë kur këtyre njerëzve u mohohet përmes vjedhjes qeveritare gjëja më demokratike në botë–e drejta e pronës.
Si mund të jetë demokratik një shtet apo qeveri që vjedh votat dhe pronat e popullit? Si mund të quhet antidemokratike një protestë popullore që organizohet kundër një qeverie hajdutësh e kusarësh që i vjedh këtij populli jo vetëm votën dhe vullnetin, por edhe tokën dhe bukën e gojës së fëmijëve?
Duke iu referuar mendimeve të mësipërme në lidhje më mënyrën tonë të menduarit dhe të vlerësuarit, unë arrij në përfundimin se ky reagim (heshtje) primitiv, injorant dhe diabolik, si në rastin e transparencës së zgjedhjeve ashtu edhe në rastin e protestave të Dukatit, është rezultat i brumosjes së këtyre mendimtarëve, intelektualëve dhe analistëve me një mendësi dhe tërësi antivlerash të trashëguara nga regjimet dhe diktaturat e mëparshme.
Përveç varfërisë dhe marrëzisë, regjimet dhe diktaturat e mëparshme injektuan në mendjet dhe intelektin tonë një tërësi konceptesh dhe antivlerash që shkatërruan çdo gjë jetike dhe humane në qeniet tona. Sistemet e kaluara injektuan tek ne ato antivlera vlera që na shndërruan në qenie primitive, në skllevër të pushtetit dhe armiq të njëri-tjetrit.
Dhe në ditët që jetojmë, përfaqësuesit e bërthamës së shoqërisë sonë janë shndërruar ose në skllevër të pushtetit ose në armiq të njëri-tjetrit.
Si rrjedhojë, e vetmja liri dhe demokraci që ekziston apo që na serviret nga këta syresh është vetëm liria dhe demokracia e skllavit të mjerë që nuk ka asnjë ndikim mbi fatin dhe të ardhmen e tij. Ashtu si skllavi, edhe kjo turmë skllevërish e ka lënë dhe po e lë të ardhmen e saj në dorën e kusarëve të radhës.
Ç’është më e keqja, këta skllevër përdoren ngaherë nga padronët për të sulmuar shoqërinë apo edhe skllevërit e tjerë që aspirojnë dhe kërkojnë lirinë, drejtësinë, dhe demokracinë.
Ç’është më e mira, këta skllevër do të evoluojnë me kalimin e kohës si rezultat i dialektikëve të zhvillimit që promovohen nga individë dhe grupime shoqërore dhe politike që kanë si qëllim vendosjen e një hegjemonie vlerash që mbrojnë të mirën, të vërtetën dhe të drejtën.