TemA, 23 Janar 2013
Silva Turdiu
Skënder Shehu ka shpjeguar gjithashtu në emisionin “Debat” letrën e lënë nga Mehmet Shehu.
“Hrushovi ishte Ramizi. Jago ishte Kadri Hazbiu. Mehmeti i ka biseduar më parë këto gjëra me Fiqiretin kur është kthyer nga mbledhja e Byrosë Politike. Letra është shkruar nga ai dhe janë paraqitur ato që ne i dinim që na tha mamaja, që duhet të jenë në letër, ç’ka përjashton kategorikisht mundësinë e falsifikimit. Mehmeti e dinte shumë mirë se ç’mendonte Enveri në ato kohë. Në të ai i thotë Enverit për autokritikën që ai e quajti alibi d.m.th gënjeshtër. Mehmeti thotë edhe diçka tjetër në fund të letrës “të rroni ju shoku Enver, të paktën sa të siguroni partinë”. Pra, kjo do të thoshte se nuk më ha meraku për ty. Por nëse supozojmë se letrën e ka bërë dikush tjetër, nuk do të shkruante këtë fjali…”.
Ai tregon edhe për lejen që i kërkoi babait për fejesën.
“Sigurisht që do t’i kërkoja leje sepse nëse ai nuk do të donte, unë nuk kisha si të fejohesha. Fillimisht i tregova mamasë. I tregova kush ishte Silva, familja e saj. Ajo i njihte. “Bobobo”, më tha aty për aty, po pyet më mirë. Pasi pyeta, i shpjegova sërish dhe i thashë të vinte në dijeni edhe babain. Jo, më tha, thuaj vetë. Fiqireti e dinte se Silva kishte xhaxha Arshi Pipën. Jo, e ka djalë xhaxhai, e sqarova. Kaq ishte puna me mamanë. Hyra në dhomën e punës. “Hë mo Neli, ke ndonjë lajm,” më pyeti. “Po,” i thashë unë. “Mirë, ulemi”, shtoi ai. “Po, kam një lajm, por nuk e di nëse është lajm i mirë apo i keq”.”
Skënderi tregon se nuk është e vërtetë se Mehmeti nuk e pyeti Enverin para fejesës.
Më pas ai tregon se pas ardhjes nga Greqia, i thotë Silvës për prishjen e fejesës pasi Mehmeti i kishte dhënë urdhër.
“Kur erdha nga Greqia, Mehmeti më tha që duhet të ndahesh me Silvën. Ia kishte thënë Enver: “Partia dhe populli nuk e lejon këtë fejesë dhe ajo duhet të shkëputet patjetër” duke treguar edhe arsyet. Unë i thashë se duhet të mendohem. Të nesërmen në mëngjes i thashë mamasë se nëse nuk e prishja fejesën, do të kishin pasoja të gjithë. Por kisha dy kushte: që të mos i ndodhte gjë Silvës dhe unë të ndërprisja studimet e të shkoja të punoja ose në Fierzë ose në Vlorë,” tregon Skënderi.
I pyetur se si ia tha Silvës këtë gjë, ai shprehet: “I thashë, por ata e kishin kuptuar, pak a shumë nga qëndrimi im, se unë vajta atë natë të kthimit nga Greqia. Babai ishte kundër vajtjes sime në shtëpinë e tyre atë natë, por unë e kisha vendosur. Vajtja te shtëpia e Silvës, në momentin që do të nxirrnin darkën, u thashë se nuk do të haja, mora vetëm një gotë konjak dhe Qazimi, mesa duket e kuptoi, sepse qarkullonin fjalë. Të nesërmen u ndamë”.
Ndërsa për sa i përket gjyqit të Fiqiretit, ai tregon se: “Po, Fiqireti ashtu ishte e plakur, krejt e thinjur. Edhe unë kur u ballafaqova me të në gjyq, u trondita jashtë mase. Por ata nuk e di, donin t’i dëgjonin ato gjëra, prandaj thashë edhe për eliminimin e Mehmetit, zor ta ketë eliminuar pa pohim. Duhej një pohim, ata këmbëngulnin në një pohim, qoftë me një letër, qoftë me vrasje. Të tilla ishin këto, edhe Liljana këtë thotë, nga ata që bënin ata, njeriu habitej. Unë jam ndjerë keq në një rast tjetër kur kam parë dikë në gjyqin tonë, që kishte ardhur dhe dëgjonte deponimet e një njeriu, me të cilin kishte pasur krushqi. Vërtet ti prish fejesën, por përse duhet të vish të dëgjosh ato gjëra?!”
I pyetur se cili është roli i Nexhmijes në këtë histori, ai thotë se sigurisht ajo ka pasur ndikimin e saj.
Sipas tij gabimi më i madh që bëri Mehmet Shehu ishte lejimi i fejesës së tij me Silva Turdiun.
Pengu i tij më i madh është i vëllai dhe ai shprehet se: “Jeta do të bënte të vetën si për Mehmetin, si për Fiqiretin, edhe nëse ata do të jetonin. Por pengu im është vëllai, Vladimiri, ai mund të kishte jetuar edhe më gjatë”.
Tashmë Skënder Shehu e ndan jetën e tij mes Tiranës dhe Suedisë.