Nga Augustin Palokaj, 27 Qershor 2012
Diçka e çuditshme po ndodh në Kosovë këto ditë. Kur Kosova nuk e ka nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të territorit të saj, kur në skenën ndërkombëtare vazhdon të jetë pothuajse e izoluar, kur nuk ka përparim në procesin e njohjeve të Kosovës, ndërsa investitorëve të huaj u dërgohet mesazh se mund të investojnë në Kosovë vetëm nëse me vete marrin skuadra me kallashnikovë dhe thika për të mbrojtur investimet e tyre, Kuvendi i Kosovës dështon të heqë nga Kodi Penal nenet që e tërë bota i quajti nene kundër lirisë së medias. Përnjëherë u harrua veriu, u harrua përgjegjësia e institucioneve të Kosovës për humbjet që i dolën shtetit nga dialogu me Serbinë, u harruan edhe hetimet për korrupsion dhe krim të organizuar në nivel të lartë.
Se Kuvendi i Kosovës është „bira e fundit e kavallit“ këtë e dinë të gjithë, dhe këtë e ka pranuar edhe vetë shefi i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Në të njëjtën kohë „miqtë ndërkombëtarë“ nuk janë të interesuar që të ketë në Kosovë një Kuvend të mirëfilltë, i cili do t’i përgjigjej popullit, por më shumë preferojnë që problemet të zgjidhen „në nivel personal“, duke u marrë vesh me një apo dy persona. Nga një Parlament i tillë nuk është pritur që t’u dalë në mbrojtje mediave të lira.
Fundi i fundit, mediat e lira nuk janë në interes të një Parlamenti të tillë e as të institucioneve politike për të cilat vetë Komisioni Evropian dyshon se janë të lidhura me krimin e organizuar. Mediat e lira janë vetëm një problem më tepër, sepse ato media mund „ta helmojnë popullin“, duke mos u treguar se sa suksese historike ka arritur kjo klasë politike në Kosovë. Ato media tash „shpifin“ për korrupsion, krim të organizuar, manipulime zgjedhjesh e shumë gjëra të tjera, në vend që të shkruajnë dhe raportojnë se sa ka përparuar Kosova me këta politikanë që ka në pushtet.
Nuk ka pushtet i cili nuk do të ketë ndikim në media. Në Kosovë këtu duhet shtuar edhe opozitën, e cila ose mund të vijë një ditë në pushtet, dhe me këtë mund të jetë në shënjestër të kritikave të mediave po ashtu, ose janë në pushtet në nivel lokal. Duhet shtuar këtu edhe sistemin e drejtësisë, policinë, gjykatat dhe të tjerët që gjithashtu nuk mund të flenë rehat nga „mediat“, të cilat i mbajnë nën shënjestër. Mediat e lira nuk janë në interes as të „ndërkombëtarëve“ në Prishtinë, të cilët preferojnë media servile që raportojnë për „sukseset historike të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë“.
As ata nuk kanë dëshirë kur mediat flasin për heshtjen dhe bekimin e tyre ndaj vjedhjes së zgjedhjeve apo kur vendimet, para se të bëhen në institucione, merren nëpërmjet pazareve personale, siç ishte zgjedhja e presidentes Jahjaga. Paramendojeni se sa e sa persona në krye të institucioneve të ndryshme në Kosovë kanë ardhur në këtë mënyrë nëse vetë presidentja është zgjedhur në mënyrë jashtinstitucionale e tash mandatin e saj do ta bekojë madje edhe vetë Gjykata Kushtetuese.
Në një sistem të tillë vlerash ku votimi, Kuvendi dhe debatet shërbejnë vetëm si një lloj dekori dhe një aktrim i demokracisë përfaqësuese, liria e mediave është diçka që do t’i prishte ato vlera.
Kosova, elita politike, përfshirë edhe opozitën, janë treguar të dobëta karshi Serbisë. Nuk kanë gjetur guxim t’i kundërvihen asnjë propozimi të bashkësisë ndërkombëtare për lëshime ndaj Serbisë. Madje, kanë pranuar edhe heqje dorë nga emri Kushtetues i Kosovës, vetëm e vetëm që Serbia të marrë statusin e kandidatit për BE. Kjo klasë politike duhet t’ia tregojë diku muskujt. E muskujt i tregon kundër lirisë. Nëse nuk mund t’i bëjmë asgjë Serbisë, atëherë së paku mund t’i japim goditje lirisë, kësaj radhe asaj të mediave.
Por diçka e pabesueshme duket në këtë lojë. E pabesueshme duket befasia e kryeministrit Thaçi dhe 100% të Qeverisë, e cila është zotuar që ta ndryshojë ligjin dhe të heqë dispozitat e turpshme. Harrohet se ishte pikërisht kjo Qeveri ajo që propozoi ligjin dhe thotë se është më i miri në botë. Dhe tash kur në Kuvend u desh shumica e votave që të refuzohej ligji, i cili me shumicë ishte miratuar, nuk pati shumicë. Çfarë disfate e demokracisë. Mund të sigurohet në Kuvendin e Kosovës vota për dialog me Serbinë, për zgjedhje qoftë të Pacollit apo Jahjagës për president, për lëshime ndaj Serbisë, por jo për mbrojtje të lirisë, sepse në mesin e lirive themelore pa dyshim është edhe ajo e shprehjes.
PDK-ja do të dalë fituese e madhe nga kjo lojë që po bën me Kuvendin e Kosovës dhe me opozitën. Përderisa Thaçi „turpërohet“ nga votat e njerëzve që ai i solli në ulëset e Kuvendit të Kosovës, Hajredin Kuçi aktron me gjoja „dorëheqje“. Thaçi do të dalë si shpëtimtar i lirisë së mediave, sepse ja, edhe LDK-ja, edhe Kuvendi bënë një akt të turpshëm, ndërsa ai dhe Qeveria e tij nuk lejuan një gjë të tillë.
PDK-ja është e fundit e cila në këto momente do të merrte ndonjë vendim kundër dëshirës së BE-së, Amerikës dhe presidentes. E këta deputetë që votuan kundër (me përjashtim të abstinentëve kujdestarë) janë të fundit të cilët do të guxonin të bënin diçka që do ta turpëronte edhe vetë shefin e PDK-së. Nëse vërtet ata votuan kundër liderit, atëherë për herë të parë mund të flitet se Thaçi më nuk qenka lider.
Nuk duhet besuar as në sinqeritetin e Hajredin Kuçit dhe dorëheqjes së tij. Ai është njeriu kryesor i kësaj Qeverie. Mban ministrinë kryesore, e cila ka rëndësinë më të madhe edhe në raportet me BE-në, edhe për pushtetin në Kosovë dhe raportet me EULEX-in. Në mungesë të qëllimshme të zëdhënësit të Qeverisë, Kuçi është edhe „spin doktorri“ i saj.
Më shumë sesa lojës me „befasi, turpërim“ apo diçka tjetër duket se fjala është për një shfaqje teatrale të PDK-së, ku rolet janë ndarë në mënyrë të qartë dhe aktorët po i luajnë ato me besnikëri sipas skenarit të parapërgatitur. Pos aktorëve kryesorë, edhe në këtë lojë ka aktorë anësorë dhe statistë.
Po të shihet ndryshe, po të besohej se ka përçarje brenda PDK-së, atëherë do të mund të kishim një kthesë revolucionare në demokracinë e brendshme të kësaj partie, më të madhe sesa kur një grup deputetësh nuk donin që për president të Kosovës ta zgjidhnin të preferuarin e Hashim Thaçit, Behxhet Pacollin. Të mos harrojmë se puna pati shkuar aq larg, saqë raportohej se edhe vetë ambasadori amerikan shpresonte se frika nga kërcënimet do të mundësonte zgjedhjen e Pacollit në atë post.
Por një ditë bashkësia ndërkombëtare pret ndryshime radikale në PDK. Një ditë sponsorët ndërkombëtarë në PDK presin që të ketë një ndarje të plotë në mes të „krahut të luftës“ dhe „të moderuarve“. Një numër i konsiderueshëm i diplomatëve ndërkombëtarë, që me vite kanë punuar me Kosovën dhe rreth Kosovës, kanë pranuar se „nuk kanë pritur që 12 vjet pas luftës Kosova të ketë në skenën politike dhe në pushtet strukturat e UÇK-së“. Në këtë aspekt këto qarqe kanë pritur që përmes Hashim Thaçit si lider të zbehin dhe më pas të largojnë gradualisht njerëzit si Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Azem Syla dhe të tjerë, ndërsa t’u jepet më shumë hapësirë „të moderuarve“ si Hajredin Kuçi dhe Enver Hoxhaj.
Një „ristrukturim“ të tillë e shihnin sipas shembullit të Kroacisë, ku HDZ-ja, partia nën udhëheqjen e së cilës Kroacia pati krijuar shtetin dhe fituar luftën, u pastrua tërësisht nga „njerëzit e luftës“ dhe e morën në dorë „proevropianët“, të udhëhequr nga Ivo Sanader. Fakti se këta „proevropianë të moderuar“ u dëshmuan hajna të mëdhenj dhe manipulues edhe më të mëdhenj sesa „nacionalistët“, nuk i pengoi askujt në atë kohë.
Po të jetë e sinqertë dorëheqja e Kuçit dhe po të ketë vërtet luftë mes tij dhe deputetëve të PDK-së, që votuan kundër heqjes së neneve diktatoriale për mediat, atëherë kjo do të mund të shihej si fillim i ndarjeve në PDK. Por pakkush beson në një skenar të tillë, prandaj të shohim se si do të vazhdojë kjo telenovelë në regji dhe skenar të PDK-së, me rol anësor të presidentes, Zyrës së BE-së dhe Ambasadës amerikane.