SKANDALI/ Vijnë tonelatat e para me plehra nga Italia, drejtohen për në Elbasan, shoqërohen nga makina zyrtare

0
34


Sot rreth orës 4 të pasdites disa kamionë, të cilët mbajnë logon e firmës “Shpati” kanë futur nga porti i Vlorës tonelatat e para me plehra nga vendi fqinj. Këto kamionë shoqëroheshin nga një makinë zyrtare (me targa Z), tip Mercedes-Benz, ngjyrë të bardhë i cili mbante logon e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Denoncimi është bërë nga Rinia Aktive, e cila ka protestuar vazhdimisht kundër projektit për importimin e plehrave.

Megjithatë, këto ngarkesa janë ilegale për vetë faktin se qeveria shqiptare nuk ka krijuar legjislacionin dhe nuk ka krijuar impiantet e djegies së plehrave. Sipas deklaratave të qeverisë importi i plehrave do të fillonte pas realizimit të legjislacionit dhe impianteve. Më poshtë është deklarata e plotë e organizatës Rinia Aktive.

“Sot rreth ores 16:00 të mbasditës kanë filluar të zbarkojnë në portin e qytetit të Vlorës kamionët e parë më plehra nga vendi fqinj, Italia. Kamionët, të cilat janë të mbushura me plehra kryesisht spitalore, mbajnë logot e firmës “Shpati”. “Shpati” është firmë e import-eksporti të mbetjeve spitalore të vendit tonë. Kamionët e kësaj firme shoqërohen nga makina me targa zyrtare tip Mercedes-Benz, ngjyrë e bardhë dhe me logo të “Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.

Një plan i tillë mafioz ka startuar tani pikërisht në kohë fushate, duke ditur se fushatat e partive kërkojnë fonde të mëdha, zgjidhja është parë tek shkatërrimi i vendit tonë. Me informacionet e deritanishme, mendohet që kamionët me plehra po i drejtohen qytetit të Elbasanit, pikërisht impiantit të landfillit në këtë qytet.

Njëkohësisht që sipas premtimeve të qeverisë, mendoheshin të ndërtoheshin impiante moderne, të cilat do të kishin nivel të ulët të ndotjes. Edhe këto ide mafioze të qeverisë, janë jashtëzakonisht të dëmshme për vendin tonë, por edhe për jetën e qytetarëve shqiptar. Tashmë importi i plehrave ka filluar në një mënyrë disa herë më të dëmshme se impiantet vdekjeprurës. Djegiet me tonelata kaq të mëdha të mbetjeve do të thotë shfarosje për popullin shqiptar.

Rinia aktive i bën thirrje qytetarëve të Elbasanit që të mos lejojnë këto kamionë të mbushur me ndotje për këtë qytet por edhe për të gjithë Shqipërinë, të hyjnë në Elbasan.

Rinia aktive do të aktivizojë të gjithë strukturat për të mos lejuar këtë dëm ekologjik dhe vdekjeprurës për shqiptarët.

Ne paralajmërojmë bllokim të punëve në portit e Vlorës, por edhe akseve rrugore të rëndësishme të vendit për të mos lejuar që këto kamionë të mbushur më plehra të ndotin jetën tonë.”