Skandali ‘Vergine’, miliona nga mashtrimi, por dhe rimbursim nga shteti për ‘eksport’

0
19


Shekulli Online, 13.03.2011

TIRANË – Ka tortë fitimesh kolosale, po ka edhe “qershi mbi tortë”. Dy kompanitë e tregtimit të hidrokarbureve “Euroil” sh.a. dhe “Fisheku” sh.a. dhe që kishin ekskluzivitetin e shitjes së mbetjeve të naftës së përpunuar e njohur si “Vergine” jashtë Shqipërisë, përveç se e përzienin dhe shisnin në pika të ndryshme të karburanteve si naftë të cilësisë së mirë, duke fituar nëpërmjet mashtrimit, përfitonin nga ana tjetër edhe rimbursim nga TVSH-ja për eksportin fiktiv të saj.

Hetimi pesëmujor i Task-Forcës ka zbuluar se dy kompanitë e të arrestuarve Hajri Elezaj dhe Iliaz Fisheku nga mbetja “Vergine” kishin përfitim të dyfishtë. Nga një anë, pwrfitimi nga përzierja e kësaj mbetjeje me naftën cilësore dhe shitjen e saj me çmim tregu në pika të ndryshme të karburanteve dhe nga ana tjetër përfitimi nga rimbursimi i TVSH-së, pasi sasia e “Vergine”-s që nxirrej nga rafineritë e “Armos”, “në letra” figuronte e eksportuar jashtë Shqipërisë.

Sipas të dhënave të grupit hetimor, mësohet se rreth 50 mijë tonë mbetje të naftës me emrin “Verigne” janë shitur ne tregun e brendshëm me çmimin e naftës së cilësisë së mire. Por këto fitime me mashtrim nuk paskan mjaftuar. Nga ana tjetër, dy kompanitë private janë rimbursuar nga shteti me mbi 1 milion euro TVSH për eksportin e llumit, pra “Vergine”-s, eksport i cili në fakt nuk është kryer kurrë.

“Nga hetimet e kryera dhe raporti i ekspertëve, rezulton se mbi 50 mijë tonë mbetje “Vergine” është tregtuar brenda territorit të Shqipërisë, në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve, duke e paraqitur atë si benzinë të pastër për konsum. Por jo vetëm kaq. Pas dokumentacioneve fiktive për gjoja eksport të “Vergine”-s, që plotësoheshin në pikat doganore të Vlorës, Durrësit dhe Tiranës kompanitë “Euroil” sh.a. dhe “Fisheku” sh.a. pajiseshin me një vërtetim. Këtë vërtetim ku thuhej se X sasi është eksportuar jashtë bashkë me dokumentacione të tjera false, përfaqësuesit e dy kompanive e dorëzonin në Drejtorinë e Tatim Paguesve të Mëdhenj, të cilët e rimbursonin me 20 % të vlerës së “mallit të eksportuar”.

Vetëm nga këto rimbursime, sipas akt-ekspertimit kontabël dy kompanitë “Euroil” dhe “Fisheku” kanë përfituar, sipas burimeve të prokurorisë, një shumë mbi 1 milion euro, veç fitimeve të mëdha nga mashtrimi në kurriz të qytetarëve. “Madje, kjo sasi parash, nga tatimet i është kthyer në para kesh në dorë dhe jo siç ndodh rëndom që t’i konsiderohet taksë e paguar për periudhën pasardhëse”, – thuhet nga prokuroria.

Sipas të dhënave të hetimeve, zbulimi i sasisë së mbetjes “Vergine” që është nxjerrë nga rafineritë e “ARMO-s” është identifikuar nga shkresat e marra në këtë kompani nga hetuesit e çështjes. Nga verifikimi i tyre me dokumentacionet dhe vërtetimet në pikat e doganës, rezultonte se sasia e marrë nga “ARMO” nuk eksportohej e gjitha, por një pjesë fare e vogël e saj. Ndërkaq, nga ana tjetër rezulton se përzierja e mbetjes “Vergine” me naftën cilësore bëhej në magazinat e kompanive “Euroil” dhe “Fisheku” me qendër në Golem të Durrësit dhe në Fier, nga ku më pas niseshin botet me naftë dhe shpërndaheshin në pika karburantesh për tregtime me pakicë, ku furnizohen qytetarët shqiptarë.

Dy të arrestuarit e djeshëm shoferët Gazmend Serjani dhe Fadil Abdurrahmani, një person shpallet në kërkim

Policia e kryeqytetit, ka arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm edhe dy persona për llogari të hetimeve për skandalin e nënproduktit të naftës të njohur me emrin “Vergine”, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Dy të arrestuarit quhen Gazmend Serjani dhe Fadil Abdurrahmani dhe janë shoferë botesh. Edhe për dy të arrestuarit dhe të tretin që është shpallur në kërkim, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, dy ditë më parë me kërkesë të Prokurorisë ka vendosur në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre, si të përfshirë në skandalin e naftës “Vergine”.

Sipas prokurorisë, në ditët në vazhdim pritet edhe arrestime të tjerë për këtë skandal, pasi rrjeti i personave që kishin dijeni dhe kanë përfituar nga ky mashtrim është më i gjerë.

Elezaj, takime të shpeshta në zyrën e Kuliçit

Hajri Elezaj, biznesmeni kuksian i arrestuar parmbrëmë me urdhër të Prokurorisë, është mik i familjes së Berishës dhe i nëndrejtorit të policisë Agron Kuliçit. Ka sponsorizuar PD-në që prej 2005-s, ndërsa bashkëshortja e tij është parë në fushatë me Topallin. Ka fituar tenderin për furnizimin me naftë të gjithë institucioneve shtetërore, ndërkohë që uji i tij “Lajthiza” gjendet mbi tavolinën e ministrave gjatë mbledhjeve të qeverisë.

Me kërkesë të dy prokurorëve të çështjes, gjyqtari i gatshëm i masave pranë Gjykatës së Shkallës së Parë ka caktuar që paraditen e së enjtes në mungesë masat e sigurisë “arrest me burg” për të dyshuarit, dhe pas kësaj, vendimet janë ekzekutuar nga Policia.

Skema e kontrabandës shtetërore e naftës e denoncuar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka sjellë edhe krisjen e parë të tij me S. Berishën. Kur Prifti kërkoi takim me Berishën dhe nisi t’i fliste për kontrabandën e naftës kryeministri ka kërkuar që i pranishëm të ishte edhe ministri i Financave, Ritvan Bode. Në bisedë ish-ministri i Ekonomisë i ka thënë kryeministrit se në kontrabandën e naftës ishte implikuar Agron Kuliçi, nëndrejtor i Policisë së Shtetit. Pas kësaj, Berisha i ka kërkuar ministrit të Financave, Ritvan Bode që këtë çështje “ta shikonte me prioritet të madh”. Me këtë fjali është mbyllur edhe takimi mes Berishës, Bodes dhe Priftit. Por kanë qenë vetëm llafe. Sepse pas kësaj bisede, çdo gjë ka vijuar si më parë, asgjë nuk ka ndryshuar.

Kur Prifti nisi të denonconte publikisht, fillimisht Berisha ka mohuar bisedën me Priftin dhe Boden për kontrabandën e naftës, por pas publikimit të dokumenteve, nuk ka pasur më asnjë reagim.
Burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë pohojnë se z. Elezaj ishte një vizitor i shpeshtë në zyrën e z. Kuliçi, në këtë drejtori, madje trau i postbllokut ngrihej pa kontroll dhe me përshëndetje ushtarake, kur duhej të kalonte makina e tij. Takimi i fundit mes tyre në zyrën e Kuliçit është zhvilluar vetëm tri ditë para se Prokuroria të lëshonte urdhër-arrestet.

TË ARRESTUARIT E DERITANISHËM:

11 të arrestuar pardje

Hajri Hajredin Elezaj
pronari i kompanisë “Euro-oil” sh.a., njëkohësisht dhe anëtar i konsorciumit “US Balkan Capital Fund Inc., “Euroil sh.a.” and “NSF Partners & Vitol Group” si dhe pronari i stabilimentit të ujit “Lajthiza” me qendër në Qafë Mali të Kukësit.
Ilias Isa Fisheku administrator i kompanisë “Fisheku” sh.a.
Martin Ilias Fisheku, (djali i Ilias) ndihmës administrator i kompanisë “Fisheku” sh.a.
Bajram Isa Fisheku, (vëllai i Ilias) ndihmës administratori i kompanisë “Fisheku” sh.a
Dashamir Veiz Kasaj, specialistë dhe kontrollor i tatimpaguesve të mëdhenjtë të TVSH-së pranë Tatimeve
Edmond Kaso Ferraj, doganier vlerësues dhe fizik në doganën e Vlorës
Flamur Rexhep Merkaj administrator i një pike karburanti
Vladimir Kilo Koteci shofer
Gani Llazar Prence shofer
Reshat Hamza Aleksi magazinier
Kadri Rakip Hajredini magazinier

2 të arrestuar dje

Gazmend Serjani, shofer
Fadil Abdurrahmani, shofer

Në kërkim
1 person

SHKURT AFERA

Lidhjet politike
Të dy kompanitë kanë përdorur lidhjet politike për t’u favorizuar dhe për të arritur në këtë nivel të trafikut të naftës brenda vendit. Kompania e parë Euroil sh.a është themeluar nga Arian Tartari, burri i Albana Vokshit dhe Hajri Elezi, një biznesmen që njihet edhe si prodhues i ujit Lajthiza me fitoren e PD ai u fut dhe në tregun e naftës, kryesisht në shitje-blerjen e naftës vergine nga ARMO, në atë kohë pronë shtetërore. Është interesant fakti se Tartari bashkëjetues me Vokshin, ka qëndruar pronar i kësaj kompanie deri në vitin 2007, ndërkohë që kunata e tij Mimoza Vokshi ka qenë në atë kohë Presidente e Bordit të ARMO, pra i bie që t’i ketë shitur kunatit të vet natën vergine. Më 2007-ën, Tartari largohet, pasi lidhet me kanadezët e “Stream Oil” dhe ia shet aksionet një qytetari nga Durrësi.

Mbesa e Berishës
Detaji i dytë që afron këtë kompani me pushtetin është studioja e ekspertes kontabël që është sërish Shpresa Breçani, mbesa e kryeministrit Berisha, emri i së cilës shfaqet në gjithë kompanitë e privilegjuara nga pushteti. Nuk kemi ende ndonjë të dhënë mbi cilësinë e auditit të këtyre kompanive, por, siç veprohet rëndom, emra të tillë përdoren si imunitet ndaj kontrolleve tatimore dhe gjobave që tatimet vënë mbi bizneset. Fisheku është një kompani e njohur me bazë në Fier. Kanë qenë të lidhur me të majtën në Fier dhe kryesisht zyrtarë socialistë. Pas vitit 2005 janë afruar me njerëz të Berishës, kryesisht me një botues të një gazete të vogël proqeveritare, i cili ka shërbyer shpesh si negociator për të zbutur probleme të tyre. Epërsia e tyre në treg është rritur ndjeshëm vitin e fundit.

Reagimi i Doganës
Kur skandali i naftës vergine, u denoncua nga Dritan Prifti vjeshtën e shkuar, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymyshka, hodhi poshtë akuzat duke deklaruar se nga hetimi në dogana nuk rezulton të ketë pas trafik me naftën vergine. Gjymyshka tha se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë akuzat e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, bërë ndaj zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliçaj, për kontrabandën e naftës vergine. Kreu i Doganave e bëri këtë deklaratë në takimin ndërkombëtar të Task Forcës që përfshin policitë dhe doganat e 13 vendeve të Europës Juglindore. “Ju siguroj se për periudhën, në të cilën bëhet fjalë në materialet e servirura nga një deputet nuk është periudha që përkon. Bëhet fjalë për një periudhë tjetër”, – na ka “siguruar” drejtori i Doganave.

“Eksportet” false
Sasia e nënproduktit të naftës të quajtur “vergine” është blerë nga shoqëria e përpunimit të naftës “ARMO” sh.a dhe në mënyrë fiktive është pasqyruar me dokumentacion si e eksportuar jashtë shtetit për t’u përpunuar. Por në fakt, ajo është shitur në tregun e brendshëm duke mashtruar konsumatorin shqiptar. Llumi “vergine” faturohej sikur do të shkonte në Itali apo Libi për eksport dhe përzihej në një depozitë në Fier me naftë tjetër duke na u shitur për makinat tona. Kjo rriste në mënyrë kolosale fitimet tek biznesmenët që kanë bërë këtë krim, ndërsa kanë shkatërruar jo vetëm konkurrentët e tyre, por dhe qytetarët e zakonshëm shqiptarë. Burri i deputetes së PD Albana Vokshi ka qenë themelues i njërës prej kompanive, ndërsa mbesa e kryeministrit Sali Berisha, eksperte kontabël e saj.

Prifti, akuza Kuliçit
“Nga analiza ime kam evidentuar një kontrabandë të madhe nafte që kryhet nga vetë shteti. një person në këtë mes quhet Agron Kuliqi, ish-truproja Sali Berishës, që sot është nëndrejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Unë në momente të caktuara kam informuar edhe kryeministrin për kontrabandën e naftës, në të cilën janë përfshire edhe policia e shtetit, doganat e tatimet. Bëheshin dokumente eksporti false dhe ajo shitej ne tregun shqiptar. Kryeministri ka thënë që i ka dhënë porosi ministrit të Financave, por edhe sot nuk ka asnjë rezultat”, – ka thënë Dritan Prifti në një intervistë për “Shekulli”-n. Agron Kuliqi ka qenë për shumë vite truproja personale e Berishës dhe në vitin 2005 u rikthye në radhët e policisë, sot ka postin e nëndrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit

“Shkon shumë lart”
“Ka shumë zyrtarë të tjerë të përfshirë, që nga ish-drejtues të ARMO-s shtetërore, që nga drejtues lokalë të policisë së shtetit deri në drejtues e punonjës doganash. Rrjeti i këtij aktiviteti kriminal është shumë i madh. Ata kanë punuar me shumë kujdes dhe është shumë vështirë ta zbulosh këtë krim që i ka sjellë shtetit miliona euro dëm ekonomik dhe evazion fiskal”, – ka thënë Prifti, duke shtuar: “Shkon shumë lart, deri në nivel ministrash. Një aktivitet kaq i madh kriminal ku kanë marrë pjesë qindra shoferë, dhjetëra policë, dhjetëra punonjës doganash e tatimesh, është e pamundur të bëhet nën hundën e shtetit dhe askush mos të dijë asgjë. Njerëzit e thjeshtë kanë folur dhe flasin, kurse qeveria hesht. Heshtja tregon bashkëfajësi. Unë për pjesën time kam folur me anëtarë të qeverisë dhe po flas publikisht. Duhet të flasin dhe të tjerët”.

MINI – ANALIZË

Këto janë “eksportet e rritura” ?!

“Eksportet janë dëshmi të pastra mbi progresin e pastër industrial që po përjeton vendi”, – kështu ka pohuar kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë pak ditë më parë, duke pohuar se rritja me 424 tonë e eksporteve shqiptare, tregon më së miri edhe rritjen e punësimit, si shkak i rritjes së prodhimit. “Rritja e eksporteve vërtitet nga 7.9 në 19.9 miliardë lekë dhe është dëshmi e reformave të ecurisë së madhe ekonomike dhe luftës së suksesshme kundër korrupsionit”, tha ai.

E ka fjalën edhe për “eksportet” si këto të naftës “vergine”? Të cilat jo vetëm nuk egzistojën realisht, por ne na duhet edhe të paguajmë për rimbursimin e tyre? Mashtrimi dhe grabitja e qytetarëve është e dyfishtë. Paguajmë nga xhepi shumë shtrenjtë një naftë që nuk është naftë dhe më pas paguajmë nga taksat, edhe rimbursimin e mashtruesve. Kurse “shifrat në letra” shërbejnë për të na gënjyer nga salla e mbledhjeve të qeverisë