Diplomaci NGA ARTEMISA HOXHA, 10 Mars 2013
TIRANE – Ministria e Jashtme po përpiqet të justifikojë letrën e ambasadorit shqiptar në SHBA, Gilbert Galanxhi, për sekretarin e përgjithshëm të institucionit. Duket në fakt se një lloj xhelozie ka nisur mes Ministrisë së Jashtme dhe institucioneve të tjera, ndërkohë që marrëdhëniet mes ambasadorit dhe qeverisë pas publikimit të këtij fakti “janë të ngrira”.
“Nuk mund të themi asgjë për letrën. Këto janë punë të brendshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Nuk janë të hapura për publikun. Por duhet thënë se ka një rënie të investimeve dhe një rënie të parave për ambasadat në buxhetin e vitit 2013” thonë për Shqiptarja.com burime të Ministrisë së Jashtme që nuk duan të identifikohen.
Por diplomatë të vjetër, konfirmojnë për Shqiptarja.com faktin se ka një lloj diskordance disbursimi fondesh mes ambasadës shqiptare në SHBA dhe ambasadës shqiptare në Riad, në Arabinë Saudite. Sipas zërave diplomatikë që vijnë më së shumti nga krahu opozitar në mbrojtje të ambasadorit, thuhet se ambasada jonë në Riad merr më shumë fonde se ambasada në Uashington.
Për këtë pretendim, duket se burimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme janë më të qartë. “Një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Ndoshta kjo mund të ketë ndodhur në vlerë monetare, por duhet të kuptojmë një gjë: ambasada jonë në SHBA, Uashington, është pronë e shtetit shqiptar, ndërsa për ambasadën shqiptare në Arabinë Saudite, paguhet qira mujore dhe nuk është pronë e shtetit shqiptar”.
Sidoqë të jetë, ambasadori shqiptar në SHBA është ankuar se nuk mund të kryejë dot asnjë lloj aktiviteti me fondet që ka në dispozicion. Madje në letrën e tij të gjatë, ai pretendon se nuk ka para as për pastruese, as për shofer e as sekretar. Ambasada gjendet në pikë të hallit.
Shqetësimin shumë kohë më parë e ka ngritur gazeta Shqiptarja.com, gati një vit përpara kësaj situate. Me foto të qarta, u evidentua se në ambasadën tonë në SHBA mungonte edhe një flamur shqiptar, shenjë e dinjitetit kombëtar. Ambasada kishte një flamur të konsumuar dhe gati gati të grisur.
Raportimin për Shqiptarja.com në atë kohë (në dhjetor 2011) e bëri një gazetar nga SHBA, Peter Tase. Askush nuk e mori seriozisht këtë artikull, ndërsa evidentohej fakti se ambasada kishte nisur një rikonstruksion që nuk mbaronte. Ambasadori Galanxhi këtë fakt, e pranonte edhe në letrën e tij.
Po tu referohesh shifrave të dhëna nga ministria e Jashtme Shqiptare del një tjetër e vërtetë, që i jep të drejtë ambasadorit Galanxhi në SHBA. Investimet sipas buxhetit të Ministrisë së Financave për këtë vit, janë tre herë më të vogla në vitin 2013, sesa në vitin 2012, në periudhë krahasimore.
Ndërkohë që shpenzimet totale janë 5.5 përqind më të vogla në 2013 sesa vitin e kaluar. Zyrtarët e ministrisë së Jashtme nuk i mohojnë këto shifra. Thonë se ato janë të sakta, por shkojnë edhe më tej. Thonë se edhe vetë ministri i Jashtëm nuk shkon dot nëpër takime zyrtare sepse nuk mund të marrë dikë tjetër me vete.
“Ka ndodhur në fakt një vizitë konkrete. Bëhet fjalë për vizitën që është bërë në Athinë nga ministrat e Jashtëm dhe të Punës dhe Çështjeve Sociale. Të dy ministrat ishin në vizitë zyrtare. Ministri i Jashtëm kishte fonde sa për të marrë me vete vetëm sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme.
Ndërkohë që ministri i punës dhe Çështjeve Sociale, kishte marrë me vete një delegacion në përbërje të të cilit ishin pothuajse 7 persona dhe të gjithë me paratë e shtetit shqiptar. Ndërkohë nga Ministria e Jashtme, sekretari i Përgjithshëm duhet të ishte edhe mbajtës i protokollit të takimeve, edhe folës, edhe sqarues, por edhe pjesmarrës në debat” thonë burimet nga ministria e Punëve të Jashtme.
SITUATA
Letra e Galanxhit dalë në media duket se ka prekur majën e Ajsbergut për diplomacinë shqiptare. Çështja e mungesës së fondeve është reflektuar në këtë përfaqësi diplomatike edhe në sitin e vet zyrtar, i cili duhet të jetë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, për këdo që kërkon të kontaktojë ambasadën tonë në Uashington.
Por ç’ndodh? Nëse e hap faqen zyrtare vëren se lajmi i fundit i futur në këtë site të ambasadës daton në vitin 2011, ndërkohë që fotot e fundit janë ato të kryeministrit Sali Berisha në shtatorin e vitit 2011 në ambasadë. Në pamje të parë duket se ambasada nuk ka pasur asnjë aktivitet tjetër përgjatë gjithë këtyre viteve.
Në një vëzhgim të kësaj faqe duket qartë se askush nuk ka vënë dorë në të që prej datës 26 nëntor 2011, datë kjo në të cilën është publikuar lajmi i fundit i ambasadës sonë që ka të bëjë pikërisht me një ceremoni dekorimi për Hysen Biberajn.
Por në faqen online ekziston data 3 mars 2011. Fotot e fundit që janë publikuar në galerinë e kësaj faqe janë pikërisht të vizitës së Berishës në Uashington ku është takuar dhe me ambasadorin Gilbert Galanxhi në 20 shtator 2011.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.03.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)