28.05.2011
Kontratat “elektorale”
Pas 8 majit, 370 punonjësve u kërkohet që të largohen nga puna
Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 8 majit, ku ka mbetur i pashpallur vetëm rezultati për Tiranën, por gjithçka që ka dalë nga kutitë e votimit është e ditur për publikun, nisin e dalin pazaret dhe merkatoja që është bërë me administratën publike në shkëmbim të favoreve elektorale. Gazeta “Shqip” ka siguruar të dhëna dhe dokumente zyrtare të një skandali që ka ndodhur në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku janë punësuar njerëz me kontrata dy dhe tremujore që nga shkurti deri në mesin e muajit maj.
Konkretisht në një ndërmarrje shtetërore, siç është QSUT “Nënë Tereza”, në kohën e fushatës zgjedhore janë krijuar struktura paralele teknike artificiale, të cilat bien ndesh me strukturat ekzistuese. Konkretisht, sektori aktual teknik është dubluar me krijimin e një grupi të hidraulikëve të specializuar, ndërkohë që në vend të repartit të urgjencës dhe mirëmbajtjes është krijuar strukturë paralele si dega teknike e ndërhyrjeve apo e investimeve.
Shkresa e shkurtit
Gjithçka ka zanafillën në muajin shkurt të këtij viti, ku me një shkresë të firmosur nga drejtori i përgjithshëm i QSUT-së “Nënë Tereza”, Saimir Ivziku, u bëhet e ditur 370 punonjësve të këtij institucioni se do të rishikohen marrëdhëniet e tyre të punës. Konkretisht, në këtë shkresë theksohet: “Organet drejtuese të QSUT-së po marrin në konsideratë rishikimin e marrëdhënieve të punës me ju në kuadër të riorganizimit të strukturës së QSUT-së. Për këtë shkak jeni të lutur që të paraqiteni pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe Edukimit në vazhdim brenda datës 15.02.2011, me qëllim për të diskutuar mbi arsyet që kanë çuar drejt këtij ndryshimi”.
Përplasja
Por shkresës nuk i është bindur asnjë punonjës i administratës së QSUT-së, të cilët e kanë ditur që porsa të paraqiteshin pranë zyrës së burimeve njerëzore do t’u komunikohej largimi nga puna. Pas kësaj ngjarje është zhvilluar një takim i madh i administratës së QSUT-së “Nënë Tereza”, e cila në këtë periudhë ishte shtuar shumë në numër. Aq i madh ka qenë numri, sa mbledhja nuk është zhvilluar në sallën e mbledhjeve të institucionit, por në kaldajën e qendrës spitalore universitare.
Në këtë mbledhje punonjësve që kishin të lidhur marrëdhënie financiare të gjatë, iu bë e ditur se tani e tutje do të punonin jo më me kohëzgjatje pa mbarim, por me kontrata gjashtëmujore, tremujore dhe dymujore. Në fakt kjo situatë ka zgjatur deri më datën 10 maj, kur punonjësve të këtij institucioni u është bërë e ditur përfundimi i kontratës së punës me drejtorinë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Në numrat e ardhshëm, gazeta “Shqip” do të publikojë shkresat e tjera që posedon në lidhje me sjelljen e drejtorisë së institucionit ndaj punonjësve të tyre.
Në argumentimin ligjor të vendimeve të saj, drejtoria e QSUT-së e ka mbështetur në Kodin e Punës, si dhe në një vendim të Këshillit të Ministrave për punonjësit që paguhen jashtë numrit të punonjësve buxhetorë të miratuar nga ministritë dhe institucionet buxhetore. Aktualisht çështja ka kaluar në një konflikt civil mes punonjësve dhe drejtorisë. Punonjësit e quajnë të padrejtë largimin nga puna, duke u mbështetur te krijimi i strukturave paralele, pra realisht ndërmarrja nuk ka kryer as shkurtime apo largime profesionale. E gjitha kjo odise ka ndodhur që nga fillimi i këtij viti dhe ka përfunduar më datë 10 maj. Konkretisht, dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 8 majit.







