Skandali i përgjimeve

0
82

Nga Anila Basha

Gjithçka ndodhi me gjiganden mediatike News of the World e me News International Corporation po trondit botën. Skandali më i madh i gazetarisë së këtij shekulli, po kryqëzon jo vetëm Murdokun, por gjithë stafin e gazetarëve që kanë punuar në këtë kompani dhe për vite me radhë kanë përgjuar jetët e njerëzve.

E ndërsa gjithë bota demokratike po shkon deri në këtë shkallë të kryqëzimit të gazetarëve, Shqipëria vuan nga mungesa e theksuar e saj, ku mungesa e reagimit të qytetarëve të vret më shumë sesa përgjimet e zyrtarëve.

Dua të kujtoj të paktën tri rastet e fundit, të cilat kaluan thjesht si lajme mediatike, pa asnjë lloj impakti dhe reagimi nga asnjë institucion.

Patjetër që parlamenti shqiptar nuk do të mund të kryqëzonte dot kryebashkiakun e sotëm Lulzim Basha, i cili kishte në dorën e vet të gjitha të dhënat për të gjithë qytetarët e Tiranës. Parlamentarët shqiptarë nuk mund të thërrisnin ish ministrin e Brendshëm në një seancë të jashtëzakonshme dëgjimore, për t’i kërkuar llogari për përdhunimin e jetës së gjithkujt me të cilin ai kontaktonte pa lejen e secilit qytetar. Nuk mbajti përgjegjësi, asnjë nga operatorët e telefonisë celulare, sepse, nuk mund të dalin kundër kryetarit të bashkisë.

Ndaj dhe Basha qetësisht u dërgonte mesazhe për ditëlindje, mesazhe për përvjetorët e martesës, mesazhe edhe për lindjen e kalamajve, duke mos harruar t’u kujtonte se ata vetë dhe fëmijët e tyre duhet të votonin për të në datën 8 maj. E ironia e gjithë kësaj maskarade përgjimi të jetës së gjithsecilit nuk mbaron vetëm këtu.

Gazetari Arben Rrozhani, me një dëshmi të qartë në Gazetën Shekulli, dy tri ditë më parë, na jep një tjetër fakt rrëqethës. Ai ka në dorë një usb, që e ka instaluar në kompjuterin e vet, dhe ka të dhënat e gjithsecilit prej nesh, të miat, të tuat dhe të mbi tre milionë shqiptarëve të këtij vendi. Ironike apo jo. Një usb që vërdalliset sa nga një kompjuter në një tjetër për të nxjerrë prej andej të dhënat personale të gjithsecilit.

Këtë skandal përgjimi masiv, e kemi dhuratë nga kryetari aktual i Bashkisë Lulzim Basha. Padyshim, nuk i ka vetëm gazetari Rrozhani këto të dhëna ma merr mendja. Duhet t’i kenë dhe afro 600-700 vetë, pjesë e shtabit elektoral të kryetarit të bashkisë, të cilët shpërndanin mesazhet në emër të tij. Na dinë datën e lindjes, na dinë edhe shtëpitë ku banojmë. Na njohin me rrënjë e me dhëmballë, madje edhe ç’lloj pune bëjmë e çfarë familjesh kemi. Nëse bota ka overdozë demokracie, në Shqipëri kemi overdozë lirie deri në shpërdorim, po askush nuk na mbron. As nuk guxojmë të hapim gojën, edhe pse bota ku duhet të integrohemi, e ka kthyer këtë në kryefjalën e lirisë së vet.

Po nuk ishte vetëm ky rast. Kemi rastin e gjyqtarëve të kolegjit zgjedhor. U përgjuan deri në fund. Ligjërisht. Me vendime të Gardës së Republikës, në varësi të ish ministrit të brendshëm e kryetarit aktual të bashkisë dhe te kryeministrit. Shteti e dinte se ku ata shkonin, sa orë gjumë flinin, çlloj makinave u hipnin, sa njerëz takonin. Bodigardët, e kishin detyrë parësore, të mbronin lirinë e disa gjyqtarëve, liri, që nuk ua kishte cënuar kush.

Në mënyrën më barbare u përgjua vota e presidentit të Republikës. Një përgjim skandaloz, për të cilën përgjegjësia e parë duhet të bjerë mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Po çfarë ndodhi? Asgjë. Njerëzve përveçse ua vodhën votën, i përgjuan deri në atë farë mase, sa edhe regjimi represiv i Sigurimit të Shtetit të kohës së Hoxhës do t’i kishte zili.

Kemi parë kështu tre zyrtarë të lartë të shtetit që na përgjuan sa deshën dhe kur deshën. E kanë emrin: Lulzim Basha, Sali Berisha e Arben Ristani. Por asnjëri prej tyre nuk e ka emrin Rupert Murdoch, ndaj nuk e konsiderojnë të nevojshme t’u kërkojnë falje qytetarëve shqiptarë, nga më i pari i këtij vendi, deri tek fëmija që sapo lindi në maternitet për veprën e tyre të përgjimit.