Skandali i kartave dhe serioziteti i qeverisë

0
93

Faktori Plus

Nga “Faktori Plus

Qeveria shqiptare po kërkon të bëjë propagandë në vend të që të plotësojë detyrimet që ajo ka përballë shtetasve shqiptarë lidhur me dokumentet e identitetit. Nesër në Kuvendin e Shqipërisë, shumica parlamentare do të paraqesë dhe do të miratojë një projektrezolutë, e cila mbështet punën e qeverisë për liberalizimin e vizave. Propozimi, i cili i ngjan më shumë një provokimi ndaj opozitës se sa një nisme që vlen për diçka tjetër, në të vërtetë nuk qëndron as politikisht dhe as teknikisht. Propozimi nuk qëndron politikisht, pasi në kushtet e plotësimit të standardeve për vizat bëjnë pjesë dhe funksionimi i demokracisë dhe të drejtat e njeriut, që kjo qeveri po i shkel me të dy këmbët, duke ndërtuar një shtet klasor dhe duke çuar në ekstrem krizën me opozitën. Por kjo është njëra anë e medaljes.

Skandali më i madh është se kjo qeveri nuk është në rregull as me kushtet teknike. Faktori Plus do t’u paraqesë pas pak një raport investigativ, mbi gabimet që kanë Kartat e Identitetit, në mënyrën se si është llogaritur Numri i Identitetit që gjendet në secilën Kartë dhe që është i eksportuar edhe në pasaportën e re biometrike, dokumenti ynë i sigurisë për të marrë vizat në BE. Mijëra nga këto pasaporta janë printuar me numër identiteti të llogaritur gabim. Madje skandali është se gabimi nuk është statistikor, pra nuk vjen nga ndonjë ligësi, por është i ç’rregullt dhe vjen nga papërgjegjësia. Faktor plus ka hetuar dy dokumente, dokumentet e mia dhe të të ftuarit tim në studio, Ilir Beqja. Njëri i ka në rregull, tjetri i ka gabim. Të gjitha formulat e llogaritjes janë publike dhe zyrtare, miratuar nga vetë qeveria shqiptare. Pasaporta ime dhe e Ilir Beqjes është po ashtu publike dhe mund të verifikohet. Atëherë lind pyetja kush është përgjegjës për këtë gabim në dokumentet tona të sigurisë së lartë?

Natyrisht, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha këtu është para një skandali, që buron në mënyrë spontane nga papërgjegjësia me të cilën ai bën çdo punë që i ngarkohet. Por në këtë rast, ai ka hedhur në erë, jo vetëm sigurinë e dokumenteve të identifikimit, por dhe një nga kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për liberalizimin e vizave në aspektin teknik, dhe që është siguria e dokumenteve. Qeveria shqiptare, e cila po lavdërohet se ka rritur numrin e pasaportave të printuara, dhe kartave të identitetit, duhet të rikthehet pas dhe të rimbledhë gjithë pasaportat dhe kartat e identitetit të prodhuara gabim, ti asgjësojë ato dhe t’u japë falas qytetarëve që ua ka printuar gabim dokumentet e reja.

Nuk presim të kërkojë as ndjesë, por natyrisht nuk do të presim të na akuzojnë se po pengojmë liberalizimin e vizave. Faktor Plus i vë publikisht në dispozicion Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, dy kartat e identitetit që do të demonstrojmë në studio dhe ajo të nisë hetimin, duke pranuar që para drejtësisë të shkojmë ose ne si gazetarë ose Ministri Basha. Skandali është se qeveria në vend që të merret seriozisht me këto çështje, harxhon kohën të provokojë opozitën, lidhur me vonesën që ajo vetë u ka shkaktuar shqiptarëve për të lëvizur të lirë si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit.

—-

Skandali me kartat, numri i identitetit gabim fut sistemin në kaos

Nga “Faktori Plus

Numri i Identitetit, qe është elementi reformues në Kartat e identitetit të prodhuara së fundmi, rrezikon që në mijëra shtetas shqiptarë të jetë llogaritur gabim, sipas formulës, që ka miratuar qeveria shqiptare dhe kjo mund të na ccoje në një kaos të vërtetë me dokumentet e reja të identifikimit. Emisioni “Faktor Plus” ka investiguar mënyrën, sesi ndërtohet një numër identiteti, që gjendet ne letërnjoftimin elektronik dhe e ka krahasuar atë me shembuj konkretë. Përfundimi rezulton tronditës. Shumë qytetarë e kanë të llogaritur gabim numrin e identitetit. Nëse kjo do të ishte për të gjithë, do të qe më mirë, pasi do të bëhej fjalë për një gabim sistematik, që mund të cconte më lehtë në ndryshimin e ligjit. Kjo që ka ndodhur mund të hedhë në erë të gjithë sigurinë e Kartave të Identitetit.

Për ta kuptuar më mirë këtë situatë, Faktor Plus ka marrë dy Karta Identiteti, atë të drejtuesit të emisionit, Mero Baze, dhe Kartën e Identitetit të deputetit të opozitës Ilir Beqja, një njohës shumë i mirë i problemit.

Rezultati është shokues. Mero Baze e ka të llogaritur numrin e identitetit në rregull, ndërsa Ilir Beqja gabim.

Faktor Plus përpiqet të demonstrojë këtë.

Le të fillojmë me Kartën e Identitetit të shtetasit Ilir Beqja.

Në Regjistrin Elektronik Kombëtar të shtetasve, Ilir Beqja, i gjinisë mashkullore dhe i datëlindjes 18.02.1968 njihet si G80218157A. Ky është pra Numri i tij, i Identitetit. Ky numër shërben që Ilir Beqja të identifikohet në Regjistrin Kombëtar të shtetasve, pra të dallohet midis të tjerëve, por edhe të autentifikohet, me fjalë të tjera, asnjë person tjetër nuk mund të mbajë të njëjtin numër me shtetasin Ilir Beqja.

Numri i identifikimit të shqiptarëve, ka 10 elementë dhe ashtu si edhe të ngjashmit në vende të tjera, elementin e fundit, e ka element kontrolli.

Elementi i kontrollit shërben, që gjatë regjistrimit të numrit në sisteme të ndryshme informatike, të mos ndodhin gabime nga leximi apo shkrimi. Kur ndodh ndonjë gabim i tillë, algoritmi i kontrollit, sinjalizon, që numri i regjistruar nuk është i saktë. Kjo në kuptimin, që gjatë leximit nga mbajtësi, dëgjimit nga punonjësi apo shkrimi gabim po nga punonjësi, duhet të ketë ndodhur ndonjë anomali. Korrigjimi i gabimit siguron, që në çdo sistem të ardhshëm, NID, apo numri i identifikimit, të jetë regjistruar saktë.

Numri i identitetit të shtetasve formohet nga informacioni, që vjen nga ditëlindja dhe gjinia. Këto dy të dhëna formojnë 6 elementët e parë. Elementët 7 deri në 9, janë një sekuencë 3 – shifrore, që përcaktohet sipas radhës, që regjistrohen në sistem, persona të lindur në të njëjtën ditë. Elementi i 10-të, është element kontrolli i llogaritur, sipas një algoritmi me modul 23. Në vijim të këtij shënimi, do të shtjellojmë më tej këtë algoritëm.

Mënyra e plotë dhe e saktë, që përcakton, sesi gjenerohet një numër identiteti, është e përcaktuar në aneksin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr 827, datë 11 dhjetor 2003.

Le të përpiqemi të rigjenerojmë numrin e identitetit të shtetasit Ilir Beqja, duke ndihmuar kështu çdo personi, që kërkon të përsërisë të njëjtin ushtrim për numrin e tij personal.

Ditëlindja është në formatin (dd.mm.vvvv) është 18.02.1968.

Dy shifrat e fundit të vitit të lindjes, pra 68, bëhen G8 sipas tabelës 1 dhe formojnë elementin e parë e të dytë.

Muaji i lindjes është 02 dhe kështu formohen elementi i tretë dhe i katërt. Por nëse gjinia e shtetasit Ilir Beqja, do të ishte femërore, muajit të lindjes, duhet t’i shtohet 50, thënë ndryshe, nëse do të ishte femër, elementi i tretë dhe i katërt, do të ishin 52 (50 + 02).

Data e lindjes është 18 dhe kështu formohen elementi i pestë dhe i gjashtë.

Pra, 6 elementët e parë të numrit te shtetasit Ilir Beqja, janë G 8 0 2 1 8.

Elementët 7 – 9, janë 157 dhe ky numër, duhet të jetë gjeneruar në momentin e regjistrimit të të dhënave vetjake, në Drejtorinë e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Kështu 9 elementët e para të NID-it të zotit Beqja janë G 8 0 2 1 8 1 5 7.

Karakteri i kontrollit me modul 23, llogaritet si më poshtë:

Elementi i parë konvertohet me numrin e pozicionit të shkronjës, sipas tabelës 2 (kjo tabelë nuk është gjë tjetër veçse radha e shkronjave A – Ë në alfabetin anglez):

Numrat e elementëve 2 deri në 9 shumëzohen me numrin, që tregon pozicionin e elementit. Kështu, numri aktual në elementin 2, shumëzohet me 2, numri aktual në elementin 3 shumëzohet me 3, numri aktual në elementin 4 shumëzohet me 4, etj.

Rezultatet e nxjerra nga veprimet e parashikuara në pikën 1 dhe 2 mblidhen.

Shuma e 9 numrave të rreshtit të fundit të tabelës së mësipërme është 194. Ky numër pjesëtohet me numrin 23, prandaj edhe algoritmi i kontrollit quhet modul 23. 23 është numër prim, thënë ndryshe numër që plotpjesëtohet vetëm me veten e tij.

Pas pjesëtimit, merret mbetja, e cila lëviz në intervalin 0 – 22. Kushdo e ka të lehtë të llogarisë, që rezultati i 194 : 23 është, herësi 8 dhe mbetja 10. Pikërisht mbetja 10 konvertohet në germë, sipas tabelës, që përdorëm më lart, për të konvertuar edhe shkronjën G në numër 7. Pra mbetja 10 konvertohet J.

Sipas përcaktimeve të VKM Nr. 827, numri i identitetit i shtetasit, Ilir Beqja, duhet të jetë G80218157J. Në fakt numri, që ai disponon është G80218157A. Shihet qartë, që elementi i kontrollit, është llogaritur gabim.

Le të marrim numrin e identitetit të shtetasit Mero Baze, drejtues i emisionit Faktori Plus.

Për të mos përsëritur të gjithë veprimet e kryera me kartën e Ilir Beqjes, numri i identitetit të Mero Bazes, sipas llogaritjes del G60507117U.

Ky në fakt është dhe numri i tij real.

Saktësia e numrit në Kartën e shtetasit, Mero Baze dhe pasaktësia e numrit në Kartën e shtetasit Ilir Beqja, hap një problem të madh, pasi ky nuk është një gabim sistematik, por një gabim i rastësishëm, që përsëritet pa kurrfarë rregulli, në qindra-mijëra karta. Ky gabim mund të ketë ardhur nga kopjimi i Kodit fiskal, leximi gabim i tij, apo dëgjimi gabim.

Ministri I Brendshëm, Lulzim Basha, duhet të japë një shpjegim zyrtar për këtë çështje, e cila mund të hedhë në erë gjithë sigurinë e Kartave të Identitetit, me të cilën, shpresojmë të fitojmë liberalizimin e vizave në korrik. Faktor Plus është i gatshëm t’i vërë në dispozicion të dyja kartat e marra si shembull, përfshi edhe formulën, me anë të së cilës, llogaritet numri i identitetit. Problemi është, që ai të japë një përgjigje për atë që ndodh me numrat e identitetit të shqiptarëve. Ky skandal shkel legjislacionin në fuqi dhe shkatërron gjithë sigurinë e Kartave të identitetit, pasi ky numër është edhe në pasaportat biometrike.

Ndërkohë Ministri për reformën Institucionale, Genc Pollo, duhet të bëjë kujdes, që ky gabim të korrigjohet, duke rikthyer kartat e llogaritura gabim dhe duke marrë shteti përsipër koston e tyre. Hartuesit e sistemeve të ndryshme të informacionit, do të bazohen në VKM Nr. 827 dhe nuk është faji i këtyre profesionistëve, kur t’u thonë qytetareve që kartat e tyre janë gabim. Kjo mund të ketë pasoja të rënda për qytetarët, pasi mund t’i bllokojë marrëdhëniet e tyre me institucionet.

Për fat të keq, numri i identitetit, nuk po fillon të përdoret në jetën e përditshme.

Numri i identitetit deri tani u është dhënë vetëm shtetasve, që janë pajisur me kartë, pra kujtdo që ka mbushur moshën 16 vjeç, e për pasojë, të sapolindurit në Shqipërinë e vitit 2010, ende nuk janë qytetarë modernë. Nuk marrin ende barnat falas deri në 12 muajt e parë të jetës, duke u identifikuar me NID e tyre, nuk regjistrohen ende në amzën e shkollës me NID e tyre, etj.

Por e keqja më e madhe është se dhe ata që e kanë, disa e disponojnë në rregull dhe të tjerë gabim. Qeveria shqiptare, duhet të japë një përgjigje urgjente për këtë skandal dhe duhet të bëje publike të gjithë kartat e identitetit, që janë gabim duke marrë përsipër koston e ribërjes së tyre dhe pasaportave biometrike, që janë prodhuar me atë numër gabim. Shqipëria ne moshën dixhitale, është një ëndërr e bukur, por teknika dixhitale, është e vështirë, kur nuk merret seriozisht, pasi nxjerr në dritë të diellit, paaftësinë dhe skandalet e një pushteti.