TemA, 16 Korrik 2012
Kryebashkiaku Lulzim Basha do të blejë për 500 mijë dollarë diçka që ekziston, një sistem që është në punë. Është një shpërdorim i tmerrshëm i parave të qytetarëve shqiptarë, por ajo që të trondit më shumë është se ne kemi në krye të bashkisë një njeri që nuk merr kurrë guxim të dalë e të flasë për këto skandale.
Prej muajsh është zhdukur nga media dhe del rrallë, kur ka vetëm një kamera të porositur nga pas. Është raportuar se shumë pak qëndron në Shqipëri, natyrisht jashtëzakonisht pak kohë e kalon në zyrë. Kur përzihet në skandale, del Berisha dhe e mbron. Nuk ka thënë asgjë për shkatërrimin e Parkut Kombëtar, por ka Berishën që e mbron.
Skandali i blerjes së sistemit GIS nga Bashkia është flagrant dhe lehtësisht i verifikueshëm.
Deputeti i PS, Eduard Shalsi, shpjegoi sot përpara mediave këtë skandal.
“Është një mashtrim i madh dhe një tentativë zhvatjeje e pashembullt e qytetarëve të Tiranës. Kërkohet të blihet një sistem GIS (Geografic Information System ) që është tashmë në Bashkinë e Tiranës dhe për të cilin janë shpenzuar njëherë para dhe madje shumë më pak,” tha Shalsi, që publikoi njoftimin për tender të Bashkisë së Tiranës për këtë qëllim.
Shalsi tha se për më tepër, ky sistem ka kushtuar 30 mijë dollarë, kurse Basha do e blejë me 500 mijë dollarë.
“Komponentët e një sistemi GIS janë:
1. Software (Programi) – (i blerë me rreth 30 000 USD që në vitin 2005)
2. Hardware (Pajisjet kompiuterike)
3. Të dhënat (data)
4. Aplikacionet
5. Burimet Njerëzore
Në vitin 2005, me një financim të qeverisë hollandeze dhe duke iu nënshtruar procedurave të Bankës Botërore u arrit që të blihet një program GIS dhe të kompletohet i gjithë sistemi me të gjithë komponentët e mësipërm, deri në 2008. Iu shtuan edhe atribute të reja dhe u bë i aksesueshëm për disa aplikime falë një financimi të GTZ.
Sot kërkohet të blihet me rreth 500.000 USD (duke përfshirë edhe vlerën e TVSH) vetëm një program, që ka kushtuar rreth 30.000 USD!!! Sepse, gjithçka tjetër kërkohet gjendet në Bashkinë e Tiranës,” tha Shalsi.
“Edhe funksionet bazë të aplikimeve në ËEB gjenden tashmë dhe janë lehtësisht të verifikueshme në http://95.107.174.195/tiranagis/map.phtml që i përket Bashkisë së Tiranës edhe sot e kësaj dite. Kjo është prova që ky sistem ekziston.
Në muajin qershor Lulzim Basha deklaroi dhe prezantoi Planin Rregullues të Tiranës packa se askush nuk ka parë dhe nuk di asgjë se çfarë është bërë, pasi asnjë gjë nuk është publikuar deri më tani. Sipas të gjitha gjasave ajo që po ndodh është fakti që personat që janë marrë me Planin Rregullues të Tiranës, në shkelje flagrante të ligjit, kërkojnë të paguhen tashmë dhe sajuan blerjen e sistemit GIS. Mënyra e llogaritjes së fondit limit të tenderit përbën një skandal së bashku me specifikimet teknike të përcaktuara dhe të shpallura. Gjithashtu edhe mënyra e vlerësimit të tregut si një kërkesë e zhvillimit të tenderit, nuk është bërë konform ligjit”, theksoi Shalsi.
Tenderi i njoftuar nga Bashkia e Tiranës si më poshtë:
FORMULARI I NJOFTIMIT TE KONTRATES
1. Autoriteti Kontraktor: Bashkia Tiranë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tel/Fax: 04 256 799, E-mail: prokurimet@tirana.gov.al; adresa e Internetit: www.tirana.gov.al;
2. Lloji i procedurës së prokurimit: “Procedurë e Hapur”
3. Objekti i prokurimit: “Blerje dhe instalim i Sistemit Gis (Sisteme të Informacionit gjeografik) në funksion të Planit të Përgjithshëm Vendor”
4. Fondi limit: 42.500.000 (dyzet e dy milion e pesëqind mijë) lekë pa TVSH.
5. Afati i lëvrimit të mallit: Koha në të cilën sistemi duhet të jetë gati për funksionimin me të gjithë komponentët është 30 (tridhjetë) ditë nga data e lidhjes së kontratës