Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Qeveria shqiptare nuk është ftuar të marrë pjesë sot në Pragë në takimin me Presidentin Obama, i cili do të takohet me përfaqësuesit e 11 vendeve ish-komuniste që sot janë pjesë e NATO-s. Mungesa e Shqipërisë është e pashpjegueshme dhe ka ngjallur dyshime lidhur me raportet që ekzistojnë mes nesh dhe aleancës perëndimore.
Shtypi i sotëm, i cili është marrë me këtë çështje, e shikon atë si një karton të kuq nga presidenti Obama për Shqipërinë. Ambasada e SHBA në Tiranë në një deklaratë për shtyp është përpjekur të mos japë shpjegime politike për mungesën e Shqipërisë, ndërsa qeveria ka heshtur.
Burime nga Ministria e jashtme bëjnë të ditur se zëvendëskryeministri, Ilir Meta, u angazhua për një kohë të gjatë të siguronte pjesëmarrjen e Shqipërisë në darkën e sotme, por dështoi. Arsyet përse vendi ynë mund të jetë lënë jashtë me vetëdije nga protokolli janë disa.
Së pari, mund të jetë karshillëku që qeveria shqiptare i ka bërë NATO-s disa ditë më parë me ligjin antiperëndimor të Shërbimit Informativ, i cili ishte një sinjal i gabuar për partnerët perëndimorë. Ai sinjal detyroi ambasadorin amerikan të dalë në konferencë për shtyp dhe të akuzojë qeverinë për një ligj të gabuar. Po ashtu, zyra e NATO-s i kërkoi parlamentit të tërhiqte projektligjin. Me gjithë arrogancë në dukje, Berisha u tërhoq, por me sa duket shija e hidhur mund të ketë mbetur.
Një arsye e dytë mund të jetë dhe klima politike. Duke parë qëndrimin refraktar të qeverisë ndaj krizës, qeveritë perëndimore nuk duan të japin sinjale mbështetje për të, pa dhënë prova se ka vullnet të zgjidhë krizën politike.
Mund të jenë dhe arsye të tjera diplomatike që ne ende nuk mund t’i deshifrojmë. Por nëse i injrojmë të gjitha këto pista, do të ishte e mjaftueshme vetëm fakti që na injorojnë për të qenë pjesëmarrës në një takim të tillë historik, për t’u ndjerë fajtorë për qeverinë që kemi.
Asnjë argument gjeografik apo gjeopolitik nuk shkon pasi në këtë takim merr pjesë Kroacia, një vend që ka hyrë në NATO në një ditë me ne dhe jemi në një pozicion gjeografik. I vetmi ndryshim është sjellja perëndimore e Kroacisë dhe sjellja antiperëndimore e Shqipërisë. Dhe mbi te gjitha fakti që nuk dimë të jemi serioz as si vend partner me Perëndimin.