Situata politike në Shqipëri nga BBC, DW dhe Zëri i Amerikës

0
47

Shekulli, 20.05.2010

Më poshte jane kronikat e tre mediave nderkombetare me dege ne gjuhen shqipe, BBC-se, radios gjermane Dojçe Vele dhe Zerit te Amerikes (VOA) – lidhur me takimin e pritshem ne Strasburg dhe situaten politike ne Shqiperi.

BBC: BE ndërmjetëson në Strasburg për krizën politike shqiptare

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryetari i PS të opozitës Edi Rama janë në Strasburg ku pas disa orësh në praninë e përfaqësuesve më të lartë të majtës dhe të djathtës evropiane dhe të Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule nisin bisedimet për gjetjen e gjuhës së përbashkët në kapërcimin e krizës politike që ka mbërthyer vendin që pas zgjedhjeve të dhjetë muajve më parë.

Takimi i tyre ne Strasburg vjen pasi deputetët dhe përkrahësit e Partisë Socialiste të opozitës në Shqipëri përfunduan pas 19 ditësh grevën e tyre të urisë pasi udhëheqësit politikë ranë dakord të mbajnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së për t’i dhënë fund krizës politike.

Më herët, kreu i partisë Socialiste Edi Rama tha se socialistët dhe përfaqësues nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha do të takohen të enjten në Strasburg në negociata ku pritet të marrë pjesë edhe Komisioneri Evropian për Zgjerimin Stefan Fule.

“Në Strasburg përfaqësuesit më të lartë të së majtës dhe të djathtës evropiane, me mbështetjen e të gjithë komunitetit ndërkombëtar, presin në tryezë të dyja palët për të kërkuar zgjidhjen dhe për t’i hapur rrugën jo vetëm transparencës, por edhe sfidave të integrimit,” tha zoti Rama.

Socialistët e opozitës kanë disa muaj që protestojnë duke kërkuar transparencën e zgjedhjeve parlamentare, dhe protesta e tyre arriti kulmin kur 21 deputetë socialistë dhe 180 mbështetës të tyre filluan një grevë urie para zyrave të kryeministrit Berisha në Tiranë.

Udhëheqësi socialist paralajmëroi se fundi i grevës nuk do të thotë se ata do të ndalin përpjekjet e tyre për të arritur zgjidhjen e krizës politike.

“Ky nuk është fundi i betejës, por një moment i rëndësishëm dhe pa asnjë dyshim i vlefshëm për të ardhmen,” tha zoti Rama.

DW: Berisha dhe Rama në tryezën e bisedimeve – gjithësesi jo në Tiranë, por në Strasburg

Pas ndërmjetësimit të BE-së kryeministri Berisha dhe lideri i opozitës Rama ranë dakord për bisedime. Ky zhvillim solli mbrëmë edhe ndërprerjen e grevës së urisë të deputetëve socialistë dhe të mbështetësve të tyre.

“Është ora e një shansi të ri, është një ditë e mbarë, ” – tha kryetari i PS-së dhe lideri i opozitës, Edi Rama, duke bërë të ditur mbrëmë (19.05) ndërprerjen e grevës së urisë.

Zyrtarët e Parlamentit Evropian konfirumuan se takimi Rama-Berisha, do të zhvillohet sot në mbrëmje (20.05) në Strasburg.

Në takim, i cili nuk është pjesë e aktiviteteve zyrtare të Parlamentit Evropian do të marrë pjesë Komisari për zgjerimin i BE-së, Stefan Füle, kryetarët e grupeve parlamentare të Parlamentit Evropian, ai i partive socialdemokrate Martin Schulz dhe ai i atyre popullore Joseph Daul.

Takimi nuk dihet sa do të zgjasë “mbase gjithë natën” – tha për DW Armin Machmer punonjës i zyrës së shtypit të Martin Schulz.

Machmer theksoi se bisedimet do të jenë të vështira, por megjithatë shpresa për kompromis mbetet e madhe për të gjitha palët pjesëmarrëse. Rezultatet priten dikur nga mëngjesi i ditës së nesërme.

Burime konfidenciale nga kryeministria dhe selia e PS-së bëjnë të ditur për DW se kryetari i Grupit të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daule, dhe kryetari i Grupit Parlamentar Socialist në Parlamentin Evropian, Martin Schultz, paralajmëruan dje me anë të një letre dërguar të dyja palëve në konflikt, se “do të ndërpritet procesi i anëtarësimit evropian të Shqipërisë deri në kohën, kur do të gjendet një zgjidhje e ndershme për krizën politike.” Në këtë letër Daule dhe Schultz kërkonin ndërprerjen e menjëhershme të protestave dhe të grevës së urisë.

Kjo grevë shënoi kulmin e protestave të opozitës për të detyruar qeverinë të bëjë transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit të kaluar përmes hapjes së kutive të votimit. 22 deputetë socialistë dhe 180 mbështetës të tyre qëndruan në grevë urie për 19 ditë në çadrat e vendosura përballë kryeministrisë.

VOA: Shqipëri, deputetët socialistë dhe përkrahësit e tyre ndërpresin grevën; Berisha, Rama sot në Strasburg

Në Shqiperi, deputetët socialistë dhe përkrahësit e tyre ndërprenë pas 19 ditësh grevën e tyre të urisë, pas njoftimit se kryeministri Sali Berisha dhe kryetari socialist Edi Rama janë thirrur për të zhvilluar bisedime sot në mbrëmje, me ndërmjetësimin e krerëve të grupeve të djathta dhe të majta të parlamenrtit europian. Presidenti i partisë popullore Europiane, grupimi i së djathtës, Joseph Dual dhe kreu i Partise socialiste demokratike, grupimi i së majtës Martin Schulz i dërguan gjatë ditës se djeshme një letër dy përfaqësuesve kryesorë të politikës shqiptare në të cilën ata paralajmëronin se do të ishte më mirë ndërprerja e procesit të integrimit të Shqipërisë derisa të gjendej zgjidhja sesa Komisioni europian të jepte një vlerësim negativ.

Kryetari i Parisë Socialiste, Edi Rama, u bëri thirrje deputetëve socialistë dhe mbështetësve të tyre që t’i jepnin fund grevës së urisë, duke njoftuar se së bashku me Kryeministrin Sali Berisha ishin ftuar në Strasburg për të hapur dialogun për gjetjen e një zgjidhjeje. Zoti Rama tha para përkrahësve të tij që brohorisnin se sot përfaqësuesit më të lartë të së djathtës dhe të majtës evropiane me mbështetjen e gjithë komunitetit ndërkombëtar presin në tryezën e bisedimeve të dyja palët shqiptare. Ai deklaroi qëndrimin e Partisë Socialiste dhe të përkrahësve të tij për t’i dhënë zgjidhje krizës në vend, madje shfaqi shpresën që edhe pala tjetër të bëjë të njëjtën gjë.

Por në të vërtetë ndërprerja e grevës ishte një prej kërkesave të ftesës për të ulur në të njëjtën tryezë larg trysnisë së protestave dy përfaqësuesit më të lartë të politikës shqiptare, ftesë që u bë dje me anë të një letre të firmosur bashkërisht nga Kryetari i grupimit të djathtë në Parlamentin Evropian, Joseph Dual, dhe homologu i tij i grupit të majtë, Martin Schulz. Në letër shprehej shqetësimi për mungesën e çdo shenjë për një zgjidhje si dhe ndikimin e kësaj situate në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Drejtuesit e dy grupimeve më të mëdha në Parlamentin Evropian shkojnë deri aty sa të shprehen se do të preferonin të kërkonin bashkarisht pezullimin e procesit të antarësimit deri sa të arrihej një zgjidhje e drejtë, se sa të rrezikohej një rekomandim negativ nga Komisioni Evropian për kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.

Nga ana e qeverisë nuk pati komente për këto zhvillime përveç njoftimit të bërë mbrëmë në faqen zyrtare të qeverisë për ftesën për takim ku do të shqyrtoheshin të gjitha rrugët dhe mundësitë për daljen nga ngërçi politik.

Megjithatë më herët, ndërsa ndodhej në Durrës, kryeministri Sali Berisha dha sinjale të qarta hapjeje për një dialog.

Kryetari socialist nga ana e tij u tregua i kujdesshëm që të mos ushqente iluzione tek mbështetësit e tij, të cilët thërrisnin me tone triumfuese, madje saktësoi se ky moment nuk ishte domosdoshmërisht fundi i betejës së opozitës.
Grevistët dolën nga tenda e tyre 30 minuta pas fjalës së kryetarit socialist dhe brënda pak orësh bulevardi kryesor i kryeqytetit u rikthye në gjendjen e mëparshme.

Tani vëmëndja është spostuar në Strasburg. Takimi do të zhvillohet si një darkë, ku do të marrë pjesë edhe komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle, i cili anulloi një vizitë zyrtarë të parashikuar më parë. Në letrën e tyre, zotërinjtë Doll dhe Shullc saktësojnë se do të diskutohet mbi parimet e transparencës dhe kushtetueshmërisë, të gjitha mundësitë e zgjidhjes, duke marrë në konsideratë edhe propozimet që kanë qarkulluar, përfshirë ato të ditëve të fundit, thuhet në letrën e autoriteteve të Parlamentit Evropian.