Ahmet Dursun, (botuar ne 9/09/2013)
Në kohërat që po jetojmë, institucioni politik më serioz, më i besueshëm dhe më me njohje të thella është Vatikani; është kujtesa që po shndërrohet në zë. Vatikani, Lindjen e Mesme e njeh më mirë se sa vetë Evropën.
Papa Francesku, pak ditë më parë i ra këmbanës së alarmit se një sulm në Siri do të krijonte të gjitha premisat për një Luftë të Tretë Botërore. Kjo deklaratë nuk gjeti jehonën që pritej, ndërkohë që ishte hera e parë që një Papë paralajmëroi për diçka kaq të madhe…psh. Nuk u tha nga Vatikani asgjë e krahasueshme me këtë paralajmërim gjatë trazirave të pranverës arabe, për Korenë e Veriut etj. Por u tha, veçse për Sirinë!
Vatikani i di, deri ku mbërrijnë rrënjët e reagimit të popullit sirian kur është sulmuar nga fuqitë e mëdha gjatë historisë së tij mijëra vjeçare. Psh.si ka reaguar kur janë pushtuar nga romakët, bizanti, persët, otomanët, anglezët…më e rëndësishmja, Vatikani e di me rrënjë e degë domethënien historike “nëse do luftë në Lindjen e Mesme, merru me Egjiptin; nëse do paqe, veçse me Sirinë”!
Paralajmërimi i Papa Franceskut për Luftën e Tretë Botërore, në të njëjtën kohë është treguesi më i qartë i përplasjes ballore të Vatikanit me politikat dritshkurtëra të luftërave që bëri SHBA me Afganistanin, Irakun në emër të hakmarrjes ndaj terrorizmit islamik. Sot, në Irak numërohen 1 milion të vrarë, 5 milion fëmijë jetim…Në Afganistan, pas 12 vitesh luftime, vendi do t’i dorëzohet përsëri talebanëve të dikurshëm…dhe me mijëra ushtarë të vrarë, do të treten në emër të një demokracie të patretshme.
Përplasja ballore e Vatikanit me politikat sulmuese të SHBA- ve, në një afat të mesëm e të gjatë, është gjithashtu tregues i qartë i përpjekjes së vetë Vatikanit për ta shpëtuar kombin amerikan nga një regjim i vetëshpikur nga qeverisja e Bushit, regjimi i imperializmit komunist. Kjo, sepse ndërsa vendet që dolën nga Blloku i Lindjes pas viteve ‘90 po lëvizin në vendet dikur të ndaluara për ta, sot SHBA me regjimin imperialist komunist, çdo ditë e më shumë po ua ngushton hapësirën e lirisë së lëvizjes qytetarëve të saj nëpër botë, po i izolon ata.
Presidenti Obama, në rast mos sulmi për rrëzimin e Asadit, përmendi tronditjen e kredibilitetit ndërkombëtar ndaj SHBA-ve dhe aleatëve. Në fakt, në të dyja rastet, pra edhe nëse sulmohet edhe nëse jo, kjo ka ndodhur tashmë. Sepse Lindja e Mesme nuk është veriu i Afrikës, as Iraku dhe aq më pak Afganistani, apo Pakistani. Lindja e Mesme, aq sa intriguese për sfida, është gjithashtu një tokë plot e përplot me vrima të zeza, të cilat çdo arsyetim logjik, çdo dashamirësi, çdo dorë të zgjatur e përpin brenda me ligjet e pa shkruara të hyjnores. Atje çdo ligj është i drejtë dhe në të njëjtën kohë, çdo ligj është fajtor…lehtësisht hyn dhe nuk del dot më kurrë…
Në të vërtetë, ç’po ndodh në Lindjen e Mesme sot?
Një herë e një kohë, Turqia ishte modeli që imitohej nga të gjitha vendet arabe të Lindjes së Mesme, pse jo edhe nga Iraku. Sepse Turqia ishte vendi me fe muslymane, shtet laik, me kushtetutë bashkëkohore dhe me fytyrë të kthyer nga perëndimi. Me ardhjen e regjimit të Erdoganit, me ambiciet utopike të neo-otomanizmit, me arabizimin e Turqisë, kjo lakmi e popujve ra në mënyrë dëshpëruese. Ra modeli fillestar për t’u afruar një ditë sado pak demokracive perëndimore…ra ura.
Irani, jo vetëm nën regjimin e Komeinit, por historikisht i ka mbështetur shii-tët, në të gjitha vendet arabe. Kjo së pari, për t’i mbajtur konfliktet jashtë territorit të tij, por edhe për të krijuar korridore drejt tregjeve fitimprurëse. Pra ashtu si pushtimi i Irakut, apo i Afganistanit edhe një ndryshim rrënjësor në Siri do ta nxjerrë Iranin fitues. Politika e Iranit, në thelb është më pak e dëmshme për njerëzimin, pasi është ekuilibruesi i domosdoshëm mes sekteve në fene islame. Në njëfarë mënyre, ngjason me vendet ortodokse në botën krishtere.
Izraeli do të marrë padrejtësisht të gjitha mëkatet e sulmeve ndaj Sirisë dhe opozita që e lufton Asadin, do të vazhdojë luftimet drejt Jeruzalemit për ta shenjtëruar gjakun e derdhur.
Po Bashar al Asadi, a është një diktator? Po, pa dyshim, madje edhe i ati ishte i tillë. Siria me dekada është nën një diktaturë të trashëguar. Në vitin 2009, kur kandidati John Kerry shijonte falafelin, humusin dhe tabbulen bashkë me Asadin, në burgjet e nëndheshme të Damaskut, në korridoret e errëta të qelive, ecte karroca e ndërtimit që shpërndante supën e prishur të mijëra kundërshtarëve të regjimit tëAsadit.
A duhet të ikë nga pushteti, Asadi? Po, por në vendin e tij kush do të vijë? Kush erdhi pas Ben Aliut, Mubarakut, Saddamit, talebanëve, Gedafit? Çfarë ndryshoi te këto vende? Sot, a janë duke gjeneruar demokraci, apo terror të ri?
Sulmi ajror i planifikuar mbi Sirinë ngjason me mënyrën e dënimit të nxënësve në kohën e Mao Ce Dunit në Kinë. Mësuesi mbante një shkop të gjatë dhe nga dërrasa e zezë mund të godiste në kokë fëmijën që ia prishte mësimin edhe nëse ishte ulur në fund të bankave. Mirëpo, në çdo goditje me shkopin e gjatë, vriste padashje edhe fëmijët që ishin ulur para dhe që nuk kishin aspak faj!
Presidenti Obama, bashkë me rezultatin e analizave të bombave kimike, para se të japë urdhërin për sulme, është mirë të vizitojë Papa Franceskun dhe të pajiset edhe me analizën e Lindjes së Mesme, atë që për fat të mirë në ditët e sotme të paktën Vatikani po e bën seriozisht. I besueshem, i thellë, i paanshëm…dhe po i jep zë, kujtesës frikacake të njerëzimit…
Unë, pse jam me Vatikanin në çështjen e Sirisë? Sepse Vatikani e di, fëmijët e Lindjes së Mesme netët e nxehta të verës flejnë në tarracat përvëluese të shtëpive…Sepse Vatikani e di, fëmijët e Lindjes së Mesme çdo natë zgjedhin yllin e tyre… Vatikani e di, fëmijët e Lindjes së Mesme në ëndrrat e tyre i kapen ëngjëjve dhe fluturojnë drejt yjeve që kanë patur në mendje… Vatikani e di, fëmijët e Lindjes së Mesme veçse kur mendojnë qiellin qeshin, gëzojnë dhe atëherë kuptohen që janë me të vërtetë fëmijë…
Dhe Vatikani thotë, të paktën qiellin lëreni të lirë…