Nga Mero Baze, 12 Dhjetor 2012
Nacionalizmi serb, si më i konsoliduari në Ballkan, ka operuar për krijimin e miteve historike për kombin serb duke glorifikuar dështimet. Më e famshmja e tyre është glorifikimi i humbjes në Fushë Kosovë ku shqiptarë e serbë së bashku u mundën në një betejë për të penguar depërtimin osman në Ballkan. Legjenda për këtë dështim është kthyer në fondament të lidhjeve serbe me Kosovën. Më tej në historinë e tyre ata kanë të shenjta vrasjet e mbretërve apo humbjet e luftërave.
Nuk di të them nëse kjo i vlen apo jo një kombi për të ecur përpara, por shqiptarët nuk kanë operuar me këtë nocion. Që nga koha e Skënderbeut, ndryshe nga serbët, ne kemi operuar për të krijuar mite mbi fitoret. Kemi glorifikuar fitoret e betejave të Skënderbeut, rebelimet antiosmane për taksat, përpjekjet e rilindësve për gjuhën, kryengritjet e pavarësisë, rezistencat ndaj ushtrive të huaja gjatë Luftës së Parë Botërore etj.
I vetmi politikan që po operon në politikën shqiptare me glorifikimin e humbjes është Sali Berisha. Ka humbur në mënyrë dramatike tre herë radhazi betejën për të marrë statusin si vend kandidat, si asnjë vend tjetër në Ballkan, dhe është i bindur se duke u vetëviktimizuar për këtë, mendon se do ta shenjtërojë si humbje në favor të tij.
Nuk dua t’i hyj fare një bilanci që është i qartë dhe i theksuar e bardha në të zezë në raportin përfundimtar të Brukselit ku thuhet se janë plotësuar 4 nga 12 kushtet dhe ka shtuar shqetësimin për zgjedhjet dhe nacionalizmin e Berishës. Ajo që dua të theksoj është se nuk gjendemi para ndonjë hakmarrje të Evropës, por përpara një vetëdije të qartë antievropiane të kryeministrit të vendit, i cili në psikologjinë e tij mendon se më shumë se sa statusi i intereson humbja e tij si një armë kundër opozitës. I dërrmuar në opinionin publik si një kryeministër i korruptuar që drejton shtetin me Familjen e tij, i diskretituar politikisht si një kryeministër që ruan shumicën me pazare, i kalbur financiarisht duke kthyer shtetin në një super-piramidë financiare, ai mendon se ka vetëm një armë të fortë në duart e tij, të dështojë një proces dhe ta shenjtërojë atë si fatkeqësi e imponuar nga kundërshtari.
Ky mentalitet, që është identikiti i vetëm i nacionalizmit serb në politiken shqiptare, operon me mjete vulgare dhe ngatërron detyrimin për të qeverisur vendin me përgjegjësi, me qeverinë që detyron qytetarët e vet të pranojnë humbjen e tyre si fitore të kryeministrit.
Vini re një fakt. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Sali Berisha ngulmoi gjatë mes të tjerash se zgjedhjet nuk janë një kusht i vendosur nga Brukseli. Edhe pse në raport thuhet qartë se “mbajtja e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare në vitin 2013 do të jetë një test i rëndësishëm për funksionimin normal të institucioneve demokratike të vendit”, ai tenton ta injorojë publikisht. Po kështu tenton të injorojë dhe reagimin e ashpër të Brukselit për simptomat psikopatiko- nacionaliste të tij, të cilat pritet të bëhen dhe shqetësim zyrtar i SHBA për Shqipërinë. Tek kjo përpjekje e tij zbulohet qartë jo vetëm mungesa e dëshirës së tij për të pasur një sukses në këtë proces, por dhe justifikimi i pas gjashtë muajve nëse ai destabilizon zgjedhjet ose Shqipërinë. Në logjikën e tij ai nuk pranon as kushtet e Evropës dhe detyrimet që ka si kryeministër për t’i realizuar ato. Nga gjithë kjo histori atij i vlen vetëm dështimi për të operuar më tej luftën politike, me shenjtërimin e humbjes.
Ai nuk do ta konceptojë shuplakën e Evropës as si ndëshkim për të dhe as si standard të humbur. Atij i intereson vetëm të ketë një dështim, mbi të cilin të mitizojë një betejë që nuk i hyn në punë askujt. Duke injoruar edhe kushtëzimet e reja edhe standardet e vjetra që ka vendosur Brukseli, është e qartë se ai po shkon drejt zgjedhjeve të këqija parlamentare dhe drejt një retorike kërcënuese nacionaliste për Perëndimin, siç bën sa herë i rrezikohet pushteti në Shqipëri. Nëse në vitin 1997 gjeti si kazus për nacionalizmin dhe krizën me Perëndimin dhe shenjtëroi betejën e tij kundër “rebelimit të kuq”, tani mendon se ka gjetur sërish një betejë të humbur për ta shenjtëruar dhe ajo për fat të keq është beteja e shqiptarëve për të shkuar në Evropë.
Tani ky njeri nuk ka më program elektoral, nuk ka alternativë qeverisëse, nuk ka më teza politike, nuk ka më bilance fitoresh, ka vetëm një mit, atë të humbjes së statusit. Njësoj si nacionalistët e vjetur serbë, ai mendon se duke ngritur mitin e një dështimi do të magjepsë popullin dhe do ta pranojnë si prijës të viktimizuar.
Nuk di kush ia ka mbushur mendjen se gjithë shqiptarët janë të martuar me serbe dhe kanë të njëjtin mentalitet si ai për mitin e humbjes. Nuk ka pse mendon se shqiptarët preken nga dështimet e tij dhe e duan më shumë. Por mbi të gjitha nuk di pse kujton se duke na kujtuar çdo ditë se me këtë njeri kemi humbur Evropën, duhet ta duam më shumë. Serbët e rinj kanë ndryshuar dhe janë dy hapa para nesh drejt Evropës. Duket që njeh vetëm serbët e vjetër, ata që dogjën Ballkanin. Por ata kanë vdekur!