Sindroma komuniste e së ardhmes pa të shkuar

0
44

Nga Besnik Gjongecaj

Kryeministri i vendit e ka përcaktuar qartë konceptin e tij mbi kohën, kur thotë se “unë nuk e kthej kokën mbrapa, pra unë nuk punoj për historinë”. Saktësisht kështu u prononcua mbi kohën edhe zv/kryeministri, kur pak a shumë tha që “unë shoh nga e ardhmja, punoj për të ardhmen”, dhe ftoi edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. I pari është kryetar i PD, një parti e lindur dikur për të rrëzuar diktaturën dhe që u përkufizua si parti e djathtë, ndërsa i dyti është kryetar i LSI, një parti e shkëputur nga ish-Partia Socialiste, me origjinë fabrikuesen e diktaturës në Shqipëri, Partinë e Punës, dhe që prej kohësh është përkufizuar si parti e majtë. Sot, të dy partitë, si ajo që u krijua për të rrëzuar komunizmin, ashtu dhe ajo që u krijua nga partia që fabrikoi komunizmin në Shqipëri, qeverisin së bashku, dhe, për shkak të së shkuarës fare të pangjashme, të diferencave organike të krijuara së bashku me krijimin e tyre, prandaj pothuajse edhe të paasgjësueshme, shumë njerëz pyesin se ç’po ndodh vërtet, çfarë i bashkon në fund të fundit këto parti, ç’program, ç’hall, ç’forcë i shtyn të qeverisin së bashku.

Përgjigjja më popullore që haset sot në Shqipëri është e thjeshtë: njerëzit të thonë që është pushteti dhe përfitimet e paligjshme ato që i mbajnë së bashku në qeverisje krerët e të dy partive. Gjithsesi, vetëm dukja është e thjeshtë. Përdorimi i pushtetit shihet qartë që është një synim, madje edhe mision, pra pritet të jetë një “outcome” i kësaj qeverisjeje të përbashkët. Por, që të arrihej deri këtu, pra deri në këtë pikë, d.m.th., deri në pikën e përdorimit të pushtetit “në paqe”, harmoni, pa mosmarrëveshje dhe pavarësisht diferencave dramatike në të shkuarën, thellë-thellë duhet të ekzistojë një gjë që e kanë të dy palët dhe që i ka paraprirë instinktit të përbashkët të përdorimit të pushtetit; një gjë jo e rastësishme, jo anësore, përkundrazi, një gjë esenciale, e krijuar po në mënyrë organike, së bashku me vetë formimin politik të krerëve të dy partive. Sigurisht, këtë nuk mund ta zbulosh me lehtësi, pasi është e natyrshme që ajo të fshihet me kujdes prej tyre, ashtu sikundër edhe e kundërta është e vërtetë, që enigma e përbashkët nuk do të mund të mbetej e tillë, e panjohur për një kohë shumë të gjatë.

Analiza për identifikimin e themelit të qeverisjes së përbashkët mund të fillojë thjesht nga një shenjë që shfaqet diku, nga një sinjal që jepet si rastësisht, por që mund të jetë një “gjuhë” që krerët e partive përdorin për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin në distancë, në publik, dhe më shumë se kaq, për të konfirmuar edhe publikisht mbështetjen për njëri-tjetrin. Kjo shenjë, ky sinjal është dhënë. Krerët e dy partive qeverisëse kanë konfirmuar një qëndrim të përbashkët mbi kohën: e shkuara nuk është më, ka vetëm të ardhme. Bashkë me të shkuarën janë fshirë dhe vlerat, ato që me kaq mund u krijuan nga demokratët e thjeshtë, nga shqiptarët e thjeshtë në fund të fundit.

. . .

Vendosja e marrëdhënieve produktive midis të shkuarës dhe të ardhmes në kuptimin që e shkuara të përdoret aq sa të mos bëhet pengesë për ecjen përpara nga njëra anë, dhe në masën që vlerat e saj dhe jo kufizimet të inspirojnë të ardhmen nga ana tjetër, është padyshim një çështje thelbësore e të bërit politikë. Ekuilibri midis të shkuarës dhe të ardhmes, ndërtimi apo “dizenjimi” i një përshkueshmërie selektive që lejon të kalojnë vetëm vlerat midis dy kohëve, nga e shkuara tek e ardhmja, i një përshkueshmërie selektive që pengon grindjet, urrejtjet, antivlerat në përgjithësi të bëhen pengesë e së sotmes dhe pjesë e së nesërmes, janë çështje esenciale për vendet me histori të dendur dhe shpesh të mjegullt, siç janë vendet e Ballkanit, aq më shumë për Shqipërinë, veçanërisht për shkak të së kaluarës së saj egërsisht komuniste.

Politikanë të shquar perëndimorë, kur janë prononcuar për vendet e Ballkanit, gjithmonë e kanë parë të shkuarën e këtyre vendeve më shumë si një pengesë sesa një kusht të favorshëm në zhvillimin perspektiv të tyre, aq sa Churchill thoshte se “vendet e Ballkanit prodhojnë më shumë histori se ç’konsumojnë”, ndërsa ish-presidenti i SHBA, Clinton, e shihte jo historinë, por “interesat e përbashkëta ekonomike” ato që nuk do t’i ndajnë më së fundi, por do t’i ndihmojnë popujt dhe vendet e Ballkanit të bashkohen në rrugën për ndërtimin e së ardhmes së tyre.

Fatkeqësisht, këto qëndrime të rëndësishme politike nuk janë lënë jashtë makinerisë së stërmadhe të manipulimit të vënë në lëvizje nga qeveritarët tanë, me qëllimin djallëzor të fshirjes së të shkuarës në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Si në çdo proces manipulimi, në fillim, këto qëndrime janë nxjerrë nga konteksti dhe pastaj, si të tilla, “rrënjëshkulura”, jashtë kohës dhe vendit, janë përdorur lehtësisht dhe përdoren edhe sot në shërbim të një qëllimi të kundërt nga ai, në shërbim të së cilit ato janë formuluar.

Ndërsa autoritetet e shquara perëndimore kanë kërkuar historikisht që e shkuara të mos përdoret për të ripërsëritur konfliktet e dikurshme midis popujve të sotëm të Ballkanit, dhe vetëm kaq, autoritetet politike të qeverisjes së sotme në Shqipëri e vendosin qëndrimin e të parit nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara në shërbim të qëllimit të fshehjes së gabimeve, fajeve, gjynaheve, krimeve të së shkuarës, ruajtja e të cilave në kujtesën kolektive të shqiptarëve do të mund ta rrezikonte qeverisjen e sotme më shumë se çdo gjë tjetër, më shumë se çdo “progres-raport” i formuluar deri më sot nga ndërkombëtarët, më shumë se çdo kuti votimi e pahapur.

Duke thënë se duhet parë nga e ardhmja, qeveritarët shqiptarë marrin pozën e një politikani modern perëndimor, por në një kontekst krejt tjetër, në kontekstin e fshehjes së të kaluarës së tyre të palavdishme, në kontekstin e fshehjes së të vërtetës, pa të cilën, në fakt, nuk mund të ndërtohet asnjë e ardhme, në asnjë vend të botës, përfshi edhe vendet prej nga vijnë politikanët perëndimorë. Idenë madhështore të ndërtimit të një Ballkani që grindjet i shndërron në interesa të përbashkëta zhvillimi, qeveritarët tanë e kanë transformuar ligësisht në sindromën e Penelopës, në sindromën e komunizmit që fillon gjithmonë nga zero, pasi i djeg e i bën shkrumb e hi vlerat e krijuara me mundim, të cilat mund të ishin sot një fondacion i rëndësishëm për të ndërtuar një të nesërme që nuk po vjen asnjëherë. Në pamundësi për të fshirë vetëm gjurmët e pjesës së shëmtuar të qeverisjes, po fshihen të gjitha, të shëmtuarat dhe të bukurat, të errëtat dhe të ndritshmet, vlerat dhe antivlerat, që të mund të sigurohet përsëri në të ardhmen një pushtet pa peshën e fajit, i çliruar nga pesha e përgjegjësisë.

. . .

Politikisht, të mos e kthesh kokën nga e shkuara, pra, të shohësh vetëm në drejtimin e gjërave që priten të vijnë, në radhë të parë do të thotë të përpiqesh të fshehësh se si PD, një parti që u krijua për të rrëzuar totalitarizmin, po aplikon kultin e individit, ashtu si e aplikonte edhe partia-shtet përpara këtij rrëzimi. Sot PD është një parti që e lejon kryetarin e saj të flasë për çdo gjë: për ullirin, për ujitjen, për universitetin e Peshkopisë, për homoseksualët, për “rritjen ekonomike më të lartë në Evropë”, për liberalizimin e vizave si një proces që është gjithmonë atje dhe nuk vjen kurrë këtu, por nuk i kërkon të flasë për vetë partinë, e cila është zbrazur si asnjëherë që nga koha e themelimit të saj, ka mbetur pa energji politike, është katandisur në një gjë pa përmbajtje, është tharë duke i deleguar të gjithë përgjegjësinë e saj politike një njeriu të vetëm, çka e ka kthyer këtë parti, në fund të fundit, në një forcë politike inekzistente, të paaftë për të ndryshuar këtë vend në pikëpamjen demokratike.

Kryetari i PD flet për një prosperitet të ardhshëm, por e ka fshirë nga faqja e dheut PD, atë forcë politike që do të mund ta materializonte këtë prosperitet të pritshëm për shqiptarët. “Të shohësh vetëm nga e ardhmja” bëhet për të mos parë se brezat në Shqipëri po ndërrohen nën rrezikun e konfliktit, nën kultivimin djallëzor të armiqësisë, urrejtjes midis tyre. Kjo qeverisje, sikur të mos ishte e shqiptarëve, po bën ç’është e mundur për t’i dhënë qytetarëve mesazhin se në këtë vend hapësira e ndërrimit të gjeneratave është e ngushtë, shumë e ngushtë për një prani të përbashkët të të rinjve dhe njëherazi edhe të njerëzve me kontribute; se kjo hapësirë është një territor, në të cilin, prandaj, duhet të zhvillohet një luftë për jetë a vdekje për mbijetesë dhe nuk është një territor ku gjeneratat ndërrohen në mënyrë harmonike dhe në shërbim të vendit.

Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që kriteri i eksperiencës së marrë në vend është thjesht jo-ekzistent, dhe i vetmi vend ku një njeri nga rruga, qoftë kjo një rrugë që nuk është në Shqipëri, mund të zëvendësojë një njeri që i ka kushtuar jetën punës në këtë vend, ta zëvendësojë atë me përbuzjen dhe kompleksin e të ardhurit nga jashtë shtetit. Vlerat dhe kontributet po zëvendësohen me shpejtësi me paaftësinë, të dedikuarit me manipulatorët, çka po përgatit një përplasje pothuajse të sigurt brezash. “Të shohësh vetëm nga e ardhmja” bëhet për të mos çmontuar të shkuarën komuniste të këtij vendi, përkundrazi, për ta ruajtur atë sa më gjatë dhe bashkë me të edhe qeverisjen ekzistuese. “Të shohësh vetëm nga e ardhmja” bëhet për të mos ndëshkuar kurrë dhe përfundimisht krimet e komunizmit, përkundrazi, për të ringjallur edhe njëherë miqësitë dhe lidhjet me familjet e mëdha komuniste. “Të shohësh vetëm nga e ardhmja” bëhet për të mos ndërtuar kurrë një sistem të vërtetë kapitalist, përkundrazi, për të pasur një sistem hibrid ku prona edhe është edhe s’është e jotja, pra një sistem ku mungon jo vetëm liria, por madje themelet, mbi të cilat krijohet ajo.

. . .

Menjëherë sapo u gjend në duart e qeverisë së këtij vendi, “Progres-Raporti” për Shqipërinë i paraqitur nga Evropa iu nënshtrua efektit të sindromës së të ardhmes pa të shkuar. Kryeministri dhe qeveria e këtij vendi nuk u ndalën asnjë sekondë te rrënjët e problemeve që paraqiste ky raport, pse ekziston problemi i deformimit të marrëdhënieve midis pushteteve, pse mungon liria e medieve, pse ka korrupsion galopant në Shqipëri. Shkaqet e problemeve me shpejtësinë e dritës “u transformuan” në të shkuar dhe qeveria i harroi ato.

Duke ruajtur shpejtësinë e “fotoneve” të një cinizmi të paanë, kryeministri dhe qeveria e këtij vendi i premtoi përfaqësuesit të kontinentit të vjetër se do të punonte që në të ardhmen të plotësonte standardet e kërkuara. Asgjë nuk u tha pse këto standarde nuk janë plotësuar deri tani, në të shkuarën. E shkuara u tret përsëri për t’i lënë vendin një të ardhmeje pa rrënjë, që fillon nga zero, që askush nuk e di se ç’do të jetë.