
Nga Afrim Krasniqi, “Shekulli”, 21.12.2009
Ky fundviti erdhi ndryshe në Ballkan. Tri vende afër nesh, dy fqinj te Shqipërisë dhe tjetri i Kosovës, dy prej te cilave vende që deri para 3-4 vjetësh përfaqësonin trashëgiminë e regjimit kriminal të Milloshevicit, përfituan heqjen e vizave për në vendet e Bashkimit Europian. Në Shkup, Beograd dhe në Podgoricë u bë feste dhe ata patën arsye për të festuar. Dhjetë vjet më parë shtetet anëtare të NATO dërguan avionet e tyre bormbadues për të shkatërruar ndërtesat dhe pikat strategjike të regjimit në Beograd, u goditën godina qeveritare dhe media shtetërore, urat kryesore dhe komplekset më të mëdha ekonomike. Qëllimi ishte që regjimi kriminal i Milloshevicit të dorëzohej duke pranuar largimin nga pushtimi i Kosovës, dhënia fund e genocidit antishqiptar dhe e natyrës kërcënuese serbe për sigurinë e stabilitetin në rajon dhe në Europë. Serbia e post Milloshevicit pati një kryeministër reformator që u vra nga klanet mafioze, ose sic njihen edhe në Tiranë, nga klani i Zemunit. Më pas në fuqi erdhi Koshtunica, një politikan produkt i regjimit nacionalist, në formim anti-europian dhe mbështetës i status quo-s së vjetër.
Dhjetë vjet nën presion ndërkombëtar për reforma, për dorëzimin e kriminelëve të luftës, për afrim me Europën dhe largim nga dominimi rus, për bashkim me familjen europiane dhe heqja dorë nga politikat ekstreme nacionaliste shkaktare të katër luftrave ballkanike. Dhe sot, 10 vjet pas luftës së NATO-s kundër Serbisë, ky vend pranohet politikisht dhe fizikisht në familjen europiane, duke u bërë përfituese direkte dhe pakushte e procesit të lëvizjes së lirë, liberalizimit të vizave dhe tregjeve. Suksesi i fqinjëve rajonale vlen të përgëzohet, por edhe në aspektin e brendshëm, vlen të analizohet për tu përballur me vetveten, pasqyrën e asaj cfarë jemi, cfarë bëjmë, cfarë kemi gabuar dhe cfarë duhet të përmirësojmë.
Në Tiranë fundviti erdhi si përherë, i zymtë, i heshtur, i ftohtë dhe pa shampanjë. Në Tiranë nuk ka arsye për të festuar. Shqipëria shpreson të përfitojë procesin e liberalizimit të vizave në korrikun e vitit të ardhshëm, pra e fundit në grupin e fundit në të gjithë listën e shteteve europiane. Sindroma e qënies në fund duket se na vjen si një sindromë historike, fatkeqe, e pandryshueshme, e përcaktuar nga rrethanat dhe fatet por edhe nën zë, e merituar për shkak të sjelljes dhe veprimeve të atyre që kanë qeverisur dhe na qeverisin. Më 1912 ne ishim vendi i fundit që u nda nga Perandoria Osmane, madje nuk është e qartë nëse ne u ndamë prej perëndorisë apo nëse perandoria kishte përfunduar përpara se ne të ndaheshim. Më 1914 ne ishim vendi i fundit rajonal ku Fuqitë e Mëdha vendosën protektoratin dhe dërguan një princ europian. Më 1918 ne ishim vendi i fundit që u pranua në bisedimet e Paqes në Paris, sepse vetëm ne nuk kishim shtet, qeveri por shtatë delegacione të ndryshme që vetshpalleshin përfaqësuese të shtetit formal shqiptar. Më 1921 ne ishim të fundit që u bashkuam me Lidhjen e Kombeve dhe që krijuam institucionet shtetërore kombëtare. Më vitet 40 ne ishim të fundit që krijuam njësitë e rezistencës antifashiste, dhe më 1943-44 të fundit që u pranuam nga Aleanca Atlantike.
Më 1990 ne ishim të fundit që rrëzuam sistemin komunist dhe vendosëm demokracinë, më 1992 të fundit që kryem rotacion politik, më 1995 të fundit që u pranuam në KE, më 2009 të fundit që u pranuam në NATO dhe më 2015-2020 me siguri të fundit që do të pranohemi edhe në BE. Sindroma e vendit të fundit ose e listës së fundit shtrihet edhe në sektorët e tjerë jopolitikë. Psh, më 1957 ne ishim të fundit që hapëm një universitet kombëtar, më 1970 të fundit që krijuam media vizive, më 1991 të fundit që krijuam mediat e lira, apo edhe simbolikisht, gjithnjë të fundit / parafundit në 40-45 vitet e lojës së kombëtares tonë në futboll.
Natyrisht që ka ndodhur që kemi qenë edhe të parë, por fatkeqësisht, në shumicën e rasteve për veprime e vendime negative. Për shembull, ishim të parët që dëbuam princin gjerman 1914, të parët që zëvendësuam një pushtues me gjatë fuqi pushtuese më 1915-1918, të parët që mbajtëm zi për vdekjen e Leninit 1924 dhe që anulluam sistemin parlamentar shumëpartiak më 1925, të parët që krijuam monarki pa parti politike më 1928, të parët që përshëndetësim pushtimin italian të Etiopisë më 1938, të parët që bashkuam kurorën me pushtuesin më 1939, të parët që zhvilluam gati një luftë civile më 1943, të parët që vendosëm sistemin komunist njëpartiak 1944, të parët që dëbuam nga vendi kritikët politikë 1945, të parët që nisëm gjyqet masive politike 1956-1947, të parët që denoncuam Jugosllavinë në dobi të rusëve më 1948, të parët që braktisëm sovjetikët në favor të kinezëve në vitet 60, të parët që vendosëm në kushtetutë rolin udhëheqës të partisë më 1976, të parët që shpallëm politikën e izolimit të plotë ndaj lindjes e perëndimit, të parët që shpallëm armiq institucionet dhe besimet fetare më 1967, të parët që kolektivizuam e shtetëzuam tërësisht ekonominë, të parët që ndaluam pronën private, të parët që kopjuam modelin e revolucionit kulturor kinez, të parët vramë (vetvra) kryeministrin pas 37 vjetësh në detyrë si tradhëtar, të parët që ngritëm një piramidë në nderim të diktatorit, të parët që aplikuam vrasje periodike në kufi, të parët që morëm cmimin e OKB për ushqimin kur ne kalonim natën në garë për të zënë radhën e shishes së qumështit, dhe në periudhën e tranzicionit, të parët që morëm armët në depo e sulmuam shtetin, që paratë tona ia besuam ca mashtruesve ordinerë, që dëbuam trashëgimtarin mbretëror e më pas mbajtëm referendum për formën e regjimit, të parët ku u vodhën votat dhe të fundit ku ende nuk ka vota të lira.
Bilanc i frikshëm por i dhimshëm për një popull që gjatë një shekulli provoi të gjitha regjimet e mundshme, pushtimet e disa shteteve, republikën, monarkinë, protektoratin, diktaturën dhe demokracinë. Ky shikim i shpejtë në pasqyrë i historisë sonë, fateve tona dhe aktualitetit tonë bëhet edhe më i dhimshëm kur kemi parë e shohim ata që na kanë qeverisur e që na qeverisin të na thonë cdo vit, cdo muaj, cdo javë, cdo ditë, cdo orë dhe minutë se ne jemi vendi më i sukseshëm në Europë, më i lumtur, më i begatë; se demokracia jonë dhe standardet e saj janë më të mirat, se duhet tia dijmë për nder atyre që na morën votat për të udhëhequr për ekzistencën tonë, për të ardhurat financiare që fitojmë me mund e djersë, për mbijetesën sociale, për ditët pa shi dhe së fundi edhe për faktin se jemi të fundit në NATO dhe në korrik 2010, të fundit përfitues të liberalizimit të vizave. Normalisht ne duket të ishim krenarë e mirënjohës nëse politika vendimmarrëse e kësaj dekade të kishte arritur rezultate të cilat të shkurtonin rrugën tonë europiane, por kur ne e arrijmë rrugën të fundit e më të fundëve, atëherë ata që na kanë keqqeverisur meritojnë minimalisht mosmirënjohjen tonë.
Sindroma e të fundit u shoqërua e po vijon të shoqërohet me sindromën e politikës së turmave, politikës që zhvillohet dhe mbijeton përmes propagandës, dezinformimit dhe deforimimit të të vertetës, historisë dhe marrëdhënie të saj me qytetarët. Gjatë komunizmit, atëherë kur ne ishim vendi më i varfër në Europë, regjimi na mësonte në shkollë, kopësht, gazeta, ndërmjarrje e media shtetërore se ne jemi më të lumturit, të vetmit të lumtur në botë. Në demokraci, kur ne vijojmë të jemi më të varfërit në Europë, politika e jonë me fytyra tranzicioni por me mentalitet e formim të periudhës së vjetër komuniste vijon të konceptojë politikën si propagandë dhe paradë suksesesh, arritjesh, festash, meritash, të cilat në fakt janë janë e mbeten ireale dhe simbolike, përderisa ne jemi dhe vijojmë të jemi pjesë e listës së fundit në mos, në vendin e fundit.
Shqiptarët meritojnë më shumë. Cdonjëri qytetar i këtij vendi, prindërit dhe brezi i mesëm që humbën një jetë në diktaturë dhe brezi më i ri që po humbet vitet e rinisë në tranzicion, meritojnë më shumë. Si individë ata janë më të sukseshëm, integrohen më lehtë në Europë, por si bashkësi, popull dhe shtet, ne vijojmë të jemi peng i gabimeve tona kolektive. A do të shpërbëje ky kontrast fundviti për të kuptuar se sindromi i fundit ndonjëherë (tek ne, fatkeqësisht shumë herë) vjen i merituar, si një ndërshkim për keqqeverisjen, arrogancën, spekullimin e politikës dhe shpenzimit të pafund të energjive të saj për politika boshe, konflikte verbale, fushata propagandistike në vend të punës për reforma reale, qeverisje të lirë, krijimit të një sistemi vlerash qytetare e demokratike dhe për rrjedhojë, për një Shqipëri që ndryshon, zhvillohet dhe synon të mos jetë më e e (vet)izoluara apo e (vet)dënuara të jetë në listën e fundit ose në vendin e fundit të shteteve dhe popujve që meritojnë të jetojnë si qytetarë të barabartë në familjen e madhe europiane? Uroj që po, megjithëse thellë – thellë, si shumica e qytetarëve të këtij vendi, kam frikë se jo, se ky dimër ashtu si shumë të tjerë në të kaluarën e të tjerë në të ardhmen do të vijojë të jetë një dimër tjetër i vetmisë së madhe!







