Sindroma e Analfabetit Funksional

0
23

Nga Arnold Grabocka, 30 Prill 2013

Para pak ditësh opinioni publik u informua përciptazi në lidhje me një raport mjaft shqetësues të përpiluar prej Bankës Botërore. Në thelb, raporti tregon se 57% e 15-vjeçarëve shqiptarë janë analfabetë funksionalë. Si gjithnjë, gishti i akuzës iu vendos ose politikës, ose varfërisë, ose medias, ose degradimit të marrëdhënieve sociale. Përpara se të parashtrohen disa statistika të tjera më rrëqethëse të cilat sjellin një argumentim ndryshe, duhet bërë dallimi midis analfabetizmit dhe analfabetizmit funksional. Analfabetët nuk mund të shkruajnë a lexojnë në asnjë rrethanë.

Ata nuk dinë as të rendisin shkronjat e alfabetit. Vetëm rreth 1.5% e popullatës shqiptare e vuan analfabetizmin. Nga ana tjetër, analfabetizmi funksional përkufizon ata persona të cilët janë në gjendje të lexojnë dhe shkruajnë fjali të thjeshta, të pakomplikuara, por nuk mund të shkruajnë a lexojnë aq mirë sa të ballafaqohen me kërkesat e përditshme të shoqërisë dhe tregut të punës. Ata nuk janë në gjendje a në vullnet për të lexuar tekste të vështira. Aq më pak janë ata të aftë për t’i aplikuar këto njohuri.

Në vitin 2013, 57% e 15-vjeçarëve shqiptarë janë analfabetë funksionalë.

Cilat duhet të jenë shkaqet e injorancës masive të më shumë se gjysmës së brezit të ri? Disa akuzojnë median si shkaktare të kësaj turbullire psikologjike. Të tjerë i drejtojnë gishtin politikës, mësuesve, prindërve ose vetë fëmijëve. Megjithatë, shkaktari i vërtetë i këtij gjenocidi të trurit shqiptar qëndron te një statistikë tjetër për analfabetizmin funksional. Sipas raportit të UNDP (Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara) të vitit 2000, rezulton se 57% e 15-vjeçarëve ishin analfabetë funksionalë. Duket se në 13 vjet (2000 – 2013) nuk ka pasur kurrfarë përmirësim apo përkeqësim të situatës. Fenomeni i analfabetizmit funksional ka qëndruar në kuota të njëjta për 13 vjet, dhe askush nuk e ka vërejtur këtë. Në një plan më të thjeshtë, 57% e të lindurve në vitin 1985 ishin analfabetë funksionalë kur arritën moshën 15 vjeç.

Po ashtu, 57% e të lindurve në vitin 1998 gëzojnë të njëjtin status. Kjo të bën të mendosh se në total rreth 57% e të lindurve midis viteve 1985 – 1998 janë analfabetë funksionalë.

Së pari, shkaktar i këtij gjenocidi të mendjes nuk mund të jetë televizori. Fillimi i viteve 2000 shënjon dixhitalizimin dhe specializimin e medias shqiptare. Në këtë kohë fillojnë dhe futen në treg shërbimet e para kabllore e satelitore, klandestine a zyrtare. Meqenëse kanalet televizive filluan në këto vite të specializohen (kanale me filma aksion, horror, humor, dokumentarë, kartona e me radhë), logjikisht që adoleshentët do ta kishin më të vështirë t’i shkëputeshin televizorit në raport me disa vite më parë (kur kanale televizive si TVSH predominonin).

Por statistikat tregojnë se në 13 vjet, analfabetizmi funksional nuk ka lëvizur prej kuotës 57%. Logjikisht kjo tregon se specializimi dhe dixhitalizimi i medias nuk ka qenë një faktor aq i fortë sa të rrisë apo të ulë këtë kuocient injorance kolektive. Televizori nuk është fajtor.

Së dyti, as Facebook dhe rrjetet sociale nuk janë fajtore që kaq shumë adoleshentë nuk e kalojnë kohën mbi libra për të gjetur kurën ndaj patologjisë së tyre. Kjo për shkak se sipas statistikave të Social Bakers, rreth 8-11% e përdoruesve shqiptarë të rrjeteve sociale përbëjnë grupmoshën deri në 17 vjeç. Duke parë se ekzistojnë rreth 1.180.000 profile shqiptare në Facebook, kjo grupmoshë okupon një hapësirë jashtëzakonisht të vogël; kurrsesi faktor përcaktues i kthimit të 57% të 15-vjeçarëve në analfabetë funksionalë.

Po ashtu, as varfëria shqiptare nuk e justifikon faktin se ka kaq shumë analfabetë funksionalë mes të rinjve. Të gjithë kemi parë se pavarësisht kushteve, shumë studentë të varfër ia kanë dalë të jenë të suksesshëm në shkollën e mesme. Problemet e vërteta financiare nëpër familjet e varfra nuk lindin aq shumë kur fëmijët janë 15 vjeç dhe në shkollë të mesme, por në universitet.

Po ashtu, në kah të kundërt, kemi parë fëmijë pinjollësh e pasanikësh të enden kafeneve dhe Bllokut gjithë ditën, që pa arritur ende moshën 15 vjeç. Një pjesë e tyre e humbin veten në analfabetizëm funksional jo se u mungojnë të mirat materiale, por nga teprica e tyre. Varfëria nuk ndikon në rritjen apo uljen e numrit të analfabetëve funksionalë. Në raste të caktuara prindërit mund të kenë faj në neglizhencën ndaj fëmijëve; ata mund të mos kenë kohë të përkujdesen për nevojat shkollore të fëmijës, për shkak të orëve të gjata të punës.

Edhe mësuesit mund të jenë në disa raste neglizhentë. Por jo aq shumë sa të lenë analfabetë 57% të 15-vjeçarëve. Shumë prindër dhe mësues mund të jenë kriminelë të fëmijëve dhe nxënësve të tyre, por eksperienca empirike tregon se nuk mund të akuzojmë gjysmën e një populli për neglizhencë.

Dhe këtu, mbërrijmë tek fajtori i vetëm i kësaj katastrofe shoqërore: ndryshimi i shpeshtë i sistemit arsimor. Këtu duhet të jemi të kujdesshëm: nuk është fajtore politika ose partitë politike “per se”.

Nuk mund të ketë Kryeministër, i cili të dojë të ndërtojë një shtet me të rinj analfabetë, pasi vetë ekonomia e atij shteti do të kolapsojë për breza me radhë. Nuk mund të përdoret as argumenti cliché se “Sali Berisha kështu i do gjërat, me analfabetë e injorantë, se i kontrollon më mirë”.

Kryeministri, i cili para pak kohësh dëshironte që të votonin edhe 16-vjeçarët (imagjinoni çfarë katastrofe analfabetësh) çlirohet prej kësaj akuze pasi edhe qeverisja e z. Nano nuk solli ndonjë rritje a ulje të numrit të analfabetëve funksionalë.

Kjo tregon se diçka tjetër brenda politikave, brenda reformave arsimore, pengon një pjesë të të rinjve shqiptarë në periudhën kur ata kanë më shumë nevojë të identifikohen me një sistem të qëndrueshëm vlerash. Kur një fëmijë nis shkollën 9-vjeçare, ai do të përballet minimalisht me 2 reforma të vogla a të mëdha arsimore që e prekin në mënyrë direkte (2 reforma për 2 mandate politike).

Ai e nis shkollën me 9 vjet, shokët e tij më të mëdhenj përfundojnë me 8, dhe shokët më të vegjël përfundojnë me libra vizualë përkundër teksteve të gjata shkollore. Sidomos reformimi i teksteve mësimore, plastifikimi, zbukurimi, heqja e tekstit më voluminoz dhe zëvendësimi me figura, e shkatërrojnë fëmijën dhe adoleshentin mandat pas mandati politik.

Për këtë arsye, kushdo të jetë në pushtet pas 23 qershorit, duhet të kujdeset të mos aplikojë për ca kohë reforma të reja. Sistemi arsimor duhet stabilizuar, si fillim. Ndihma e vetme që mund të japë qeveria është mbështetja financiare për të kryer sa më mirë këtë shkollim.

Si përfundim, cili është fati që pret 57% të 15-vjeçarëve shqiptarë? Tre tablo të së ardhmes ekzistojnë: krimi, abuzimi seksual, vegjetimi i mjeruar. Të lënë me mungesën psikologjike të formimit të mirë mësimor, ata përballen me instinktet e tyre bazike, eros-i dhe tanatos-i.

Do të bëhen kriminelë, vrasës, ose ambasadorë në Austri. Për pjesën tjetër të tyre flet shumë qartë raporti i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë: 44.8% e meshkujve dhe 31% e femrave shqiptare nën moshën 17 vjeç kanë kryer marrëdhënie seksuale. Dhe mos mendoni se kjo ka ndodhur nëpër zona rurale, aq të paragjykuara këto kohë.

Përkundrazi, 91.3% e rasteve raportohen në qytet, dhe 8.7% të rasteve në fshat. Kjo tregon se cilat janë simptomat e degradimit social në kushtet e analfabetizmit funksional; një amulli, e cila çon në instinktet bazike më shkatërrimtare.