Kolec Traboini
Ju sjell në vëmendje Simfoninë e të madhit kompozitor shqiptar At MARTIN GJOKA (1890-1940) – që hapi i pari shtegun e artit muzikor shqiptar, krijuesit të të parës simfoni shqiptare “Dy lule në vorr të Skanderbegut” (1919) si dhe krijuesit të operas shqiptare “Juda Makabe” me libret të Gjergj Fishtës kompozuar në vitin1917. Për 50 vjet dhunë e rrena është thënë se opera e parë është krijuar në kohë të Partisë, por e vërteta edhe shtatë pash nën dhé me e futë, vjen një kohë e del në dritë. Madje shumë prej pjesëve muzikore apo këngëve të Martin Gjokës janë futë në repertore pa emrin e tij.
E kemi “takue” të madhin At M. Gjoka, tek filmi “Skënderbeu”, ku kompozitori Ç. Zadeja, shfrytëzon me mjeshtri temën e këngës së Gjokës “Kenkan mbushun malet me borë”. At Martin Gjoka edhe pse vdiq në moshën 50-të vjeç, në moshën më prodhimtare për një kompozitor, na ka lënë një pasuri të madhe muzikore në të gjitha gjinitë.
Simfonia është ekzekutuar nga Orkestra e Operas nën drejtimin e Eno Koços në vitin 1987. Eshtë meritë e këtij drejtuesi të talentuar, që, duke shfrytëzuar lëkundjet e para të diktaturës, e mori këtë vepër nga arkivat e shtetit, ku po mykej dhe e solli në dritë.
Unë kam mbet i mrekulluar prej kësaj muzike që ma solli Prof. Robert Prennushi, i cili ka bërë dhe një libër fort të bukur për At Martin Gjokën, i cili mjerisht në Shqipërinë tonë përkujtohet fare pak.Ky film modest përpiqet me e sjellë në vëmendje dhe të afrojë shijimin e një perle muzikore shqiptare për të cilën mendoj se meritojmë të krenohemi.