Mero Baze, 29.12.2009
Ka shumë arsyetime boshe rreth bojkotit të opozitës dhe fuqisë që ka kauza e saj për standardet e zgjedhjeve duke qëndruar jashtë parlamentit. Në pritje për ta zgjidhur këtë krizë, po shtohen zërat artificialë për dialog, dhe nga ana tjetër përgjigje po joserioze për dialog nga opozita, “nëse hapen kutitë”. Por problemi që ka sot politika shqiptare në 100 ditëshin e qeverisë Berisha-Meta, nuk është më vetëm çështja e standardeve zgjedhore, por mënyra se si është keqpërdorur pushteti i marrë në mënyrë jotransparente dhe amorale. Njëqind ditë më pas demokracia shqiptare po përjeton “Vaterlonë” e saj, duke përbërë me këtë rast dhe bilancin më të hidhur të 100 ditëve të para të këtij binomi.
100 ditë pas qeverisë Berisha-Meta, ne kemi një bilanc të hidhur në dorëzimin e drejtësisë përballë presionit politik, kemi një përkeqësim drastik të lirisë së medies, kemi një goditje të pakthyeshme ndaj lirisë ekonomike në vend dhe një rikthim të frikshëm të qëndrimeve selektive që të ringjallin mornicat e luftës së klasave 20 vite më parë. 100 ditë pas kësaj martese të dështuar, ne kemi një qeveri shumë më arrogante nga sa do ishte një qeveri e pastër vetëm me Berishën, dhe një protagonizëm qesharak të aktorëve të tjerë të pushtetit, që duan të imitojnë qendra false pushteti brenda tij, siç është rasti i zonjës Topalli.
Një gjykatë në Tiranë dje refuzoi të pranojë kërkesën e një biznesmeni për të mos i shkatërruar pasurinë, derisa çështjen ta zgjidhë gjykata, ndërsa kryeministri sot do të vizitojë një hipermarket, që është biznes i fshehur i Lulzim Bashës, Damir Fazlliçit, vajzës së tij dhe një partneri të shpikur nga krushqia e Hekuran Isait. Pra, njërit i shkatërrojnë gjithçka, dhe tek tjetri investohet gjithçka. Ne po shikojmë se si po humbet përditë integritetin profesional dhe politik ministri i Financave, i cili është kthyer në grup të gatshëm për të ndëshkuar biznese dhe medie kritike, dhe për t’i shkuar deri në fund luftës së klasave me ta.
Ne pamë dje një kryetare parlamenti thjesht injorante, që pllakave tektonike si fenomen i dinamikës gjeologjike, u thoshte “pjata tektonike” dhe me to ilustronte misionin e medies, ndërsa e njëjta “pulitikane”, siç i thotë ajo profesionit të vet, jep urdhra për bojkote në medie, sulme me gazetarët dhe merr përsipër dhe rolin e sekseres mes medies dhe Sali Berishës. Ne pamë dje një zëvendëskryeministër që zbardhte dhëmbët duke thënë që jemi gati për dialog me opozitën, ndërkohë që në emër të tij po i vihen gjoba bizneseve të mëdha, që ai ia ka rekomanduar Sali Berishës si mbështetës të Edi Ramës, dhe nga ana tjetër paraqet si vlerë të lartë politike faktin që atij i besojnë dhe politikanët serbë për dialog.
Në këto kushte të rrënimit të lirive në vend, të humbjes së garancive tek sistemi gjyqësor, të përdhunimit të lirisë ekonomike dhe sulmeve mbytëse mbi medien kritike, sikur zgjedhjet e 28 qershorit të ishin të rregullta dhe opozita të ishte normalisht në parlament, sot, pas 100 ditësh, duhet të kishte dalë nga parlamenti. Sot, pas 100 ditësh, jo vetëm opozita politike, por shoqëria shqiptare ka shumë më tepër arsye për t’u zemëruar me këtë qeveri sesa ditën e parë të kësaj martese të shëmtuar. Arroganca, me të cilën Berisha po përpiqet të bëjë presion mbi opozitën për ta shkatërruar atë, është arsye e mjaftueshme që të mbash distancën e duhur nga parlamenti, i cili është kthyer në vendin që ka rrënuar gjithë institucionet e tjera.
Sikur zgjedhjet të mos ishin prekur dhe të qeverisej kështu si po qeveriset, Ilir Meta duhet të mbante së paku distancë nga investimi i tij politik për të forcuar pushtetin personal të Sali Berishës. Është e pazakontë që një fraksion i së majtës, nëse e marrim kështu të mirëqenë, të përdoret në koalicion për të forcuar frymën radikale dhe qeverisjen e plotpushtetshme të një njeriu. Kaq të përdorur në vite s’kanë qenë as ministrat e PD dhe zyrtarë të lartë të asaj partie. Është e pazakontë që Ilir Meta, si pjesëtar bazal i koalicionit, të bëhet peshqir për të fshirë portretin e Sali Berishës dhe kur ky i fundit shpërthen në histerira gjysmë erotike, gjysmë psikike. Ne pamë se si, kur Berishës iu desh të fliste në emër të grave të ndershme kundër Edi Ramës, ai nxori Mesila Dodën, Albana Vokshin, Erla Mëhillin e ku di unë kush ka mbetur tjetër e ndershme në atë parti, dhe si për ta mbështetur dhe Ilir Meta nxori një grua me mbiemrin Kodra të fliste dhe ajo për turpet. Ky keqpërdorim ekstrem dhe kjo përpjekje për ta konsideruar bashkëpunimin me opozitën, ose si gjunjëzim, ose si eliminim, është arsye e fortë që politika të zhvillohet ende në rrugë dhe 100 ditët e para të çiftit Berisha-Meta të japin vetëm shenjat e shtatzënisë së krizës, nga e cila nuk dihet ç’lind 200 ditë më vonë.