Sikur të mos isha unë i varfër, ti nuk do t’ishe i pasur

0
23

Naser Aliu

“…sikur të mos isha unë i varfër, ti nuk do t’ishe i pasur.” Bertolt Brecht.

Zakonisht ditëve festive fetare, idivid dhe organizata, zgjohen nga egoizmi stinor dhe kapin me shqisa realitetin në shoqëri. Jo pse duan ta ndryshojnë gjendjen, por të bindur se këtyre ditëve mund të përfitohet më shumë. Ata enden prej lagje në lagje me disa artikuj ushqimor apo ndonjë copë mishi për t’i falur atij, që mishin mund të hajë një herë në vit, tani dhuruar apo falur, nga ata që hajnë apo kanë mundësi të hanë 356 herë. Mirëpo, këta dhurues, që në shikim të parë duken zemërmirë, nuk e bëjnë këtë vepër nga humanizmi.

Nëse u sjellin disa lëndë ushqimore, ata duan edhe fotografi. Prova. Dëshmi. Prova se janë njerëz të mirë dhe humanistë. Ata e bëjnë këtë në emër të fesë, e bëjnë këtë në emër të politikës. Si të parët, ashtu edhe të dytët, presin përfitime nga gjesti i tyre. Ata shesin mirësinë e tyre. Jo lirë, por shumë shtrejtë. Jo falas, por duke pritur dëmshpërblimin. Ata nuk presin t’ u kthehet e njëjta sasi e mishit, makaronave apo e bakllavës, por ata si njerëz të mirë që janë, presin dhjetëfishin. Nëse nuk janë fetarë, por politikan, atëherë nga aksioni i tyre, presin shpërblime në karrierë. Ata nuk bëjnë mirë pse e duan njeriun, ata bëjnë mirë pse e duan tepër shumë veten. Kjo është arsyeja pse u duhen fotografë dhe kamera.

Nuk janë vetëm organizata gjoja bamirëse që blejnë dhe asgjësojnë dinjitetin e njerëzve në varfëri, por edhe individ. Duan ta rrëmbejnë privatësinë e atij në mjerim. Fotografojnë hidhërimin e tij në fytyrë para dhuratave dhe ngazëllimin, gjatë pranimit të tyre. Ata fotografohen me ta. Ata fotografojnë edhe fëmijët këmbëzbathur, edhe shoqen e veshur keq, edhe dhomën pa mobilje, edhe dyshekun, edhe legenin, edhe lugët edhe gjirizin, edhe mbathjet në tel… Dhe, gjersa bëjnë ato fotografi, shpresojnë se bota jashtë do ta zhdëmtojë veprën e tyre.

I marrin fotografitë me vete dhe i vështrojnë mirë e mirë nëpër zyra apo shtëpi. Aty zgjedhin disa prej tyre, që mund të nënvizojnë më shumë mjerimin e një familje dhe bujarinë e tyre. Ata shfaqen gjoja të mërzitur, gjoja shprehin keqardhje për fatkeqësinë e huaj. E i varfëri? I varfëri ndjehet lakuriq: i padinjitet, i fotografuar jo si i pëlqen atij të prezantohet para botës: i larë, i krehur dhe veshur bukur, por sa më keq, sa më trishtueshëm dhe sa më shumë i dëshpëruar: pa jetë private, pa initimitet dhe pa integritet. Kusht për t’ u ndihmuar një herë, është fotografimi ose filmimi.

Fajet nuk i ka ai pse është i varfër, fajet i ka shoqëria që prodhon milionerë dhe varfëri. Ai shtet që prodhon milionerë politikan, është duke e ngrënë bukën e këtyre njerëzve. Ata janë të pasur, siç thotë Brecht, pse këta janë të varfër. Sidoqoftë, dhuruesi ka materializuar skamjen e tij: e ka fotografuar, është fotografuar me ta së bashku, dhe në fund, ka nxjerrë kapital duke i prezantuar botës dhuratat e veta tok me familjen e varfër. Nesër, kur të rriten ata fëmijë, mund t’ i shohin fotografitë e veta, ku u janë falur ca ushqime, në këmbim të dinjitetit.

Ata që falin në këtë mënyrë, duke bërë shou një apo dy herë në vit, ata janë vërtetë të varfër. Ata janë të mjerë. Ata janë të mjerë sepse përfitojnë nga mjerimi i huaj. Ata janë të mjerë dhe të varfër sepse pos parasë, nuk posedojnë asgjë tjetër. As shpirt! As empati! As karakter! As njerëzi! As dinjitet, por kanë vetëm synime. Ata kanë synime dhe vetëm plane për të shfrytëzuar fatkeqësinë e tjetrit, për t’ u ngritur sa më lartë nga mjerimi i atyre fëmijëve buzëvarur dhe atyre prindërve kokulur. Ata janë më të mjerë dhe më të varfër se ato familje, ku ata dërgojnë atë lëmoshë.

Politikani nuk ka për detyrë të shprehë dëshira dhe rekomandime për festa, por t’ u sigurojë qytetarëve dinjitet, duke mbledhur tatimet nga të pasurit për të ndihmuar fatkeqët dhe të papunët. Kudo paratë derdhen nga lartë poshtë, në Kosovë dhe Shqipëri, paratë nxitojnë nga poshtë lartë. Qytetari nuk ka dinjitet vetëm në ditën e bajramit, por tërë vitin. Nuk është detyrë e individëve apo shoqatava të ndihmojnë qytetarët, këtë duhet ta bëjë shteti.

I varfëri në Kosovë dhe Shqipëri humb sferën private prej atij çasti, kur pranon ndihmën e pa kërkuar. Fotografitë që bëhen në raste të tilla, flasin për mizantropinë e dhuriesit dhe poshtërimin publik të marrësit.

Njerëzit e mirë nuk falin para kamerave dhe para fotografëve. E bëjnë në mënyrë diskrete. Nuk duan të përfitojnë nga tragjedia e huaj. Të gjithë ata që dhurojnë duke u fotografuar dhe duke u filmuar, nuk do të kenë asnjë shpërblim tjetër, pos atyre fotografive. E bëjnë me prapavijë. Ata janë llogaritarë të mëdhenj. Ata presin përfitime. Ata janë shushunja. Ata shfrytëzojnë mjerimin e huaj, për të përfituar vet. Ata presin dëmshpërblim…

P.S. Pardje në një zyrë gjermane lexova këtë:

Mbreti i thotë teologut: kujdesu ti që populli të mbetet injorant, unë do të kujdesem që ai të mbetet i varfër…“ Kjo është mënyra më e përkryer për ta jetuar parajsën mbreti (politikani) dhe kleri si të gjallë, kurse populli të shpresojë se parajsë ka pas vdekjes…

Shënim: Ia kam thënë disi edhe unë këtë Ramës, por ai po merret me ndërtim xhamiash, e jo si Rilindja komnëtare dikur, kur thoshte se Feja e shqiptarit është shqiptaria!