Sikur Bouazizi të ish shqiptar

0
50

Nga: DRITAN HILA

Pak shqiptarë ja kanë fiksuar emrin, quhej Mouhamed Bouazizi, tunizian, dhe ishte vetëm 27 vjeç, kur i dha fund jetës, duke djegur veten në shenjë proteste, pas sekuestrimit të tezgës së tij, ku shiste perime. Ishte pishtari që ndezi protestat arabe. Të dielën që shkoi, tunizianët votuan për herë të parë të lirë. Ish-diktatori i tyre, Ben Ali, e la karrigen pa shumë gjak; Mubaraku i egjiptianëve, kërkoi disa qindra kokë, por hapi rrugë; ndërsa eksentriku libian Gadaf, i bëri peshqesh vetes një vdekje të dhunshme. Shoqëritë arabe, që deri në fillim të 2011-ës, konsideroheshin turma, sot respektohen.

Po nëse Mouhamedi tunizian, do kishte lindur në Shqipëri, a do kishim të njëjtin reagim? Ka gjasë, jo. Me siguri, pushteti, nuk do vononte ta shpallte të çmendur, apo stiste alibinë që djegia ish aksidentale. Do dilte shahit një komshi i tij që do dëshmonte se si kishte pasur probleme me të dashurën, kohët e fundit. Nënës së viktimës, do t’i kthenin tezgën, por nëse do fillonte të ndihej, do ja sekuestronin rishtas. Ajo e shkretë, ndryshe nga shoqet e saja nëpër botë, të cilat së paku, do gjuanin kryeministrin me domate a vezë të prishura, kishte gjasa ta pranonte kompromisin, bashkë me një kompjuter, dhuratë për mbesat e saj.

Nëse Mouhamadi, do ishte me origjinë nga veriu, kryeqytetasit do thoshin “punë malokësh, që i bëjnë gjërat në inat e sipër”; sikur të ishte nga jugu, do thoshi “ç’pati, pse nuk ja mbathi në Greqi?”; po të ishte rom, do thoshim “dava jevgjish”; nëse do ishte socialist, demokratët do ta etiketonim “komunist i ndyrë i shtyrë nga Rama”; e nëse do ishte demokrat, ekstremistët e majtë do shpreheshin “një zagar i Salës më pak”. Por pak, shumë pak, do kujtoheshin se faji është i kësaj qeverisjeje që ka kapur për fyti çdonjërin nga ne, pa dallim feje, krahine, ideje dhe po ja merr shpirtin çik e nga një çik. Në fund të asaj dite, nuk do kishim dalë në shesh, paçka se fati i Mouhamadit, mund të kishte qenë edhe yni, por, do rehatoheshim para ekraneve, duke parë kronikën e lajmeve dhe bërë komentet.
Kush dyshon, le të kujtojë se çdo ditë policia bashkiake, del e spastron trotuaret nga fshatarë që shesin prodhimet e tyre. E drejtë?! Jemi qytet europian, jo shaka?! Por askush nuk kujtohet t’ju bëjë këtyre shtetasve shqiptarë, që mbajnë frymën gjallë vetëm me ato pesë fije zarzavate, një treg apo të caktojë me ditë javore një rrugë ku të shesin, siç ndodh edhe në metropole mijëravjeçarë, prej qindra vjetësh. Dhe mbase mirë ja u bën Bashkia, pasi të gjorët fshatarët tanë, e kanë më kollaj t’i servilosen një militanti partiak të veshur me uniformë polici, se sa t’i thyejnë arkën në kokë dhe të bërtasin për të drejtën e tyre.
Ka vite që minatorët e Bulqizës, protestojnë para ministrisë së Ekonomisë apo Kryeministrisë, për trajtimin kafshëror që ju bëhet. Janë shqiptarë si ne, që flasin të njëjtën gjuhë dhe paguhen me rroga mizerabël, për të nxjerrë nga toka ar, që të hanë një copë bukë thatë. Por mbeten të vetmuar në çdo protestë të tyre. “Janë të shtyrë nga PS-ja”, “janë të ngucur nga Ylli”, “i ysht Kol Nikolla, për interesat e tij”, qarkullojnë thashethemet, duke harruar se çdo vit, në ato galeri, vdesin me dhjetëra prej tyre. Në histori, revolucione, trazira dhe përmbysje, kanë ndodhur edhe për shumë më pak se kaq; shpesh, lëvizje të mëdha, në fillesat e tyre kanë pasur si shkrepëse, zënka apo keqkuptime banale. Por ndryshimi ka qenë se popujt, aty ku ndodhte, kishin gjak të sertë. E veçanta jonë është se ne e kemi gjakun e butë dhe kurrizin e shtruar. E ca më keq, nuk duam t’ia dimë se çfarë i ndodh të ngjashmit tonë. Jemi ne që kemi fjalën e urtë, që shpreh individualizmin tonë ekstrem “Shëndosh çfarë mbyll çelësi e brenda”.
Nëntë muaj më parë, në mes të bulevardit të Tiranës, kryeministri i shqiptarëve, vrau katër nënshtetas të tij, vetëm pse kishin dalë të protestonin. Ishin katër shqiptarë, me duar në xhepa, që po ushtronin të drejtën e tyre legjitime. Pas kësaj, asgjë nuk lëvizi. Shumë, bënin shyqyr, që plumbi nuk i kapi. Harruam se, çdo plumb i dalë nga arma qeveritare, del për secilin nga ne. E shkrepur nga pushteti, është tregues se, nuk jemi më në një qeverisje të lirë, por nën një regjim. Nëse kjo do kishte ndodhur jo larg, po tek fqinji ynë grek, në Itali. Angli a Francë, nuk duhet shumë imagjinatë, për të parashikuar se nga godinat e Kryeministrive, nuk do mbetej gur mbi gur. Por ne, që nuk besojmë në Zot, vazhdojmë e lusim Zotin të na mbrojë. Ne, që gjithmonë të keqen e kemi gjetur tek të huaj, do vazhdojmë të shajmë ambasadorët, në vend që të bëjmë vet punën tonë, apo do kërkojmë se çfarë bën opozita, e ndërkohë opozitën e përqeshim kur del në shesh.
Campanjolët në Itali, nuk pranojnë plehrat e Napolit, të groposen në fushat e tyre. Bëjnë bllokadë dhe gjakosen ditë me radhë me policinë, duke e detyruar shtetin të tërhiqet dhe të gjejë një kosh tjetër. E gjejnë matanë Otrantos, në feudin e Sali Berishës, i cili për hir të pushtetit të tij është gati të pranojë që t’ia hedhin mbi kokë. Bëmat e tij, i mbrojnë pronarë universitetesh private, që dalin çdo ditë në televizionet, të shtirë si opinionist a gazetarë. Edhe këta nga halli e bëjnë, për të mbrojtur bizneset e tyre. Po neve, si nuk na digjen ekranet, kur harxhojmë kohë duke dëgjuar këta mercenarë?
Dy vjet më parë, qeverisja e paguar për të mbrojtur vendin, u zu me presh në dorë, duke dorëzuar ujërat territoriale, tek fqinji grek. Nëse do ndodhte e kundërta, që Karamanlisi, të dorëzonte tokë greke, sot nuk do dihej se ku do kishte as eshtrat. Por për ironi të fatit, dhe turpin tonë, Berisha, vazhdon të shajë e nëmë të tjerët, pa u skuqur nga turpi. Fundja kush e humbi turpin, që ta gjejë ai. Në Boboshticën e Korçës, vendin ku grekët përdhosën varre, u shtrua drekë për të përcjellë një konsull të Greqisë, i cili thoshte hapur se jugu ynë, është grek. Ura e miqësisë, që duhet të jetë një diplomat, ishte veç një urë zjarri. Por njeriu vulgar, i cili gjithë kohën ri i veshur me tuta, në vend se ta linte këtë tokë, i përzënë nga ministria e Jashtme e Shqipërisë, siç e meritonte, përkundrazi, e mbaroi mandatin, duke poshtëruar haptas sovranitetin e dinjitetin tonë, dhe ca më keq, i sajdisur edhe me drekë lamtumire. Sikur ambasadori ynë në Greqi, të kishte guxuar e thoshte qoftë dhe gjysmë fjale, për arbëreshët e Moresë, a çamët e Thesprotisë, do ta kapnin për zverku, e brenda natës do ta shkarkonin në Kakavijë. E ne prapë do rrinim si bufi, e do shikonim si na poshtëronim.
Thonë që dikur ky vend ka pasur ca njerëz që mprehin brirët edhe me perandori; tregojnë se ka qenë banuar nga krijesa, që zgjodhën malet, për mos humbur dinjitetin dhe lirinë e tyre. Mbase ka qenë kështu, por kam frikë se shpirtrat e tyre, sot janë arratisur, s’dihet se ku. Mbase edhe ndër arabë, e njëri ndër ta kishte hyrë në trupin e Mouhamadit nga Tunizia. Por është e sigurt që nuk janë më këtu. E në qofshin, po flenë gjumë, duke pritur kush e di se çfarë.