Nga Mero Baze, 18 Janar 2012
Miliona shqiptarë kanë përpirë intervistën tuaj zoti ambasador tek Zëri i Amerikës, e cila i bënte autopsinë trupit të vdekur të demokracisë shqiptare. Pak më shumë se një vit që kur ju jeni larguar nga ky vend, të gjithë sëmundjet që ishin shfaqur në trupin e demokracisë, kanë evoluar.
Ju ishit ambasadori që inkurajuat prokurorinë të hetonte tragjedinë e Gërdecit. Ju ikët duke thënë se ky do të jetë test për shtetin ligjor në Shqipëri pasi bashkon korrupsionin politik me tragjedinë njerëzore. Ju thatë se ky do të jetë testi që do të provojë funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. E kemi humbur këtë test. Asnjë hetim për lidhjet politike me korrupsionin në Gërdec nuk u bë, edhe pse në zyrën tuaj gjeneralët e ushtrisë janë rrëfyer për përfshirjen e djalit të kryeministrit në atë histori dhe rolin diktues antiligjor të ministrit Mehdiu.
Ju ishit ambasadori që bëtë betejë publike për pavarësinë e gjyqësorit dhe mosndikimin e pushtetit politik në të. Ju bëtë betejë me kryeparlamentaren dhe kryeministrin Berisha kur ata hezitonin t’i hiqnin imunitetin Lulëzim Bashës apo Fatmir Mediut dhe kur kërkonin t’i diktonin prokurorisë akuzat. Duke ikur ju thatë se ky do të jetë testi për të ardhmen e demokracisë shqiptare. E kemi humbur. Sot gjykatat shqiptare, që nga shkallët e para e deri tek Gjykata e Lartë, janë kthyer në një paçavure që pastron fytyrën e pistë të pushtetit, dhe gjyqtarët e Shqipërisë, që nga më i thjeshti deri tek kryegjyqtarja e Gjykatës së Lartë, ngjajnë si shërbëtorë pa dinjitet të pushtetit.
Ju ishit ambasadori që përshkruanit aq bukur në letrat tuaja panoramën e vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Kishit më shumë fantazi seç duhet. Pasi ikët ju, në Shqipëri zgjedhjet nuk u vodhën më me ato marifete. Ato u bënë të gjitha, por pushteti nuk fitoi. Dhe u detyrua ta rrëmbejë mandatin në sytë e të gjithëve, edhe pse dhjetë votat e fundit i numëroi pasardhësi juaj në Tiranë. E kemi humbur dhe këtë test.
Ruaj një respekt të thellë për ju, për angazhimin personal që bëtë në Tiranë për lirinë e shtypit. Jeni i vetmi ambasador i SHBA që keni dalë nga shtëpia juaj në mëngjes apo mbasdite për të denoncuar dhunën mbi gazetarët apo presionet e shtetit mbi ta. Më keni ofruar mbështetje si ambasador i SHBA kur një gangster i pushtetit më sulmoi mua dhe dy kolegët e mi në një klub të Tiranës, për shkak të raporteve denoncuese për një histori korrupsioni që lidhte kryeministrin me privatizimin e ARMO-s.
Keni dalë krah meje përballë gazetarëve dhe keni bërë thirrje për gjykim të ndershëm. Dhe atëherë theksuat se dënimi i fajtorit do të ishte një test për lirinë e shtypit në Shqipëri dhe rrugën ku do të shkonte Shqipëria. E kam humbur dhe atë gjyq zoti ambasador nga një gjykatës që nuk ka besuar as dëshminë time, as dëshminë e policisë, as dëshmitë e gazetarëve, por vetëm agresorin milioner.
Më tej një piramidë e tërë gjyqësori është turrur ndaj meje dhe kolegëve të mi kritikë me qeverinë me gjyqe që përfundojnë me gjoba marramendëse, me gjyqe që bëhen fshehur, në mungesë, pa na vënë në dijeni, me gjyqe të cilat Gjykata e Lartë i miraton duke mos përfillur ankesën tonë. Edhe kur socialistët kanë qenë në pushtet vite më parë, ne gazetarët kemi pasur gjyqe, por Gjykata e Apelit, dhe sidomos Gjykata e Lartë, nuk lejonte kurrë dënime drakoniane për të ashtuquajturën fyerje dhe shpifje me shifra që shkojnë në një gjyq 300 mijë dollarë. Shpresa Becaj dhe gjykata e saj tani i lejojnë dënimet vetëm për gazetarët. Hajdutët, trafikantët e drogës dhe pushtetarët që denoncohen nga media, dalin të pafajshëm.
Sot zoti ambasador unë jam i dënuar me shuma që shkojnë deri në 500 mijë dollarë po t’i mbledhësh kërkesat e paditësve, vetëm pse kam denoncuar korrupsionin dhe lidhjet e pushtetit me krimin, ndërsa e njëjta gjykatë, Gjykata e Lartë e Shqipërisë, ka konsideruar të pafajshëm një zëvendëskryeministër, i shfaqur nga kolegët e mi me zë dhe fytyrë duke bërë pazare të pista, një njeri, i cili ka punuar gjithë jetën vetëm deputet, ministër dhe kryeministër, dhe është sot miliarder i Shqipërisë. E kemi humbur dhe këtë test.
Ajo që po mendoja ndërsa dëgjoja intervistën tuaj është nëse ne do të kishim fatin që ju të ishit ende ambasador në Shqipëri, a do të kishim dështuar?
Besoj se po. Kjo është dhe arsyeja që më bind të jem mospajtues ndaj gjithë atyre që mendojnë se Sali Berisha ka vrarë, ka vjedhur dhe ka dërrmuar shtetin shqiptar, për shkak se ambasadori Arvizu nuk ka qenë kritik apo ambasadorët e tjerë kanë qenë luajalë ose hipokritë me të.
Është e vërtetë se ju e njihni mirë Sali Berishën dhe nuk do t’i thoshit burrë shteti pas 21 janarit, por kjo s’do ta pengonte atë të bënte ato që bëri. Thjesht ne do ishim të zemëruar vetëm me Berishën. Ju me siguri që nuk do ta miratonit rezistencën e tij fatale antikushtetuese për të mos dorëzuar gardistët e dyshuar për vrasje, por kjo nuk do ta pengonte atë të mos i dorëzonte. Ju natyrisht do na kishit dhënë më shumë shpresë dhe do na kishit fokusuar vetëm tek një fajtor, tek Sali Berisha, por nuk do të na kishit shpëtuar dot. Edhe sot që je kaq larg dhe kaq i kthjellët, nuk e ndalon dot Sali Berishën dhe pushtetin e tij të ndalë deformimin e madh të demokracisë dhe rrugës perëndimore të vendit.
E vetmja gjë që ka ndodhur është se ambasadori Arvizu ka shpëtuar nga akuzat për politikë personale, apo për “diplomaci altoparlanti”, siç jeni akuzuar ju. Por rezultati është i njëjtë. Sali Berisha është dakord me SHBA, dakord me Brukselin, dakord me OSBE-në dhe Këshillin e Evropës, dakord me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, me kushtin e vetëm që të gjithë rregullat dhe standardet e tyre të mos i rrezikojnë pushtetin. Por standardet e Perëndimit dhe standardet e Berishës janë të dënuara të përplasen me njëri- tjetrin dhe ndaj ne jemi të dënuar t’i largohemi Perëndimit, jo për faj të tij, jo për faj të ambasadorëve, por për fajin tonë që pranojmë të qeverisemi prej tij. Ashtu sikur ju e kishit thënë aq thjesht, ne po i ngjajmë përditë e më shumë Rusisë së Putinit, Ukrainës së Janukoviçit dhe Hungarisë së Orbanit.
Dy ditë para 21 Janarit, intervista juaj na e bëri më të prekshme boshllëkun që keni lënë në betejën shqiptare për një vend normal, të lirë dhe demokratik, dhe më tragjik bilancin e degradimit të demokracisë. Sali Berisha është i vetmi udhëheqës evropian që ka vrarë demonstrues pas rënies së komunizmit në vitin 1990. Ka vrarë dhe po tenton të vrasë dhe dëshmitarët që kanë vrarë. Kam frikë se do t’i vriste dhe nëse ju do të ishit këtu. Por ne nuk do ndjeheshim dhe aq vetëm.







