Dr. Adem Harxhi, 09.11.2013
-Për vende me popullsi të varfër, siç është Shqipëria, shërbimi shëndetësor i blerë përmes kompanive të sigurimeve është i papërshtatshëm. Siç dihet, tanimë, shumë përfaqësues të së djathtës shqiptare, duke sjellë argumente të pabaza, kanë mbrojtur fort sistemin e sigurimeve shëndetësore dhe janë shprehur kategorikisht kundër programit të Partisë Socialiste për mbulimin shëndetësor universal. Më 9 Shkurt të vitit 2013, njëri nga ideatorët reformës shëndetësore në Shqipëri, z. Tritan Shehu, në artikullin “Sistemi shëndetësor dhe “Kasapi”, e sulmoi ashpër programin e PS-së për Shëndetësinë. Sa për ilustrim, nga artikulli i z. Shehu, zgjodha paragrafin e më poshtëm, të cilin e sjell ad literam:
“…etatizëm absolut, centralizim ekstrem, slogane komuniste për një shëndetësi “falas”, gënjeshtra pa asnjë argumentim, si ato që kemi dëgjuar në atë regjim”dhe ai vazhdon: “Në fakt, të dyja këto prerogativa (cilat prerogativa?) nuk janë gjë tjetër veçse simptoma të një politike të tejkaluar tashmë, së bashku me regjimin centralist që i krijoi dikur, të papërsëritshme më në një vend ku dominon ekonomia e tregut, liria e individit, lëvizja e lirë, e drejta e pacientit për përzgjedhjen e shërbimit shëndetësor që ai preferon, konkurrenca, pra, me një fjalë, demokracia”. Diku gjetkë z. Shehu e ka quajtur mbulimin universal, “Kthim i turpshëm në shëndetësinë publike”. Me këtë, ai hedh baltë mbi punën e madhe dhe sakrificat e panumërta që kanë bërë punonjësit e shëndetësisë në atë kohë. Ishin punonjësit e shëndetësisë, që u shërbyen të sëmurëve e të shëndoshëve, si “shërbëtorë” të tyre të respektuar. Ishte puna vetëmohuese, plot pasion e dashuri dhe pa incentiva financiare e punonjësve të shëndetësisë, që bëri të mundur, edhe në ato kushte me mungesa të mëdha materiale, të arrinin suksese. Dhe sukseset nuk ishin të vogla. Spitalet ishin spitale, poliklinikat ishin e funksiononin si të tilla. Në çdo cep të vendit kishte mjekë e personel të mesëm. Ngado, shikoje e dëgjoje të sëmurë të kënaqur prej punës së këtyre njerëzve të përkushtuar. Është për t’u çuditur, por këto arritje të punonjësve të shëndetësisë dje, sot, i mohojnë e i anatemojnë ata, që përfituan më shumë nga ai sistem dhe nga ajo shëndetësi. Nuk ia vlen të polemizosh me autorin e rreshtave më sipër, që Francën, Italinë, Kanadanë, Suedinë, Anglinë, Turqinë, Japoninë e shumë vende të tjera, që kanë sistem universal për kujdesin shëndetësor, i konsideron si vende “ku nuk dominon ekonomia e tregut, ku mungon liria e individit, ku nuk ka lëvizje të lirë, ku pacienti nuk e zgjedh dot shërbimin shëndetësor që ai preferon, ku mungon konkurrenca dhe demokracia”.
Me sa duket, vetëm, Shqipëria “demokratike” e z. Shehu e kompani, në perceptimin e tyre halucinant, i ka të gjitha këto vlera të demokracisë. Nuk ka dyshim, se kjo e gjitha është farsë, propagandë bajate, mbrojtje e interesave financiare të një kaste në kupolë, gjithnjë, në dëm të qytetarëve shqiptarë. Por z. Shehu nuk është i vetmi, ka edhe shumë të tjerë, që i bien këtij avazi dhe mundohen të çoroditin mendjet e papërgatitura dhe skeptikët. Qeveria demokratike Berisha, bëri gjithçka me paratë e taksapaguesve shqiptarë, vetëm reforma në të mirë të shtresave në nevojë nuk ndërmori. Me paratë e popullit, ata ndërtuan rrugë e tunele shumë të shtrenjta, projektuan Parlament luksoz, stadium, blenë makina të markave të fundit, blenë pajisje marramendëse zyrash, kryen udhëtime e shërbime fantastike për veten, bënë mitingje plot ahengje me këngëtarë të paguar, por, kurrsesi, nuk ndërmorën reforma në fushat sociale. Si qytetar, si mjek i vjetër, si pacient shumë vjeçar, si njeri pa asnjë lloj interesi e pretendimi personal, veç dashurisë për qytetarët dhe të sëmurët, dua t’u kujtoj drejtuesve të rinj të shëndetësisë, një mendim që Ajnshtajni e ka thënë shumë vite më parë dhe unë e perifrazoj: “Ata që e bënë keq, nuk duhet t’u besohet ta ribëjnë, sepse përsëri do ta bëjnë keq”. Madje, për mua, do të përpiqen ta sabotojnë. Që të zbatohet në shëndetësi shërbimi i mbulimit universal, i barabartë dhe i drejtë për të gjithë, në radhë të parë duhet të formohet bindja se ky sistem është efektiv dhe plotësisht i realizueshëm edhe në Shqipëri. Këtë bindje duhet ta ketë qeveria, të gjithë qytetarët dhe veçanërisht, punonjësit e shëndetësisë. Doktorët, klinicistët dhe drejtuesit e shëndetësisë, duhet të jenë promotorë të flaktë dhe të përpiqen ta implementojnë këtë sistem. Ata duhet të jenë të bindur për drejtësinë e këtij shërbimi. Kjo nuk duhet kuptuar sikur ndërron flamurët që mban në duar. Kjo është çështje botëkuptimore. Kundërshtarët e sistemit të mbulimit shëndetësor universal, që të bindin opinionin, na thonë se aplikimi i sistemit shëndetësor të sigurimeve shëndetësore, është rekomandimi i Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Këto pohime nuk janë të vërteta. Ato janë mashtrime të pizevengëve politikë. Për të kuptuar të vërtetën, ju rekomandoj të lexoni artikullin e revistës mjekësore prestigjioze amerikane “JAMA”, (Volume 310, Nr. 9, faqe 901,të datës 4 Shtator 2013). Pra, vetëm dy muaj më parë, me titull: “Poverty, health and societies of the future”(“Varfëria, shëndeti dhe shoqëritë e së ardhmes”), të shkruar nga dy personalitete: Jim Yong Kim MD. Ph.D nga Ëorld Bank Group, Ëashington DC dhe Margaret Chan, MD nga Ëorld Health Organization, Geneva Sëitzerland. Këta dy autorë, përfaqësues të dy organizatave më të rëndësishme botërore, ndryshe nga Tritan Shehu dhe ata që i shkojnë prapa, janë mbështetës të sistemit shëndetësor universal, që kontribuon në eliminimin e varfërisë ekstreme kudo nëpër botë.
Për ata që nuk kanë mundësi të lexojnë artikullin e plotë në revistën JAMA, po përpiqem të sjell disa nga idetë kryesore të autorëve:
1-Çdo vend në botë, i ka mundësitë për të përmirësuar performancën e sistemit të tij shëndetësor, duke vendosur mbulimit universal me tre dimensionet e tij: akces, kualitet, dhe përballim (affordability). Prioritetet, strategjitë dhe planet e implementimit, do të ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Në të gjitha rastet, vendet duhet t’i lidhin planet shëndetësore me të dhënat e tyre ekonomike.
2-Sistemi financiar për shëndetin, në shumë vende, zbraz xhepat e pacientëve, tamam, atëherë, kur atyre u duhet kujdesi shëndetësor. Kjo i zhyt pacientët në varfëri, në vend që t’i mbrojë nga vështirësitë financiare, kur ata, më shumë se kurrë, kanë nevojë për ndihmë më të madhe.
3-Për t’i dhënë fund varfërisë dhe për të ngjallur prosperitetin për të gjithë, vendet duhen të rriten ekonomikisht. Për të realizuar rritjen ekonomike, ato duhet të ndërtojnë kapitalin human përmes investimeve në shëndet, në edukim dhe në mbrojtjen sociale për të gjithë qytetarët e tyre. Për të çliruar botën nga varfëria ekstreme deri në 2030, vendet duhet të sigurojnë për të gjithë qytetarët e tyre akses në shërbimet shëndetësore të barabarta dhe të përballueshme. (affordable)
4- Qëllimet e mbulimit universal, koincidojnë dhe kombinohen me aspiratat që kanë doktorët dhe klinicistët:
a-Që të gjithë njerëzit të kenë akses në shërbimet shëndetësore me kualitet.
b- Që të gjithë njerëzit të jenë të mbrojtur nga rreziqet shëndetësore publike.
c- Që të gjithë njerëzit të jenë të mbrojtur nga varfërimi që u sjellin sëmundjet.
Ky varfërim vjen në dy mënyra: a-nga nxjerrja e parave prej xhepit, kur u duhet të paguajnë për shërbimin shëndetësor, b-nga humbja e të ardhurave, kur një pjesëtar i familjes sëmuret, ose aksidentohet.
5- Lajm i mirë është fakti, se shumë vende i kanë arritur këto qëllime, dhe me masat që kanë marrë, kanë arritur progres të shënuar. Turqia për shembull, e shpalli Programin e Transformimit Shëndetësor të saj në vitin 2003. Ata krijuan mundësi, ofruan akses dhe shërbime shëndetësore me kualitet, për të gjithë. Në Turqi, më shumë se 95 përqind e popullsisë është e mbuluar me shërbim shëndetësor falas. Midis viteve 2003 dhe 2010, mortaliteti infantil në Turqi u ul më shumë se 40 përqind.
6- Reforma e mbulimit universal në Tailandë filloi në vitin 2001. Programi i saj e rriti ndjeshëm kujdesin shëndetësor, veçanërisht, për ata që më parë nuk kishin sigurime shëndetësore. Kështu, që nga viti 2009, programi i ri mundësoi që më shumë se 300,000 tajlandezë, që më parë ndesheshin me kostot katastrofike të kujdesit shëndetësor, tani, të jenë të çliruar nga këto shpenzime. Tailanda, në fakt, e shpalli programin e saj të mbulimit universal, pavarësisht, shqetësimeve për aftësitë e saj fiskale, që fillimisht i ngriti Ëorld Bank Group. Udhëheqësit e shëndetësisë të Tailandës ishin të determinuar të vepronin me kurajë, për të dhënë akses për gjithë popullatën. Sot, bota, mëson nga shembulli i Tailandës.(A nuk ngre shqetësimin financiar Tritani dhe i gjithë korri që e mbështet?)
7-Sot, si kurrë më parë, ekzistojnë mundësitë për të bashkuar përpjekjet për shëndetin global dhe luftën kundër varfërisë, nëpërmjet veprimeve që fokusohet në qëllime të qarta. Të dy aspiratat madhore–e drejta për shëndetin dhe dhënia fund varfërisë ekstreme- duhet të shihen si një gjë e vetme, që mund të realizohen,vetëm, përmes mbulimit shëndetësor universal.
8- Edhe pse nuk ka një rrugë të vetme drejt mbulimit shëndetësor universal, ka një fushë shkencore, që gjeneron evidenca dhe mjete, që vendet të zgjedhin opsionet për shëndetin global.
9- Duke inkurajuar vendet drejt mbulimit shëndetësor universal, Grupi i Bankës Botërore dhe OBSH, do të ndërmarrin bashkë dhe në partneritet me të tjerë, kudo në botë, dy sfida, që në thelbin e tyre, kanë të bëjnë me arritjen e qëllimit për të luftuar varfërinë dhe për të arritur prosperitet për të gjithë.
Sfida e parë. Duhet të sigurohet që asnjë klinicist, kudo në botë, nuk duhet të pranojë të përballet, akoma, me një familje që të jetë e detyruar të zhytet në varfëri për arsye të shpenzimeve që i duhen për kujdesin shëndetësor. Sot, shpenzimet nga xhepi për shërbimin shëndetësor, detyrojnë 100 milion njerëz të bien ne varfëri ekstreme çdo vit dhe krijojnë vështirësi të mëdha financiare për 150 milion të tjerë. Ky është një problem shumë i madh, siç është po aq i madh edhe ankthi i varfërimit, që e rëndon sëmundje e tyre. Vendet mund t’i japin fund kësaj padrejtësie, vetëm, duke futur ato modele të financimit të shëndetësisë që kanë po të njëjtën vlerë edhe si masa mbrojtëse sociale për familjet vulnerabile. (Sa shqiptarë nuk përballojnë dot shpenzimet për shërimin nga sëmundjet!?)
Sfida e dytë: Duhet të mbyllet humnera e pabarazisë që ekziston në aksesin për shërbime klinike dhe të krijohet mbrojtje shëndetësore publike për më të varfrit, që përbëjnë 40% të popullatës në çdo vend. Përmirësimi i mbulimit shëndetësor dhe rezultatet e tij tek njerëzit më të varfër të çdo vendi, janë me shumë rëndësi për të ndërtuar kapacitetet dhe aftësimin e tyre për të garuar për punë të mira, që do të ndryshonin jetët e tyre. Mbyllja e humnerës shëndetësore është e domosdoshme, për të ngushtuar pabarazinë ekonomike, për të energjizuar ekonominë e vendit dhe për të ndërtuar shoqëri, në të cilat, gjithkush, ka një shans të mirë e të barabartë.(A e përfytyroni sa e tmerrshme është kjo humnerë në Shqipëri, ku disa të privilegjuar kanë luksin të mjekohen në klinikat më të shtrenjta të botës, kur shumica e popullit nuk ka mundësi të mjekohet as në kushtet e rënda të shërbimit shëndetësor shqiptar!?)
10-Ka shumë pengesa në rrugën për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme, lulëzimit të prosperitetit dhe arritjes së mbulimit universal të shëndetit. Klinicistët duhet të vazhdojnë të udhëheqin në rrugën për ofrimin e shërbimit me kualitet të lartë për pacientët dhe të kërkojnë që të gjithë pacientët, pavarësisht, nga klasa ose nacionaliteti, e meritojnë shansin për jetë të shëndetshme. Arritja e përmirësimit të shëndetit për të gjithë, kërkon që shëndeti i barabartë dhe transformimet ekonomike, të ndërtohen si një strukturë e vetme, si një kështjellë ku do të strehohen jetët e gjeneratave të ardhme. Këto janë konsideratat më të fundit të Bankës Botërore dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të paraqitura në artikullin e sipërcituar.
Pas këtyre konsideratave të Bankës Botërore dhe OBSh, kuptohet se sa pa baza dhe gënjeshtare janë deklarimet e Z. Tritan Shehut, kur i drejtohet Kryeministrit Rama lidhur me shërbimin shëndetësor universal: ” Rama kërkon të eliminojë sistemin e sigurimeve dhe kontributet direkte. “Përgjegjësi” e madhe kjo! Ndoshta kjo vjen nga padija, nga egocentrizmi apo nga të dyja bashkë.” Tani, shpresoj, që për të gjithë të jetë e qartë, se kush janë të paditurit, egocentristët dhe pizevengët, që për përfitime personale, nuk përfillin dhe nuk duan t’ia dinë për shumicën e njerëzve, që jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Kjo bëhet shumëfish më e rëndë, kur doktorë dhe profesorë, mundohen t’u heqin shumicës së popullsisë të drejtën për shërim falas dhe të barabartë.