Si vlerësohet Shqipëria në një reportazh të botuar në Huffington Post?

0
47

TemA, 17 Korrik 2013

Blogu i njohur, Huffington Post, publikon një reportazh nga Stewart Sverdlov, që ndërmerr një udhëtim nga Amerika në drejtim të Ballkanit.

Pas vlerësimeve për Maqedoninë, të cilin autori e cilëson si një vend të mrekullueshëm për t’i vizituar, ku qytetarët perëndimorë gjejnë veten, ai vjen në Shqipëri.

Tjetra në radhë është Shqipëria misterioze. Ky vend nuk ka qenë pjesë e ish- Jugosllavisë, por ka qenë e rreshtuar me Kinën e Kuqe për dekada. Zonat rurale janë të mrekullueshme dhe çmimet janë shumë të ulëta.

Rrugët janë të ngushta dhe të pjerrëta, duke gjarpëruar mes maleve. Nëse ke një kamion ose autobus përballë, kaq ishte! Por shoferët shqiptarë i shmangin këto kthesa dhe në mënyrë të verbër kalojnë nëpër kthesat e forta dhe maloret e vështira. Mbrojtëset anash rrugës janë shumë të ulëta dhe nuk do e ndalonin një makinë që të rrëshqiste poshtë.

Kryeqyteti, Tirana, është një rrëmujë. Rrugët përfundojnë krejt papritmas, ndonjëherë edhe në ndonjë grumbull plehrash. Askush nuk flet anglisht apo ndonjë gjuhë tjetër, përveç gjuhës shqipe, që është një formë e greqishtes së vjetër. Ata janë në periudhë zgjedhjesh dhe pasi ne u larguam, pati një përplasje me armë dhe një politikan u vra!”, shkruan autori për Shqipërinë./ep

—————

Huffpost.com: Ballkani (dhe Shqipëria e Kosova) në sytë e një “turisti” amerikan

ResPublica.al, 17 korrik 2013

Zagrebi është alamet qyteti, plot me histori; do të ishte mirë të rrinim ca më shumë në atë qytet, por agjenda nuk na lejonte”, thotë në shkrimin e vet të publikuar dje në huffpost.com autori Stewart A. Swerdlow. Ky i fundit ka bërë një udhëtim në Ballkan. S’ka qenë vetëm. Kanë qenë një grup, e kanë udhëtuar me makinë nëpër rrugët e gadishullit tonë.

Beogradi është një qytet i rrëmujshëm dhe si i palidhur. Ushqimi dhe vera serbe ishin fantastike”, shkruan ai për stacionin e dytë të tour-it të tij. Po pastaj? Pastaj vjen Kosova. “Të kaloje kufirin mes saj e Serbisë ishte e sikletshme. Trafiku në Prishtinë ishte i rënduar; ishte si të ishe në Manhattan në orët e ngarkuara të trafikut, veçse semaforët nuk punonin. Duhet të ketë pará të madhe në Kosovë, pasi njerëzit ishin të veshur mirë, kish ndërtime dhe makina luksoze”, thotë autori.

Në Maqedoni, agjenda e udhëtimit e ka dashur që të ndalen në Ohër, dhe përshtypjet s’janë të mira, me rrugë të ngushta, me kamarierë që s’shërbejnë mirë, etj. Por për Maqedoninë ekzistojnë fjalë të mira: “është një vend i mrekullueshëm”.

Dhe ja, ku hyhet në Shqipërinë e mistershme, me çmime të ulta, me zonat e bukura rurale, me rrugë të ngushta, me shoferë që dinë t’ia dalin në këto rrugë, ku mbajtëset në anë të rrugës si zor të të mbajnë. Po Tirana? “Në Tiranë askush nuk flet anglisht (!!), shqipja është një formë e greqishtes së vjetër (!!). Është fjala për një qytet të sunduar nga një tollovi e vërtetë, dhe rrugët ku ti ecën ndonjëherë mbyllen papritur, e përpara të del një grumbull plehrash (sic!).“

E në fund autori vijon me Malin e Zi e me Bosnjën.

Re.Pu.