Si “vajzë e babit”, jo si “vajzë e kryeministrit”

0
39

Nga Tema

Vajza e kryeministrit, Sali Berisha, është përfshirë dje në fushatën kundër gazetarit dhe drejtorit të gazetës “TemA”, Mero Baze. Shfaqja e saj publike pasoi mediokritetin shokues dy avokatëve të tjerë të Rezart Taçit në një TV të Tiranës, të cilët kanë filluar të shpikin dhe skena të ngjarjes, me shpresë se mund t’i blejnë të vërtetën me pará.

Vajza e kryeministrit përpiqet të shfajësohet se nuk është avokate e Rezart Taçit.

Në të vërtetë ka shumë biznesmenë shqiptarë të mëdhenj që janë dhe nuk janë klientë të vajzës së kryeministrit. Ka biznesmenë që marrin fabrika çimentoje, fshatra turistikë, licenca hidrocentralesh apo tregtie nafte që nuk e deklarojnë që janë klientë të zonjës Malltezi dhe mbajnë avokatë të tjerë formalë, kurse atë e paguajnë me një taksë fikse në muaj që t’u zgjidhë problemet në rrugë ligjore. Rezart Taçi ishte një prej tyre. Nëse zonja Malltezi nuk e ka deklaruar në Tatime zotin Taçi, kjo është një çështje e evazionit të saj fiskal. Ajo nuk ka deklaruar atje as shërbimet që i ka bërë kompanisë që mori kaskadën e Devollit, as Bashkim Ulajt, që mori fabrikat e çimentos, as Samir Manes, që po merr fshatra turistikë në Lezhë, as këtij biznesmeni, që po i botojmë korrespodencën me Argita Berishën, të cilit i kërkon 30 milionë euro në një faturë.

Argita Berisha, për shqiptarët që nuk e njohin, është një avokate e thjeshtë, që punon e vetme, që e ndihmon i vëllai dhe që paguan taksa sa një person fizik. Ky është dhe një nga turpet e mëdha të qeverisjes së Sali Berishës. Avokatët që punojnë në dispozicion të saj janë dhe konsulentët kryesorë të qeverisë shqiptare nëpër borde ministrish dhe hartues ligjesh për koncesionet. Mënyra se si Argita Berisha përpiqet të fshehë aktivitetin e saj ekonomik është një problem i hetimeve që duhet të hapen në këtë vend kundër saj, natyrisht, sapo të vritet frika nga babai i saj.

Së dyti, Argita Berisha është një person që duhet të thirrej në pyetje në vend të Flutura Kolës, koleges së saj të zyrës, pasi ajo është përfaqësuesja ligjore e biznesit të Damir Fazlliçit, dhe ka tërhequr nga llogaritë e tij private pará të padeklaruara për nga burimi i fitimit. Ajo është de facto pronare e bizneseve të tij, dhe përmes pushtetit politik bllokoi hetimet duke djegur afatet.

Gazeta “TemA” do t’ia rikujtojë prej nesër lexuesit këtë histori të dhimbshme të drejtësisë shqiptare.

Dhe së fundmi zonja Argita gënjen pa iu dridhur syri, kur thotë se zoti Mero Baze ka qenë klient i saj. Shpikjet e saj për përpjekje për të shitur dhe blerë gazetën pa lekë, janë qesharake dhe shumë të verifikueshme. Biznesi i gazetës “TemA” është shitur në vitin 2005 dhe kompania që e ka blerë, ka pezulluar aktivitetin në vitin 2007.

Titulli Gazeta “TemA” është pronësi intelektuale e Mero Bazes dhe ky titull mund të botohet nga çdo kompani që ai dëshiron të bashkëpunojë. Nëse zonja Argita do të shfajësohet dhe të thotë që nuk kam ndonjë dokument, se nuk e kam pasur të regjistruar si klient, atëherë ajo duhet të dënohet për fshehje të të ardhurave ose duhet të pranojë se dhe Rezart Taçin, dhe biznesmenët e tjerë, të cilëve u merr gjoba të rregullta mujore, nuk i deklaron.

Së fundmi na vjen mirë që vajza e kryeministrit e ka problem të jetë tanimë avokate e Rezart Taçit. Figura e tij si bandit natyrisht që i prish imazhin. Do t’i luteshim të këshillonte dhe nënën e saj, Liri Berisha, të kthente paratë që ka marrë nga persona në kërkim dhe njerëz të Rezart Taçit, që kanë marrë pjesë në aktin e shëmtuar, kur ka bërë mbrëmje bamirësie, me ardhjen e Milanit në Shqipëri. Do t’i luteshim po ashtu t’i thoshte dhe babait të saj ta mbronte deklaratën që ka bërë për këtë person si kontrabandisti më i madh i naftës në vend në vitin 2005, dhe të tërheqë deklaratën se nuk ka thënë për Taçin, por për Cacin.

Kështu Argita do të bëjë ndonjë punë të dobishme duke u përpjekur të ndreqë diçka si vajzë e kryeministrit. Por duke shpifur thjesht na kujton babanë e saj, dhe atë për fat të keq e kemi çdo ditë në televizor, s’ka nevojë të dalë dhe e bija.