Si u vra Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja

0
59

Mes gurëve plumbave dhe zjarrit të 21 Janarit

Nga Prec Zogaj, 19 Janar 2013

Shumica e demonstruesve kishin zënë gojët dhe hundët me shalle dhe shami, ca të tjerë duke përdorur kindat e xhaketave, palltove dhe pardesyve. Ngjanin të ngathët e të turbulluar si në gjendje nokdauni. Gjithë ai shkretim dhe ngadalësim i botës rreth e rrotull sillte diçka nga imazhet e një shpërthimi kimik. Njerëzit dukeshin sikur po përpiqeshin të dilnin nga një jerm, nga një përçudnim.

Kisha parë lloj-lloj skenash në protestat dhe demonstratat e zhvilluara në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit: shtyrje, goditje të ndërsjella mes demonstruesve dhe policëve, deri shkëmbim zjarri mes tyre. Kisha marrë pjesë në protestat më të mëdha të dy dekadave të tranzicionit, kisha jetuar nga fillimi në fund demonstratën e 28 majit 1996, dy ditë pas zgjedhjeve të manipuluara të 26 majit; kisha parë zvarritjen e Blendi Gonxhes dhe Arben Imamit nga bashibozukët e atëhershëm të qeverisë, kisha parë rrahje të poshtra dhe marrje me forcë të demonstruesve të thjeshtë në komisariate ku vazhdonin t’i rrihnin pa mëshirë; kisha parë shpërndarje të rrëmujshme protestash, ikje me nxitim dhe me vrap të qindra mijëra njerëzve sa në një rrugicë në tjetrën, për t’u shpëtuar shkopinjve të gomës dhe marrjes me furgona në komisariate. Por ishte hera e parë që shihja një demonstratë të platitur, sureale, sikur sapo e kishte çelur një vezë e stërmadhe.

Mijërat e njerëzve me fytyrat e mbuluara qëndruan ashtu disa minuta, sikur po njiheshin me botën e re dhe po vlerësonin rrezikun. Pastaj një si shkundje e përgjithshme i ktheu sërish me fytyrë nga Kryeministria. Filluan të lëviznin drejt saj, duke nxitur njëri-tjetrin, kësaj radhe me një vendosmëri më të madhe. Kishin radhën për të kthyer goditjen.

Në atë orë, në trotuarin para Kryeministrisë nuk kishte më forca policie. Siç u pa më vonë, qëkurse kishin hedhur gazin ata të tarracës, policët ishin tërhequr në pjesët anësore ose të prapme të godinës. Stafetën e mbrojtjes së asaj godine e kishin marrë trupat e Gardës që po lëvrinin në rrethimin e brendshëm të saj. Atje u sulmuan nga një re gurësh që vinin nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, e lënë pas dore muajt e fundit ngaqë qeveria mendonte ta prishte për të ndërtuar në vend të saj Parlamentin e ri. Godina e braktisur, që dikur kishte qenë muzeu i Enver Hoxhës, ishte një minierë sendesh të forta. Në shkallaret e saj gjeje sa të duash gurë dhe pllaka të thyera.

Uji me presion i përdorur nga policia i kishte hedhur një pjesë të demonstruesve pikërisht atje. Më të ndërkryerit, sidomos të rinjtë që kishin një inat moshe me policinë, kërkonin të shfrynin gjithë pezmin e goditjeve të pësuara, pra të merrnin hak. Kishte mes tyre të rinj të indinjuar që gjenin lehtësim dhe kënaqësi në aktin e djegies së ndonjë makine, që fati i keq e kishte parkuar në vendin e gabuar. Shpërthimi në flakë i makinës-viktimë e mbushte botën me një gjëmim të egër dhe të shurdhër; tymi i zi i karburantit dhe gomave të djegura ngrihej lart në formën e një shtëllunge të stërmadhe.

Ishte vështirë, megjithatë, të kuptoje ç’po ndodhte, jo vetëm se dinamika e revanshit të një demonstrate të goditur është e pallogaritshme dhe e parrokshme – nuk dihet pika e ngopjes, pasi aty ku ndalet një grup merr vrull një grup tjetër – por edhe për një arsye praktike: me kërkesën e policisë, duke presupozuar apo dyshuar se mes demonstruesve ishte infiltruar ndonjë komando terroriste, pra për t’u pamundësuar komunikimin pjesëtarëve të saj, kompanitë celulare kishin vendosur block-aut në gjithë sipërfaqen e demonstratës. Kështu që nuk kishte asnjë mundësi komunikimi me askënd. Unë u përpoqa disa herë të lidhem me Spartak Ngjelën, që më kishte humbur nga sytë, pastaj me Mero Bazen, pastaj me tim bir, por pa sukses. Edi Rama, një kokë mbi të tjerët, jepte e merrte me celularin e tij, pa sukses gjithashtu.

Dikush solli lajmin se nuk kishte trupa policie para Kryeministrisë dhe turma po joshej për të përparuar brenda. Rama u pre. Na pyeti pesë gjashtë vetëve që ishim me të se ç’duhej të bënim. Ishim të gjithë në një mendje se njerëzit duheshin ndaluar me çdo kusht, edhe sikur t’i ftonte brenda vetë Kryeministri. Disa prej nesh, madje, e konsideronin një kurth lënien pa mbrojtje të rrethimit të godinës.

Kurth ose jo, njerëzit duheshin ndaluar sa më parë. Para se naiviteti, marrëzia apo një ndjenjë heroizmi, që përndrit në raste të tilla zemrat anonime, t’i çonte përtej vijës së kuqe ku mund të qëlloheshin me plumba të vërtetë nga forcat e politizuara të Gardës. Ku nuk përjashtohej mundësia t’u fusnin nëpër duar, pasi t’i kishin vrarë, armë “të sofistikuara” nga ato që do të reklamonte të nesërmen Kryeministri i vendit, për të thënë se u vranë si terroristë të ndërsyer nga opozita.

Edi Rama pati një mendje të shkonte vetë t’i fliste turmës. Të gjithë sa ishim aty e menduam të papërshtatshme në rrethanat e krijuara zhvendosjen e tij para Kryeministrisë. Drejt me e thënë, duke pasur parasysh ca precedentë të së kaluarës dhe ca zakone njerëzore, unë kisha parandjenjën se mbërritja e liderit kryesor në qendër të teatrit të ngjarjeve do të keqkuptohej nga të zjarrtët demonstrues sikur ai po vinte për të parë dhe për të fituar (Për çfarë tjetër shkon prijësi në vijën e parë të betejës?), domethënë për të korrur frytin e asaj dite të bujshme, që në perceptimin naiv nuk ishte gjë tjetër veçse karrigia e Sali Berishës.

Pra, në vend që të shërbente për të prapësuar turmën, prania e shefit të opozitës mund ta nxiste edhe më shumë atë për të bërë të kundërtën. Është një e dhënë e përjetshme: në vijën e parë apo në përshtypjen e fitores ushtarët dhe ndjekësit përfshihen në një garë heroizmi që kush e kush t’i bjerë në sy komandantit më shumë se shoku. Ja, kësaj ia kishim frikën kur i kërkuam Edi Ramës të mos lëvizte nga vendi. Pa llogaritur ndërlikime të tjera në rebusin bizantinist të asaj pasditeje.

-Mirë, mirë, po kush po shkon? – tha Rama. Ramë dakord të shkonim Milo, Ndoka, Dulja dhe unë. U nisëm menjëherë, shoqëruesit na hapnin kalimin mes njerëzve të shumtë. Përpara Kryeministrisë turma ishte akoma më e ngjeshur. Por e gjetëm të relaksuar. Ca forca të pakta policie ishin bashkuar e po bënin muhabet me protestuesit e kreut. Dukej qartë se policët as ishin në shërbim, as kishin marrë ndonjë urdhër për t’u larguar prej aty. Një grup djemsh të rinj, dyzet-pesëdhjetë vetë, kishin hipur mbi kangjellat prej hekuri të rrethimit të Kryeministrisë. Të kthyer me fytyrë nga bulevardi, po kënaqeshin duke bërë shenja gëzimi dhe triumfi për të njohurit e tyre. Asgjë nuk të jepte përshtypjen e ndonjë rreziku.

Ndërkaq, siç e kishim parandjerë, mbërritja jonë e ngriti sërish entuziazmin në shesh, shpërthyen sërish parullat dhe thirrjet kundër qeverisë. Ne u shpërndamë në katër pika të ndryshme dhe ashtu, pa qendër zëri, u përcollëm atyre që na dëgjonin thirrjen e Opozitës së Bashkuar për të mos bërë asnjë hap brenda rrethimit të Kryeministrisë.

-Qëndroni në bulevard, protestoni paqësisht derisa të merrni thirrjen për t’u shpërndarë!

Miratim, ilaritet, kundërshtime.

-O sot, o kurrë! – briti dikush përballë meje. -Po na shpëtoi këtë herë, s’kemi për ta zënë më! – e kishte fjalën për Kryeministrin.

E pashë, ishte një mesoburrë. Nga pamja nuk dukej aq i ashpër sa kishte fjalët. Ndjeva si u shua saora në fytyrën time, pa lindur mirë, bashkë me mendimin që e shkaktoi, një nënqeshje e menjëhershme: më kishte rënë shorti të përballesha me ndonjë fans të keqkuptuar të oratorisë radikale, që kishte gjëmuar në ekranet e televizioneve dhe kolonat e gazetave me shprehje figurative të tipit “ta kapim të gjallë si lepurin dhe ta flakim tutje”, shprehje të cilat dikush-dikush i kishte marrë në kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë. Ja, tani, unë dhe kolegë t e mi kishim përfunduar në teatrin pa drejtim të ngjarjeve, me dashjen tonë dhe me kërkesën e shefit të opozitës për të përsëritur atë që kishim thënë gjatë gjithë atyre ditëve: në kuptimin fizik të fjalës vija e sulmit tonë, nëse s’donim ta hiqnim fjalën sulm nga fjalori i demonstratës, përfundonte në trotuarin para Kryeministrisë.

-Zoti Zogaj, e kni shpëtuar njëherë, s’u ka hije ta shpëtoni përsëri.

Kundërshtime, miratim, ilaritet, zhurmë përsëri. E vajtova që nuk kisha një megafon me vete. U mbusha me frymë, u rregullova mirë mbi mbajtësen katrore të trungut të një peme dhe thirra me sa fuqi që kisha:

-Askush s’po shpëton askënd. Dëgjoni! Këto që po ju them janë fjalët e Edi Ramës. Kush kalon sot atë derën aty, nuk është pjesë e opozitës që ka thirrur këtë demonstratë.

Kësaj radhe zërat miratues i mbytën zërat kundërshtues. Por dikush nga e majta ime ia doli të thoshte diçka që u dëgjua:

-Ej, ju keni thënë se kjo demonstratë është e lirë, pse po flisni si drejtues tani?

Nuk u përpoqa fare t’i përgjigjesha. Ndieja një shqyerje në laring. Nuk kishte as kuptim. Thjesht tunda gishtin në shenjë mohuese “jooooooooo” dhe mendova si shumëzohet zinxhiri i keqkuptimeve politike prej fjalëve të pamatura.

M’u afruan pesë-gjashtë djem rreth të tridhjetave a pak më shumë. Këtu nuk e merr vesh i pari të dytin, kemi nevojë për një megafon, më thanë. Në fakt kishin nevojë për drejtim. Megafoni ishte emri i drejtimit të munguar. U thashë nuk kemi shpejt për shpejt, po të gjenim ndonjë do t’ua dërgonim, por ata mund ta përhapnin gojë më gojë porosinë e opozitës. Kishin folur edhe Milo, Ndoka dhe Dule në pikat e tyre. Ishin angazhuar edhe deputetët socialistë të vendosur qysh në fillim pranë kullave binjake. Nuk besoj se kishte mbetur ndonjë pjesë e hapësirës para Kryeministrisë e pambuluar me mesazhin e përmbajtjes.

U kthyem nga kishim ardhur për t’i njoftuar gjendjen Edi Ramës. Ora kishte kaluar tre e gjysmën. Akrepi i minutave po ngjitej ngadalë në të përpjetën e vet, duke tërhequr padukshëm akrepin e vogël drejt katrës. Ku ishin ata që do të vriteshin ndërkohë? Ziver Veizi duhej të ishte diku në mes të bulevardit me gjirokastritët e tij; Hekuran Deda poshtë podiumit të televizionit ABC, në mos ishte ngjitur në të për të parë më mirë rreth e rrotull; Faik Myrtaj, në pjesën tjetër të bulevardit, duke pjekur mendimin me shokët e tij fierakë për të marrë dalëngadalë rrugën e kthimit në shtëpi. Aleks Nika, lezhjani që do të vritej i fundit, duhej të ndodhej në trotuarin para kullave binjake, duke pritur edhe ai momentin për t’u larguar bashkë me shokët.

21 janari tiran

Rama nuk kishte lëvizur nga vendi ku e kishim lënë, në hyrje të parkut “Rinia”. I rrethuar nga njerëzit e stafit të tij dhe nga qytetarë të shumtë, ai dukej akoma më i prerë në fytyrë, por edhe i paduruar. Të jepte përshtypjen se përtej qetësisë së tij të jashtme pulsonte ngadalësia torturuese e numërimit mbrapsht të minutave të asaj demonstrate. I treguam çfarë kishim parë. Policia ishte tërhequr, Kryeministria dukej pa mbrojtje, por në thellësi të oborrit të brendshëm të godinës, prapa xhamave dhe dyerve ndihej një lëvizje e ethshme trupash, siluetash, ecejakesh.

Demonstruesit, në përgjithësi, nuk e kishin menduar fare hyrjen në godinë, përndryshe nuk do të kishin hipur mbi kangjella me fytyrë nga bulevardi, por do të kishin vazhduar përpara sapo e kishin parë rrugën të hapur. Gjithsesi, gjendja atje i ngjante një kazani ku zienin lloj-lloj mendjesh e pasionesh. Prandaj ishte mirë të gjenim një megafon e të çonim dikë që të fliste herë pas here…

Ndërkohë ishte hequr block-aut-i i kompanive celulare në kuadratin e demonstratës. Rama ishte lidhur e po vazhdonte të komunikonte me celular me deputetë të partisë së tij. Në një prej lidhjeve i foli dikujt me ton “mblidh njerëzit dhe ktheji mbrapsht”. E mbylli celularin dhe pyeti duke i ngulur sytë herë mbi mua, herë mbi Milon:

-A u thatë se është momenti të tërhiqeshin nga bulevardi?

Ne mohuam me kokë. Jo. Nuk na kishte porositur njeri të kërkonim këtë. Veç kësaj, mendonim se ishte akoma pak shpejt. Demonstruesit duhej të qëndronin edhe ca në bulevard. E mira ishte që demonstrata të zhvendosej diku në sheshin “Skënderbej” apo para selisë së PS-së dhe atje të deklarohej mbyllja e saj me një fjalim të shefit të opozitës. Nuk do të vinin të gjithë, sigurisht, por kjo ishte një mënyrë për t’i respektuar e shpërndarë burrërisht.

21-janariHOMAZHE-PER-21-JANARIN

Rama dëgjonte shkarazi. Me siguri i pëlqente kjo ide, por në përjetimin e tij të atij çasti, si nga një parandjenjë e keqe, dukej sikur vibronte vetëm një fjalë: Shpërndarje.

Ai vijoi t’u kërkonte deputetëve socialistë t’i hiqnin njerëzit nga pjesa e bulevardit para Kryeministrisë dhe t’i nisnin drejt sheshit “Skënderbej”. Në të vërtetë demonstrata kishte filluar të shpërndahej. Me qindra mijëra njerëz po largoheshin në drejtime të ndryshme. Daljet në Unazën e vogël tregonin një pafundësi shpinash që përparonin ngadalë nga kishin ardhur. Po iknin. Nuk prisnin mirënjohje, fjalime.

* * *

Por ndërkaq, mesazhe të tjera apo vetë dinamika konfuze e zhvillimit të demonstratës kishin prodhuar një shtysë të kundërt me qëndrimin në vend apo tërheqjen e njerëzve nga bulevardi. Rreth njëzet minuta pasi ishim larguar unë, Milo, Ndoka dhe Dule, shi atëherë kur nuk pritej, një grup i vogël demonstruesish kishin rrëzuar mes ovacionesh derën kryesore të rrethimit të Kryeministrisë dhe kishin përparuar një apo dy hapa në oborr. Komandanti i njësisë numër 2 të Gardës, D. Shehu, u bëri thirrje me megafon të prapësoheshin, duke u kujtuar se kishin hyrë në zonat e sigurisë dhe se ndaj tyre do të veprohej sipas ligjit. Për një çast grupi i demonstruesve përballë tij as u spraps, as përparoi, por qëndroi në vend sikur po testonte vendosmërinë e oficerit. Sakaq, një njësi gardistësh me skafandra dhe shkopinj gome u hodh në sulm kundër tyre duke i shtyrë matanë portës. Siç do shihej me dhjetëra herë atë mbrëmje, të nesërmen dhe më vonë në filmimet live të disa televizioneve, ata pak njerëz të përfshirë në sprovën e kotë të shkeljes së vijës së kuqe e mblodhën mendjen dhe nuk provuan më të hynin në oborrin e Kryeministrisë. Qëndruan në territorin e tyre, që ishte trotuari dhe bulevardi. Demonstruesit e tjerë, deputetët socialistë dhe punonjësit e policisë bashkiake, që u ndodhën aty pranë, i qortuan.

Një veturë shkatarraqe ishte sulur ndërkohë të hynte brenda rrethimit të Kryeministrisë dhe ishte përplasur në pengesën prej betoni të portës hyrëse. Pati hamendje sikur ishte makinë-bombë e mbushur me tritol. Trupat speciale e kontrolluan dhe nuk gjetën gjë prej gjejë.

Garda e kontrollonte plotësisht territorin dhe situatën. Por nga urrejtja që ishin qëlluar me gurë, apo nga frika, teksa e mendonin taktike dhe të përkohshme tërheqjen e demonstruesve të kreut, apo kushedi për çfarë arsye tjetër, gardistët e njësisë speciale të grupit të zjarrit, ca në këmbë e ca të pozicionuar, kishin filluar të hapnin zjarr.

Ne i ndjenim që nga hyrja e parkut “Rinia” breshëritë e shkurtra dhe të gjata të automatikëve. Nuk mund ta kuptonim prej aty ku ishim çfarë po ndodhte. Ngjarjet e mëdha ishin ngjizur gjithnjë përgjatë një fraksioni të vogël, të ngjeshur e të errët kohe, ku përmblidhej përpjekja dhe thirrja finale e çlirimit. Kështu kishte ndodhur kur një grusht njerëzish kishin rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”. Ndoshta diçka e ngjashme po ndodhte edhe tani. Ne flisnim për përmbajtje për të qenë brenda, si politikanë të demokracisë, por populli mund ta kalonte vërtet opozitën e tij.