‘Si u rrezikua hidrocentrali i Fierzës’

0
101

Hidrocentrali

08.01.2010

TIRANË – Kaosi në veri të vendit dhe situata e rrezikshme që e ka shpënë Shqipërinë në prag të një katastrofe kombëtare ka ardhur si pasojë e neglizhencës të institucioneve me rastin e festave të fundvitit. Kjo është pranuar nga vetë drejtori i Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku. Situata në basenin e Fierzës është përkeqësuar që më 25 dhjetor të vitit të kaluar kur edhe prurjet kanë qenë maksimale e në mënyrë të menjëhershme, askush nuk ka marrë masa për parandalimin e situatës.

Përgjatë gjithë natës së 25 dhjetorit baseni i Fierzës është mbushur duke iu afruar frikshëm normave të përcaktuara nga rregullorja e miratuar për funksionimin e hidrocentraleve. Por as ditët në vijim askush nuk ka marrë mundimin që të shohë situatën që sa vinte e përkeqësohej.

“Përkeqësimi i situatës në Fierzë është bërë në mënyrë të menjëhershme. Ka qenë nata e 25 dhjetorit kur niveli i prurjeve ka qenë 1350 metra kub në sekondë dhe ne e kemi pasur të pamundur për të hapur portat shkarkuese të kaskadës së Drinit. Për të vendosur mbi hapjen e portave duhet të mblidhet komisioni i menaxhimit dhe atë ditë, por për shkak të festës, ka qenë pothuajse e pamundur”. Kështu ka deklaruar dje për gazetën “Shekulli”, drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku. Por ai justifikohet duke thënë se vonesa e hapjes së portave të hidrocentraleve nuk ka qenë shkaktare e përmbytjes së zonës së nën Shkodrës dhe Lezhës.

Nga ajo sa deklaron drejtori i KESH-it, që më 25 dhjetor niveli i basenit të Fierzës i është afruar frikshëm nivelit absolut të kuotave të përcaktuar në rregullore. Që në këtë natë niveli i Fierzës ka arritur 288 metra dhe me tendencë rritjeje në një kohë kur vetëm një metër e ndante nga niveli kur duhet të niste shkarkimi masiv i ujit. Megjithatë, sipas Stojkut, askush nuk ka ndërhyrë, çka duket se ka sjellë përkeqësimin e situatës edhe për shkak të reshjeve të shumta që kanë vijuar gjatë gjithë këtyre ditëve.

Megjithëse kuotat e nivelit të Fierzës janë ende mbi normat e lejuara, Stojku thotë se situata është drejt përmirësimit. Prurjet e reshjeve janë më të ulëta ndërkohë që vazhdohet nivele të larta të shkarkimit nga portat e kaskadës së Drinit. “Në fakt niveli është pak mbi normalet dhe ne jemi drejt stabilizimit të situatës. Për këtë arsye po bëjmë shkarkime të pandërprera të ujit nga baseni i Fierzës”- thotë Stoiku. Drejtori i KESH-it ka mohuar akuzat e ekspertëve që gjatë menaxhimit të situatës nuk është zbatuar rregullorja për funksionimin dhe shkarkimin e hidrocentraleve. Sipas, Stojkut nuk ka pasur asnjë pikë të shkeljes së kësaj rregulloreje dhe se gjithçka ka ndodhur për shkak të reshjeve të shumta që kanë shoqëruar vendin gjatë kësaj periudhe. “Mua nuk më interesojnë se çfarë thonë specialistët. Unë them çfarë thotë rregullorja.

Ajo është zbatuar pikë për pikë. Megjithatë, referuar të dhënave që janë aktualisht ndodhemi brenda nivelit të sigurisë, 296 metra, megjithëse ky nivel i ujit që ndodhet aktualisht në basenin e Fierzës duhet të jetë pak më i ulët në sezonin që jemi”- tha dje për gazetën “Shekulli”, drejtori i Korporatës Elektroenergjitike, Muharrem Stojku. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, niveli i Fierzës vazhdon të rritet pavarësisht shkarkimeve dhe nivelit të lartë të energjisë. Niveli i ujit në liqen ka arritur në 292.4 metra. Fierza tani rritet me një deri në dy centimetra në orë, duke pasur ende një sasi të konsiderueshme prurjesh prej 1500 metër/kub në sekondë, pra janë thuajse dyfishi me mesataren e ditës së djeshme.

****

Menaxhimi i digave, pika ku duhet të nisë hetimet prokuroria

7 janar

Pse ndodhi kjo qe po ndodh ne veri te vendit. Rreshjet jane normale per kete sitne. Sipas sinoptikes jane ne ato nivele qe kane qene edhe ne vite te tjere. Perse kete vit, hidrocentralet u kthyen ne nje rrezik kombetar? Cfare ka ndodhur dhe kush e ka pergjegjesine?

Eshte e qarte qe tanimë rruga e vetme për të ulur koston e kësaj katastrofe është të shpëtojmë jetët e njerëzve. Permbytja e zones eshte e pashmangshme, dy opsionet jane:
1 – Permbytje e kontrolluar nepermjet zbrazjes se ujit nga portat
2 – Permbytje kaotike (uji me miliarda metra kub, do merrte perpara gjithcka ne rast se shkarkimi nga portat plus prodhimi me kapacitet te plote nuk do mjaftojne qe uji te ulet nen nivelin kritik – ate qe quhet nivel i Sigurise Kombetare)

Fakti që Diga e Fierzës vazhdon të jetë mbi nivelin e lejuar të Sigurisë Kombëtare, do të thotë se e keqja më e vogël që mund të ndodhë është të vazhdojë përmbytja e zonës, në mënyrë të kontrolluar, e cila është një pasojë shumë më e vogël se mbytja e zonës nga një vërshim jashtë kontrolli prej Digave, që do të ishte një Cunam për Shqipërinë Veriperëndimore.

Në këto kushte ka shumë rëndësi të rritet solidariteti për zonat e dëmtuara, të rritet presioni mbi qeverinë për transparencë si për shkaqet që çuan në katastrofë ashtu dhe për mënyrën se si po menaxhohet situata dhe mbi të gjitha t’u gjendemi pranë të gjithë qytetarëve që janë nën terrorin e ujit dhe humbjes së shpresave për të ardhmen e tyre.

Por që debati publik të mos zhurmojë debatin për planin e shpëtimit, duhet që drejtësia paralelisht të nisë vendosjen e sekuestros mbi gjithë dokumentacionin e menaxhimit të digave dhe të fillojë urgjentisht hetimin e shkaqeve që çuan në këtë katastrofë nga moszbatimi i rregullores së Digave të Larta, i cili është një dokument ligjor, shkelja e të cilit përbën vepër penale.

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, duhet të shfaqet me doemos në zonën e përmbytur, por jo me çizme dhe çadër, por me pranga në duar për ata zyrtarë të papërgjegjshëm që çuan në këtë situatë. Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, duhet t’i dorëzohet drejtësisë, për të shpjeguar arsyet që kanë çuar mbimbushjen e digës së Fierzës duke krijuar një situatë të kërcënimit të sigurisë kombëtare.

Hapja e Portave të Shkarkimit është një proces teknik, i cili është jo vetëm i parashikueshëm, por i detyrueshëm me rigorozitet, në kohën e duhur për të shmangur katastrofa të tilla. Ai shoqërohet me kapacitet maksimal prodhues të digave dhe me një grafik që rregullon regjimin hidrik të Liqeneve të Drinit. Prokuroria duhet të hetojë urgjentisht të gjithë këtë procedurë dhe të shikojë se ku është shkelur rregullorja e menaxhimit të Kaskadave dhe ajo e shkarkimit të digave. Ky hetim ka rëndësi për të kuptuar nëse gjendemi para një situate korruptive, apo para një situate të prodhuar nga papërgjegjshmëria.

Në të gjitha rastet, kjo është një katastrofë e shkaktuar nga mungesa e menaxhimit njerëzor të situatës dhe vepra penale është e prekshme. Mijëra hektarë janë nën ujë dhe qindra mijëra shtëpi janë përmbytur. Fatura financiare e kësaj katastrofe është shumë e lartë dhe prokuroria nuk mund të neglizhojë fillimin e hetimeve.

Duke iu bashkuar dhe një herë thirrjes së qeverisë për evakuim të banorëve të zonës, duhet të shpjegohet qartë situata, se rruga e vetme për të shpëtuar nga katastrofa e madhe është hapja e portave të shkarkimit për të ulur nivelin e ujit në Digë. Pa u ulur ky nivel, nuk ka më asnjë siguri se nuk do të vijë katastrofa e madhe. Që ky bilanc të përfundojë vetëm me përmbytje te kontrolluar dhe dëme materiale, evakuimi i banorëve duhet të bëhet urgjent. Po kaq urgjent drejtësia duhet të nisë çështjen penale për të çuar fajtorët para drejtësisë, pasi nuk mund të ketë solidaritet real me viktimat, pa u vendosur drejtësia ndaj fajtorëve të kësaj katastrofe.

Ing. Dhimiter Cico rreth situates se krijuar ne hidrocentrale.

Projektuesi i portave te hidrocentraleve inxhinier Dhimiter Cico, (Foto nr.4 ne GALERI-FOTO) ka paralajmeruar shperthim te digave, nese portat nuk do te funksionojne.

Per inxhinierin, portat kane me shume se 20 vjet nen uje, nen nje thellesi 60 dhe 90 metra dhe jo vetem qe nuk jane provuar asnjehere nese punojne por as nuk jane riparuar.

Kesaj frike i shtohet edhe fakti qe disa nga portat jane prodhim shqiptar i Metalurgjikut, te tjerat franceze dhe kineze. Cico argumenton se ne Fierze u hap vetem nje porte dhe ajo vetem kater metra dhe u bllokua, dy dite me pare.

“Keto porta nuk jane perdorur dhe nese do te shperthehen aty ka per te ndodhur nje katastrofe”, u shpreh Cico, inxhinieri projektues i portave te hidrocentraleve.

Cico ka deklaruar se situata ne kete pike ku e ka cuar Ministria e Energjitikes dhe KESH-i, nuk ka asnje zgjidhje tjeter pervec hapjes se portave, per shkak se aktualisht po shkelet ligji duke mbajtur nivelin ne Fierze ne 293 metra, tre metra mbi nivelin e lejuar nga rregullorja e digave.

Inxhinieri Cico pergjegjesine ja ngarkon KESH-it, i cili duhet te mbante nen kontroll sipas rregullores qe nga stina e veres.

Inxhinieri thote se e ka parashikuar nje situate te veshtire ne media pak kohe me pare dhe ka ofruar ndihmen e tij si eksperti i fushes ne Ministrine e Energjitikes dhe KESH, por I eshte mohuar.

Inxhinier, ku është problemi? Çfarë po ndodh realisht?

I bëj thirrje fillimisht popullatës që ta marrë seriozisht. Të largohet, derisa të stabilizohet situata që është atje. Vetëm Fierza qëndron në nivelin 293.5 sipas ministrit të Energjitikës, dhe këtu fillon përgjegjësia. Ky nivel duhet të jetë në minimum 290. Jemi 3.5 metra lart nivelit të sigurisë. Kjo ngarkesë në rezervuarët e digave ka sjellë këtë anomali që këta nuk po e menaxhojnë dot, sepse prurjet janë shumë të mëdha. Dje (pardje) kanë hapur portën numër 4, e cila, sipas ministrit që e deklaroi në një emision, kishte një defekt, u hap gjysmë dhe u mbyll, se nuk u hap komplet. Tani nuk është problemi i kësaj porte, se ka disa të tjera që nuk janë hapur asnjëherë gjatë këtyre 20 viteve. Janë portat e Komanit dhe Fierzës që janë portat e shkarkimit.

Portat janë në digë apo në tunele?

Ato janë anës digës. Në Fierzë ka dy tunele të mëdha, ku në kuotat 290, portat e shkarkimit hapen. Është rregullorja absolute, që në këtë kuotë porta e tunelit hapet. Nuk ka të drejtë askush që ta ndalë këtë.

Çfarë janë portat?

Aty ka dy palë porta, portë segment, që është prodhuar në Francë dhe portë e remont-avarisë, që janë prodhuar në vend. Porta segment ndan rezervuarët dhe, nëse ajo hapet dhe ngel përgjysmë, duhet të veprojë porta remont-avari, e cila ka 20 vite, me sa di unë gjatë gjithë vitit qëndrojnë nën ujë. Ndërkohë ato duhet të qëndrojnë lart ujit gjatë periudhës maj-shtator. Ato duhet të ngrihen lart dhe gjatë kësaj kohe jam shumë i sigurt që nuk janë vënë në punë këto porta.

Tani që jemi në këto kushte, cilat porta janë hapur?

Tani janë hapur portat segmente në tunelin numër 4 në Koman, Fierzë dhe Vau i Dejës.

A mund të themi se kemi rrezik tani nga mënyra se si shkarkohet?

Rreziku më i madh do të ishte, nëse vijnë prurje të mëdha dhe është niveli 293.5 dhe me shkrirjen e borës, që është situatë shumë e rënduar, dhe tentohet të hapet porta numër 3, njëra nga këto porta, po të ngelej hapur, do të mblidheshin njësoj dy mijë metra kub ujë poshtë në fusha. Rasti më katastrofik është nëse nuk hapen këto porta, nuk funksionojnë ato. Siç nuk funksionoi kjo që tha vetë ministri, që është hapur vetëm deri në gjysmë dhe është mbyllur prapë. Ajo duhet të ishte hapur komplet dhe të mbyllej. Duhej bërë prova e portës remont-avari. Ato janë porta me rrota që duhen grasatuar një herë në 6 muaj, por kanë 20 vite që nuk grasatohen. Ato kanë përmasa 16 me 12 metra dhe peshon 60 tonë një portë me një mekanizëm ngritës me fuqi ngritëse 260 tonë.

Kemi një deklaratë verbale të ministrit, i cili pranon se jemi në kuotat e palejueshme të digës. Ka përgjegjësi penale për këtë?

Sigurisht që ka. Përgjegjësia shkon zinxhir.

Çfarë mund të bëhet në këtë situatë emergjente? Cila është këshilla e mirë për të shmangur katastrofën?

Këshilla më e mirë tani është që të largohen të gjithë banorët dhe të bëhen shkarkimet e detyrueshme. Banorët doemos duhet të largohen dhe të vazhdojnë shkarkimet për shkak të prurjeve të shumta që mund të vijnë nga shirat apo shkrirja e borës.

A ka mundësi që të parandalohet fatkeqësia, nëse nuk funksionon ndonjë portë?

Absolutisht, tani nuk ka mundësi. Jemi të gjithë në mëshirë të fatit.