Si tjetërsohet mandati në mandatë?

0
28

Nga Kiço Blushi, 27.11.2010

Ditët e fundit, krerët e dy partive më të mëdha, të cilat prej 20 vitesh po qeverisin me alternim “demokratik” Shqipërinë e ngujuar në kullën e tranzicionit, dolën nëpër ekrane për të na bërë me dije se kanë marrë vendime tejet të rëndësishme: njëri e paska ndarë mendjen të prishë Piramidën, tjetri të ndërtojë një xhami në qendër të Tiranës, pas Pallatit të Kulturës e Bibliotekës Kombëtare. Dy gëzime në një ditë, një nga e djathta, një nga e majta! “Të gjitha i kishte Haxhireja, i mungonte ferexheja!”. Por, si për gjithçka tjetër, edhe për këto dy nisma “historike”, dy udhëheqësit ndajnë qëndrime katërcipërisht të kundërta. Njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit.

Njëri thotë ‘po’, tjetri ‘jo’. Kjo kundërshti kokoshësh arnautë tash nuk habit më njeri në këto anë, madje as Krokodilin e Strasburgut dhe as eurodeputetin Daul të PE-së, i cili nuk po gjen dot mënyrën si t’i japë ujë një gomari të ngopur shqiptar…Si përherë, pas kërleshjes së kryetarëve, ja ku vërsulen kundër njëri-tjetrit si një hordhi mizash të vaposura zëdhënësit e partive, analistët, shkarrashkruesit e internetit, por gjithnjë e më pak dëgjohen specialistët e zhytur, me “mjete demokratike”, në një shurdhmemecëri “institucionale”, ku më i leverdisur del vetëm ai që i thotë derrit dajë, ndërsa ai që derrin e quan ‘derr’ do të shpallet armik i kombit!

Na thuhet shpesh: jemi fajtorë ne që zgjedhim këta lloj udhëheqësish peshkaqenë, prandaj mirë të na bëhet! Por, a është e vërtetë që i zgjedhim ne? Dhe, a i kemi mandatuar ne këta liderë që kacafyten për t’i ngrënë kokën njëri-tjetrit dhe interesit publik, duke e transformuar mandatin që u kemi dhënë në një mandat kombëtar, duke na thënë se Shqipërinë “kolumbiane” ata e kanë transformuar në një “miss Planeti”? Jo, shqiptarët e thjeshtë, pavarësisht nga niveli kulturor nuk kanë dhënë një mandat të tillë kaq “transformues”! E megjithatë, në këtë gërmërnajë nuk guxon kush të hedhë një pyetje të thjeshtë: ku e gjejnë të drejtën krerët tanë të vetëkarfosen, të sillen megalomanë, të bëhen arbitrarë, edhe pse po na lënë për faj të tyre, jashtë BE-së? A kanë mandat ata, që përveç zallamahisë mediatike të shkaktojnë kaq shumë dëme ekonomike, ekologjike, pronësore, morale, e akoma më keq, të shkatërrojnë me themel besimin e qytetarit te bashkëjetesa në komunitet, te demokracia, duke rrënuar imazhin e Shqipërisë para botës demokratike, tek e cila aspirojmë të shkojmë?

Në fushatat zgjedhore, në programet dhe në fjalimet programatike të Dautëve tanë partiakë nuk është thënë asnjë fjalë se ata, po erdhën në pushtet, pra, nëse me votën tonë njëri do të hipë në Kryeministri e tjetri në Bashki, do të mbajnë ndezur zjarrin e konfliktit, për hir të të cilit njërit i teket të prishë Piramidën, tjetrit të ndërtojë xhaminë në mes të Tiranës që zjarri të mbahet ndezur…? Derisa zgjedhësit shqiptarë, me votë e kanë thënë fjalën e tyre (asnjë pale nuk i është dhënë një mandat i plotë, mbi 50%), pyetja e mëposhtme tingëllon dramatike: Ku e gjejnë të drejtën ata të flasin e të vendosin në emrin tonë, kur në zgjedhjet e fundit, sipas KQZ-së, ka marrë pjesë gati gjysma e votuesve të regjistruar dhe kur partitë e tyre nuk kanë fituar më shumë se 40% të votave, d.m.th, më pak se gjysmën e gjysmës së votuesve të regjistruar, pra çerekun e votave, afërsisht gjashtëqind mijë vota?

Kaq mjafton për të kuptuar se mandati i tyre është i cungët, jo i plotë, se pushteti është marrë me një pakicë tepër të dobët. E pra, a mund të quhet një mandat i tillë “popullor”, që i jep fuqinë e nevojshme kryeministrit ose zonjës Topalli të sillen harbutërisht e të vendosin me kokën e vet edhe për prish-investim-privatizim-legalizim-shkatërrimet, pa pyetur kërkënd? Nëse do të kishin vetëdijen minimale të përgjegjësisë dhe një kulturë të mjaftueshme demokratike, ata nuk do të guxonin të silleshin me popullin si të kishin fituar 99.99% të votave, e jo çerekun e tyre.

* * *

Por njëlloj si dje në diktaturë, kryetari i partisë vetë vendos, vetë vulos. Ndërsa populli, madje edhe Kushtetuta, edhe Kuvendi, edhe forumet e partive e të shoqërisë civile rrinë e bëjnë sehir sepse, sipas “logjikës demokratike” të Dautëve, ne e kemi deleguar vullnetin njëherë e mirë te kryetari i partisë, i cili kësisoj, prej votës sonë ka fituar mandatin të mos përgjigjet para askujt për veprim-mosveprimet e tij, edhe kur ato janë të dëmshme, çmendurake, absurde. Por edhe nëse votat nuk do të ishin vjedhur e trafikuar, edhe sikur të jetë fituar ndershmërisht një shumicë absolute, krerët fitimtarë nuk kanë të drejtë të sillen me popullin si sovranë…

Dhe po të kujtojmë se ne nuk kemi pas qenë në dijeni e nuk kemi pas votuar për projekte që më shumë prishin se ndërtojnë, shkatërrojnë se mbrothësojnë, atëherë marrëdhënia e zgjedhësit me të zgjedhurit duket akoma më hileqare. Edhe ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, për të cilën shqiptarët hynë, pa u pyetur, në një borxh të papërballueshëm, nuk u premtua në fushatën zgjedhore dhe as nuk është shprehur në programin elektoral të PD-së, gjë që do të thotë se për investimin e mbi një miliard e gjysmë eurove (pa përmendur mënyrën e tenderimit dhe as koston e lartë të saj), ashtu si edhe për Piramidën, “Zogun e Zi”, unazën e Tiranës e për xhaminë në kryeqytet, nuk kanë dhënë miratim votuesit, por kanë vendosur me kokën e vet ose Sali Berisha, ose Edi Rama.

Kjo logjikë “mandatimi” favorizon arbitraritetin, sipas modelit të diktaturës: Ligji jam unë që kam pushtetin! Prandaj prishjet, shitjet e pasurisë kombëtare, rritja e rrogave, sasia e dëmshpërblimeve, legalizimet, postet etj, ngjajnë ose si dhuratë, ose si ndëshkim nga ata që kanë pushtetin. Mandati kthehet kësisoj kundër atij që e ka dhënë, pa e bërë qejfin qeder. Por nëse krerët bien dakord me njëri-tjetrin jo vetëm për xhaminë e Piramidën, për shitjen e Karaburunit, të kufirit detar etj, as krizë, as konflikt, as sherr nuk ka për të pasur në këtë vend! Edhe Kushtetutën, ata e ndryshojnë pa përfillur verdiktin popullor të dhënë me votë referendare.

Në këtë klimë nuk quhet e nevojshme të pyetet populli, madje nuk ka rëndësi ç’mendon votuesi, pasi mandati vlerësohet si një mall që është blerë një herë e mirë në tregun e shumicës të politikës. Sot nuk ka veprim më të kollajtë e të natyrshëm sesa (në emrin tonë) të vendosin për fatin tonë krerët e mandatuar me plotfuqishmëri, sepse zgjedhësi konsiderohet (pa bombardimit mediatik sikur ne, medemek, jemi më të lumturit) si një enë bosh! Ne jemi të destinuar të themi lepe-peqe e të duartrokasim! Këtë “të drejtë ekskluzive” të udhëheqësve për të përcaktuar drejtimin e begatisë a të mjerimit, të emigrimit a të qëndrimit në atdhe, ne po mësohemi ta marrim si të mirëqenë, si një rregull të padiskutueshëm të demokracisë, sepse tekefundit janë ata, pa jemi ne!

Ne quhemi të lumtur vetëm nëse këtë e thonë ata që kanë marrë mandatin nga ne; edhe në demokraci këta “të mandatuar” i japin të drejtë vetes të na mëkojnë me propagandë të shpifur, por edhe të na ndëshkojnë me mandate, duke sjellë dëme të pallogaritshme. E më pas, qytetarët të mos kenë të drejtë të ankohen, meqë… meqë mandatin ua kemi pas dhënë vetë, me vullnet, me votë apo qoftë edhe me një thes miell… Por, a duhet të jetë kështu? Në cilin vend demokratik të botës mund të ndodhë që, pas mandatës së Gërdecit, të mos përgjigjet kurrkush nga të mandatuarit? Jo, kurrkund nuk ka mandat të përjetshëm, të pakufizuar, të pakontrolluar, si tek ne!

* * *

Nisur nga mendësia e diktaturës, ku udhëheqësi ka përherë e për gjithçka të drejtë, ndërsa zgjedhësit duhet të ulin kokën, edhe sot punët e famës i bëjnë “ata”, ndërsa të këqijat, kopeja e “qytetarëve pa kulturë demokratike”…Për këtë arsye kërkohet që veprat e mëdha të pagëzohen me emrin e kryetarit të partisë, që tekefundit do të thotë se jo vetëm populli, zgjedhësit, taksapaguesit, specialistët, interesi publik, por edhe qeveria e madje edhe forumet e partisë nuk kanë asnjë meritë për “vendimmarrjet madhore”. Ndaj, të gjitha meritat (por jo gabimet!) i përvetëson kryetari i partisë, që në rastin konkret është ose kryeministër, ose kryetar bashkie.

Këta, pas marrjes së mandatit, pasi shijojnë adhurimin tonë, krijojnë bindjen se janë jo vetëm të pazëvendësueshëm, por edhe të pavdekshëm! Ashtu si ndërtimi i bunkerëve apo veprave në diktaturë, që medemek do të bënin “çlirimin e dytë të Shqipërisë” (si metalurgjiku i Elbasanit etj), edhe sot “veprat” e mëdha po bëhen me gjasë në emër të popullit, në të mirë e në begati të tij. (Kujtoni parullën “Ç’do populli bën partia, ç’thotë partia, bën populli!”, e cila sot përkthehet: “Ç’thotë kryetari, është i detyruar të bëjë populli”.)

Mesa duket, edhe në demokraci, kur sundimi i Njëshit bëhet absolut, e vetmja rrugë “e ndershme” ngjan abstenimi. Ja përse abstenimi në shumë vende të Lindjes, ngaqë është rritur zhgënjimi, ngaqë është prishur raporti zgjedhës – i zgjedhur, vota e indiferencës është bërë votë ndëshkuese. Sepse nën trysninë e demagogjisë së përsëritur, përballë organeve të paralizuara të Drejtësisë, me një opinion publik të belbët, në një sistem kryetarokrat, për shkak të varfërisë dhe pasigurisë së tejzgjatur, mandati i të zgjedhurve tek ne tjetërsohet si pa gjë të keqe në abuzim, në mandatë, në fatkeqësi kombëtare dhe për këtë, tradicionalisht, është dashur të paguajmë shtrenjtë ne si popull, si zgjedhës. Këtu “fle lepuri” përse asnjëherë nuk ndëshkohen të mandatuarit tanë, edhe kur këta kryejnë dëme, shpërdorime apo krime kombëtare…

Por nëse në diktaturë mandati nuk jepet nga populli, por “merret me pushkë”, si i bëhet hallit në demokraci që një mandat i fituar me votë të lirë të mos transformohet në mandatë, që zgjedhësi të mos dalë nga një zhgënjim për të përfunduar si kovë pusi, te një tjetër? Si mund të disiplinohet mandati i të zgjedhurve që këta të mos guxojnë të abuzojnë me të drejtën e përfaqësimit e të mos veprojnë në kundërshti me interesin publik, kundër qëllimit të votës? Ky është problemi parësor i demokracisë sonë “të brishtë”.

Trafikimi i mandateve që tashmë është bërë një dukuri e rëndomtë, në fakt është ana më sipërfaqësore e marrëdhënies së përçudnuar zgjedhës – i zgjedhur. Mesa duket, në këtë Daut-demokraci, tjetërsimi i mandatit në mandatë qenka një gjë e natyrshme, e trashëguar, punë e kollajtë, madje edhe leverdisjellëse. Kjo theqafje ka ndodhur edhe me mandatet e dhëna nga ne, – si po na thuhet, – me votë të lirë.

Prandaj, ajo që e vret më shumë sistemin demokratik është formula e trashëguar nga diktatura: “Në emër të popullit” që tash, me një sintaksë më demokratike, nga krerët e sotëm shqiptohet disi më ndryshe: “Ne të maxhorancës kemi marrë mandatin e popullit me vota të lira për të qeverisur”; pra, ne si maxhorancë kemi të drejtë të marrim vendime arbitrare, qofshin edhe absurde, dhe për këtë nuk ka të drejtë askush të na gjykojë…! Nuk ka gjë më vrastare për një demokraci se kjo bijë e mallkuar e formave të dikurshme të edukimit të diktaturës, kur para arrestimit apo pushkatimit thuhej: “Në emër të popullit”, ose: “Pushtetin e morëm me gjak e me gjak mund ta lëshojmë!”. Pikërisht kjo mendësi e tjetërson mandatin në mandatë!