Eduard Zaloshnja
Partizanët e votimit elektronik nuk janë të paktë në Shqipëri, por kundërshtarët e tij duket se janë shumë më të shumtë. Për rrjedhojë, gjasat janë që, edhe për ca kohë, ne, shqiptarët, do të vazhdojmë të votojmë si kahera, duke vënë një shenjkë në fletën e votimit përbri partisë apo kandidatit të preferuar dhe duke e futur fletën në kutinë e votimit. Pasi ta kemi bërë këtë adet, do t’i vijë radha përsëri famëmadhit numërim të votave. Por problemi është se, sipas OSBE/ODIHR-it dhe, për më tepër, sipas syve tanë, numërimi ka qenë i keq ose shumë i keq në shumë qendra numërimi.
Në zgjedhjet e shkuara mund të jetë bllokuar një qendër numërimi thjesht si kundërpeshë e bllokimit të një qendre tjetër dhe është dashur të shkojnë ambasadorët atje që të vazhdojë numërimi. Për shembull, po të mos kishte përveshur mëngët amabasadori amerikan në njësinë numër 5 të Tiranës, mund të ishim ngujuar për javë të tëra para televizorëve, në pritje të përfundimit të numërimit të votave të majit të 2011-ës. Ndërsa në 2009-ën, në qoftë se kutitë e Fushkuqes dhe të Ndërmenasit nuk do të kishin ardhur në Tiranë (pas trysnisë së ambasadorëve), zoti e di se kur do të kishte mbaruar numërimi i votave të qarqeve Lezhë dhe Fier.
Po si t’ia bëjmë që të mos përsëriten skena si ato të numërimit të votave të Fushkuqes, Ndërmenasit, Bushatit, Uznovës, njësive 5 e 8 të Tiranës etj., etj.? Një mënyrë është ajo e numërimit të të gjitha votave në një sallë të vetme në Tiranë, ku prania e ambasadorëve, kamerave dhe vëzhguesve mund të jetë e pandërprerë. Por një zgjidhje e tillë sjell vetiu një vonesë të konsiderueshme në numërim – të numërosh me dorë 1.6 milionë vota në një sallë të vetme (sado e madhe qoftë ajo) mund të dojë dy-tri javë.
Dhe a ka një zgjidhje për këtë problem? Për ta zgjidhur atë, në ndihmë mund të na vijë teknologjia – në formën e skanerave optikë. Këtu nuk bëhet fjalë për skanerat optikë të provimeve të studentëve që përdori PS-ja për numërimin e votave në Asamblenë Kombëtare. Jo, bëhet fjalë për skanera optikë të ndërtuar posaçërisht për numërimin e votave.
Po si mund të funksionojë një numërim i përqendruar me skanera optikë? Së pari, me të mbërritur kutitë e Tiranës dhe qendrave afër saj në sallën e numërimit, ato kontrollohen, hapen, bëhet verifikimi i dokumentacionit të përfshirë në to dhe votat stivohen, në pritje të kutive të tjera nga qendra më të largëta. Ky proces vazhdon valë-valë derisa votat e të gjithë Shqipërisë të jenë stivuar, gati për t’u numëruar. Duke ditur që distancat më të largëta nga Tirana mund të përshkohen brenda 24 orëve, i bie që numërimi të fillojë një ditë pas përfundimit të votimit. (Dyshuesit mund të thonë se vetëm Zoti mund ta dijë se ç’do të ndodhë rrugës me kutitë, por herën e fundit që ka ndodhur diçka e tillë, ka qenë në vitin 2001 – qysh atëherë, kutitë kanë udhëtuar nga fshatra të largëta drejt qendrave të numërimit në qytete dhe s’kemi dëgjuar të ketë ndodhur gjë.)
Le të kalojmë tani tek teknologjia. Për të numëruar votat, mund të blihen 20-30 skanera optikë, në varësi të shpejtësisë së tyre. Për shembull, në zgjedhjet e fundit bashkiake, 6 milionë votat e Londrës u numëruan për 12 orë me 40 skanera.
Po si funksionon një skaner optik për numërimin e votave? Fillimisht, vendoset nga një stivë e madhe fletësh votimi në secilën makinë dhe fletët kalojnë automatikisht një nga një para “syve” optikë të makinave. Në fraksionin e sekondës kur fleta e votimit qëndron para “syrit” optik, kryhen disa procese:
1 – Bëhet verifikimi i origjinalitetit të fletës nëpërmjet shenjave të sigurisë që ka ajo;
2 – Bëhet fotografimi i fletës dhe ruajtja e fotografisë me një numër unik në një disk dixhital;
3 – Regjistrohet numri i qendrës së votimit nga ku vjen fleta;
4 – Përcaktohet se cilit subjekti zgjedhor i përket vota, nëpërmjet shenjës që votuesi ka vënë përbri subjektit të preferuar në fletën e votimit (shenja mund të jetë njësoj si në rastin e mirënjohur të numërimit me dorë; nuk ka nevojë për ndonjë shenjë të posaçme që mund të ngatërrojë votuesit e moshuar);
5 – Në qoftë se nuk është e qartë se për kë është dhënë vota, fotografia e fletës së votimit shfaqet në ekranin e makinës dhe komisioni numërues përcakton se kujt i takon vota ose nëse ajo është e pavlefshme. Pasi komisioni vendos për një fletë të diskutueshme, vendimi pasqyrohet manualisht në makinë dhe ajo vazhdon numërimin automatik.
Vetëm pasi të gjitha fletët e votimit të kenë kaluar në skanerat optikë, bëhet llogaritja automatike e rezultatit të zgjedhjeve, i cili, të paktën në Shqipëri, nuk duhet të jetë përfundimtar. Secili nga subjektet në garë duhet të ketë të drejtën që të marrë, aty për aty, një kopje të diskut me fotografitë e të gjitha votave dhe të ketë edhe kohën e arsyeshme në dispozicon për ta shqyrtuar atë. Dhe pas marrjes parasysh të çdo kontestimi të mundshëm, mund të nxirret rezultati përfundimtar. Këtu mbyllet skena.
E zgjidhëm, pra, edhe problemin famëkeq të numërit të votave në Shqipëri! Në 40 rreshtat e mësipërm është përshkruar një proces, që, po të ecë si në letër, do të ishte një mrekulli – brenda 36 orëve, do të kishim një rezultat paraprak, dhe maksimumi brenda javës, një rezultat përfundimtar. Por jo gjithnjë gjërat realizohen në jetë aq lehtë sa ç’mund të duken në letër.
Së pari, makinat dhe programi që përbën trurin e tyre mund të kenë probleme teknike. Kështu, numërimi optik hasi në vështirësi në Skoci, në vitin 2007, sepse në të njëjtën kuti ishin futur edhe votat për parlamentin skocez edhe ato për pushtetin lokal. Dhe makinat nuk ishin programuar mirë për të bërë dallimin mes tyre. Si rrjedhojë, rreth 7% e votave u numëruan me dorë, pasi makinat i nxorën të pavlefshme. Gjithsesi, qysh atëherë, skanerat optikë janë përmirësuar dhe përdorur me sukses në qytete të ndryshme të Britanisë, në Norvegji, Hongkong, Singapor, Filipine, Oman etj., dhe planifikohen të përdoren edhe në shumë vende të tjera.
Së dyti, në Shqipërinë e teorive konspirative dhe të dyshimeve të pafundme, mund të ketë mosbesim edhe ndaj kompanive më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e prodhimit të skanerave optikë. Për këtë arsye, ndoshta çdo subjekti në garë i duhet dhënë e drejta e inspektimit të makinave dhe të programeve të tyre para nisjes së procesit të numërimit. Kjo mund ta vonojë disi fillimin e procesit, por, sidoqoftë, do të rriste ndjeshëm besueshmërinë e tij.
Së treti, në qoftë se një parti do të vendosë të shqyrtojë diskun me fotografitë e të gjitha votave (me numër unik për çdo fotografi), do t’i duhet të ketë njerëz të aftë të bëjnë grupimin e tyre sipas qendrave të votimit dhe subjekteve, e pastaj të ketë shumë aktivistë të gatshëm për të bërë numërimin viziv të votave. Dhe kjo, pa dyshim, do të përbënte një barrë të konsiderueshme për partitë, sidomos për ato të vogla. Por, në fund të fundit, është një barrë që e përligj veten. Nuk ka gjë më të rëndësishme për një parti politike sesa të ruajë votat e veta në garën për pushtet…