SI TË BËHESH AUTOR I FAMSHËM?

0
42

Goetz Frittrang

(Publikuar në “Ars Poetica” Nr. 2, Dhjetor 2007 – Përkthyer nga Gjelbrim Hoxha)

Nëse dëshironi të dini se si duket një autor i famshëm, shkoni më mirë në Panairin e Librit në Frankfurt. Aty, në hapësirat, natyrisht të gjera, mund të gjeni shumë autorë. Madje, disa sosh janë të suksesshëm.
Unë shkova atje dhe dëgjova me vëmendje intervistat në stendat e ndryshme. Ajo që m’u bë e qartë për autorët e suksesshëm dhe të famshëm, ishte se unë kurrë nuk mund t’i plotësoj kushtet e një klasiku. Unë jo vetëm që jam rritur në një kohë të gabuar, por edhe në një milenium dhe vend të gabuar. Pra, mos u vrerosni që nuk mund të sillni një bestseller. Nuk është faji i juaj.

Ndoshta duhet që së pari të definojmë se çka nënkuptohet nën një bestseller. Të marrim, për mahi, biblën. Është një megabestseller, pa dyshim. Bibla është e përkthyer në të gjitha gjuhët që mund të na i merr mendja dhe ka një komunitet fansash që do të bëjnë të pamundshmen për t’iu propozuar biblën edhe të tjerëve. Mirëpo, e tëra kjo nuk ia vlen. Bibla është shkruar nga një kolektiv autorësh dhe përgjatë shekujve, secili bëri ndryshime e korrektura. Pra, sikur te Wikipedia. E njëjta autorësi radikale, por nga përmbajtja pak e përpunuar.

Por ka aty edhe bestseller të pamohueshëm. Libra që secili i njeh dhe janë të shkruar prej një personi. Me fjalë të tjera: “Harry Potter”. Një libër i trashë e i majmë, që solli po ashtu fitime të trasha e të majme. Asgjë nuk kam kundër zonjës Rowling personalisht, por mund të të çohet vreri kur sheh se si një autodidakte shkruan një libër për fëmijë dhe bën fitime të tilla, që përndryshe njihen vetëm nga tregtia e vajgurit. Por ata të gjithë, që grihen nga zilia sociale, i rehaton së paku ndërgjegjja, që këto romane kurrë nuk do të mbajnë titullin si: “letërsi e lartë”. Natyrisht kjo gjë i është e njohur edhe zonjës Rowling. Për këtë gjë, ajo, në vitet e ardhshme do të fabrikojë letërsi serioze, por do të ngec, sepse kritikët e saj do të ishin me gjithë qejf autorë, të cilët do të fitonin sa ajo. E shoh, para syve të mi, se si nga makutëria do të shndërrohet në një rrënojë psikike, por do të gjej së paku ngushëllim në WC-në e vet ku në vend të letrës së nevojtores, do të varen bankënota të bukura pesëdhjetëfuntëshe.

Por ndoshta do t’i shkojë asaj për dore të shkruajë romanin e madh, epokal. Sepse pengesë për krijimin e veprave të mëdha është psika e shëndoshë. Të çmendurit bëjnë ato më të mëdhatë. Van Gogh: ishte aq i çmendur sa i ra një vesh. Philip K. Dick: prej drogës u shndërrua në një paranoid fushe ëndrrash. Wagner: në një Ludwig të Dytë në ekstazë. Ludwig II.: në një Sissi në Speed, Nietsche: nga motra e vet u bë copë e muzeut në vilën e tij ” Silberblick”.

Eh! Të sëmurit shkruajnë gjëra sikur eposi i Gilgameshit dhe do të lexohen me mijëra vjet. Të shëndoshët shpirtërisht, shkruajnë broshura këshillëdhënëse të holla e të esëllta, për të mirat e dobësitë e hidrokulturave dhe radhiten në listën e shitjes së Amazon-it pak më lartë se librat tepër interesante, si ” Kursi fillestar i të drejtës tatimore internacionale II”.

Por mos besoni se për të qenë i suksesshëm, mjafton që të përplasni kokën tuaj disa herë për frigoriferi. Për një sëmundje të pastër psikike iu nevojitet edhe një ves sexy, që të kurdis shitjen. Më së miri me një sëmundje seksuale. Sepse kush dëshiron të lexojë një vepër mbi shkatërrimin e brendshëm si dhe gjymtimin e vetvetes, të cilën e ka shkruar një sportist shumë i pashëm dhe plotësisht i shëndetshëm? Jo. Më së miri pranohet një libër i tillë, që është shkruar prej një njeriu të cilit vuajtjet shpirtërore mund t’i lexohen në fytyrë. Sepse, megjithatë, një libër i tillë lexohet për të mundur t’i thuash vetes, se prapëseprapë, ka njerëz që i kanë punët më keq se unë. Sepse me të vërtetë të shton depresionet kur sheh që dikush, jo vetëm që shkruan poezi cilësore, por edhe vetë duket si një model.

Këtë gjë e njohim nga kohërat e shkollës. Atëherë e ngushëllonim veten, se nuk ishte aq mirë për të qenë sikurse i pari klasës, sepse ai kishte difekte të tjera. Një fjali që e njohim të gjithë: “është e vërtetë se ai merr vetëm nota të mira por nuk ka shokë!” . Ky mendim, se secilit nga ne i është dhuruar një numër i kufizuar aftësish, na lë që të shpresojmë për një drejtësi më të lartë.

Duke marrë parasysh këto gjëra, duhet që njerëzit e goditur të metat e tyre diku t’i barazojnë, dhe në këtë mënyrë arrijnë te idetë e tyre gjeniale. Për këtë gjë tingëllon muzika e njerëzve të shëmtuar shumë më mirë se e pop-yjeve të bukur. Apo mos po besoni se Schubert do të kishte shkruar aso simfonie, tejet të përmallueshme, po të kishte qenë një seks-bombë bjonde dhe me trup të bukur? Sigurisht se jo. E nga ana tjetër, jeni të vetëdijshëm se po ashtu nuk ia vlen për të qenë vetë një shëmtak sifilitik, me ditë të numëruara të jetës, që vetëm pas vdekjes do të arrini te fama.

Por për t’u bërë një shkrimtar me famë, nganjëherë mjafton që të jeni lindur në mardhënie të qëlluara familjare. Irlanda e fillimit të shekullit XX, do të kishte qenë vendi i duhur dhe koha e duhur. Sa gjërat atje mund t’i përjetoje! Luftën qytetare, zinë e bukës, papunësinë masive krahas me alkoholizmin masiv. Në të vërtetë po tingëllon diç më keq se Brandenburgu, por më besoni se ishte edhe më keq!

Frank McCourt- it, iu desh vetëm të përshkruante se ç’ka përjetuar, dhe “Hiri i nënës time” u shit 6 milionë herë. Unë kam lindur më 1977 në Friedrichshafen, në Bodensee. Jam rritur në një lagje të qetë, me mësues të mirë, gjithnjë kam pasur mjaftë për të ngrënë, kam pasur prindër të dashur, një vëlla të madh të mirë, një qen… dreqi e marrtë! Si mund të thuret një epos për vuajtjen e dhunën nga ky material? Nuk është pra çudi që unë me një biografi paksa të fryrë, dua që në skenën letrare të bëhem interesant. Botimit tim të parë, një tregimi të shkurtër, ia bashkëngjita këtë biografi:

“Goetz Frittrang, i lindur në Wilhelm Gustloff, deri sa ky perëndoi, ishte bir jolegjitim i Hermann Goering dhe Astrid Lindgren. Ai u rrit me një identitet të rrejshëm në një regjion nuklear të Rusisë dhe hapat e parë letrar i bëri në pjesën teatrale “Mutantët e rrasur” që u stolis me medaljen e Stalinit. Dy herë. Në shkollë nuk shkoi kurrë, për këtë gjë kaloi vite të tëra mes banditëve të Borneos dhe u kthye në fillim të viteve të gjashtëdhjeta prapë në Gjermani, ku brenda një kohe të shkurtër u infektua me dymbëdhjetë sëmundje seksuale, prej të cilave katër prej tyre deri atëherë ishin krejtësisht të panjohura. Nga kjo kohë erdhi edhe cikli i poezive të tij “Jugu i përflakur”, që nga Ernst Juenger u cilësua si “vepra më depërtuese erotike moderne”.

Në fund të viteve shtatëdhjetë, pasi u përjashtua nga RAF- i, themelues i të cilit ishte ky vetë, u shpërngul në Bodensee. Ai në këtë kohë i përpunoi përvojat deziluzive politike në romanin ” Baader dhe Meinhof janë budallenj dhe kundërmojnë” . Kjo vepër nga Kancelari i vjetër Helmut Schmidt, u çmua si ” Bilbla e vjeshtës gjermane”. Kjo ndodhi gjatë kohës në Bodensee, deri sa Goetz Frittrang e pranoi se ishte anëtar i NSDAP-it, SS-ve dhe KGB-ës dhe përgjithmonë u largua nga planet e tij për sundimin e botës, që deri atëherë ishin të panjohura. Për këtë gjë ai iu përkushta vetëm artit.

Në dekadat e mëtejme, ai bënte muzikë, kompozonte dhe përpilonte vepra fantastike me përmasa epike. Njohësit e cilësojnë veprën e tij komplete, si kurora e asaj që shpirti njerëzor mund të krijojë. Përmblidheshin njohuri shkencore revolucionare dhe shpikje ndër to, piktura dhe opera. Vepra e tij e përgjithshme duhej të kishte disa qindra mijëra faqe. Por pas rastit tragjik me një qiri nga ato u bën disa kova me hi. Për fat të keq, gjatë këtij zjarri, Goetzi goditet në kokë dhe në vend i humbet dituria, aty ishin të vendosura tërë veprat enigmatike. Komisioni për Çmimin Nobel i dërgoi një telegram ngushëllimi. Në kohët e fundit e provon Comebeck-un e vet me tregime të shkurta humoristike”.

E nëse me këtë biografi nuk ia arrij, atëherë nuk di më tutje.

Përktheu nga gjermanishtja: Gjelbrim Hoxha

Kopertina – William Adolphe Bouguereau (1825-1905) – “Arti dhe Literatura” (detaj)