Si Romney e mundi Obamën, cilat ishin gafat, pse Obama tani rrezikon shumë

0
32

TemA Online, 5 Tetor 2012

Sondazhet edhe gabojnë. Në fillimin e debatit Obama ishte 79 % përqind fitues, Romney 21 %. Por goditja vjen menjëherë. “Romney e nisi më mirë, Obama tepër profesor”, analizon gjiganti CNN. Pastaj vjen vendimi mizor: dy në tre persona që ndoqi debatin mes Obamës dhe Romeny-t thotë se kandidati republikan e fitoi duelin e parë. Duke iu referuar sondazhit të institutit Orc International për llogari të CNN, 67% të personave e ka cilësuar Romney si fitues kundrejt 25 % të Obamës. Pra, një fitore 1-0, edhe pse bëhet fjalë vetëm për një sondazh dhe rezultatet më të thella do të dalin në ditët në vijim.

DEBATI NË TV

Debati televiziv u ndoq nga 60 milionë amerikanë. Por ku i dihet sa kanë rezistuar deri në fund të betejës, (eksitues si të jesh në një lokal pa një pije duke dëgjuar avokatin dhe konsulentin tënd të biznesit). “Na kanë ardhur fjalë që shumë amerikanë i kanë zënë gjumi në divan gjatë”, bën shaka me ironi për debatin e mërzitshëm Andy Borowitz për New Yorker. I mërzitshëm, i përqendruar në “furtunë shifrash” (titulli i New York Times). Ndërsa regjisori Michael Moore, mbështetës i njohur i demokratëve, i habitur nga performanca pak brilante e Obamës thotë plot ironi: “Ja çfarë ndodh kur dikush stërvitet me John Kerryn”. (Në fakt Obama i kaloi tre ditët e fundit duke bërë ushtrime oratorie me ish kandidatin demokrat Kerry).

PËRVJETORI

Edhe gjesti romantik i Barack (që në hapje të debatit ka rikujtuar 20 vjetorin e tij të martesës), u luajt nga Romney në favorin e tij. “Faleminderit Xhim për mundësinë. Dua të falënderoj kandidatin Romney dhe Univesitetin e Kolorados. Ka shumë pika që dua të ndalem sonte, por gjëja më e rëndësishme, është se 20 vjet më parë u bëra burri më i lumtur në tokë, pasi Michele Obama pranoi të martohej me mua. E dashur të uroj gëzuar përvjetorin dhe vitin tjetër nuk do jemi duke festuar para 40 milionë personave”, tha presidenti Obama, por Romney mori buzëqeshjen e publikut kur tha:” Përgëzime president, jam i sigurtë që ky është vendi më romantik që mund të imagjinoje për të festuar”.

PËRQAFIME DHE SULME

Nuk mjaftoi përqafimi mes Michelle Obama dhe Ann Romney për të krijuar klimën e një debati të përmbajtur. Temat e nxehta ishin: reforma shëndetësore dhe taksat. Për të parën, Obama kaloi në avantazh: “Reforma e bërë nga Romney kur ishte guvernator i Massachussetts është identike si e imja”. Dhe vjen goditja e Romney: “Ju kishit për dy vite mazhorancën në si në Senat, ashtu edhe në Kongres, e çfarë vendosët të bënit? Luftuar për “Obamacare, në vend që të jepnit vende pune për qytetarët amerikanë”.

EKONOMIA

Pyetja e parë kishte të bënte me mënyrat e krijimit të vendeve të reja të punës. Obama tha se ekonomia e rënduar amerikane, që ai trashëgoi katër vjet më parë po mëkëmbet. Por ai tha gjithashtu se mbetet ende shumë punë për t’u bërë. “Gjithçka varet nga votuesit. Ne do te ulim taksat për korporatat në mënyrë që të stimulojmë ruajtjen e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara në vend të transferimit të tyre jashtë. Është e nevojshme të bëhen investime pa e rënduar shtresën e mesme të amerikanëve me koston e tyre.

Shkurtimet e taksave për shtresën e mesme të amerikanëve u kanë lënë atyre më shumë para në dispozicion. Amerika është më mirë, kur shtresa e mesme është mirë”, tha Obama. “Unë jam i shqetësuar se rruga që kemi bërë deri tani ka qenë e pasuksesshme. Vendi duhet të ndjekë një rrugë të ndryshme nga e kaluara. Presidenti e ka pikëpamjen e ngjashme me atë që e kishte kur kandidoi para katër vitesh, atë të qeverisë më të madhe, të shpenzimeve më të mëdha. Kjo nuk është përgjigje e drejtë për Amerikën”, tha kandidati republikan.

Goditja kryesore e Romeny-t u bazua tek deficiti gjatë debatit me presidentin amerikan. “Më vjen mirë që e ngritët si çështje. Është mjaft kritike si çështje, nuk mendoj se është thjesht ekonomike, mendoj se është edhe një çështje morale. Presidenti thotë se do të reduktojë deficitin, por në fakt e ka dyfishuar atë. Ka krijuar një borxh kaq të madh pothuajse sa të gjithë presidentët e tjerë të marrë së bashku”, vijoi Romni. Ndërkohe replika e Obamës ishte: “Kam trashëguar një borxh të madh, por bëmë shumë dhe e di që duhet të bëjmë akoma më tepër. Dhe për këtë kam një plan reduktimi”.

TATIMET DHE ENERGJIA

Romney kritikoi Obamën për rritjen e tatimeve, që sipas tij do të prishin koniunkturën. Kandidati republikan tha se do të rivendosë vitalitetin e ekonomisë amerikane. Obama nga ana e tij kritikoi Romney për faktin se ai dëshiron t’ju heqë të pasurve tatimet në kurriz të njerëzve të klasës së mesme. Ai mendon se planet e tij do të çonin patjetër në rritjen e borxhit në vend. “Çështja nuk është se ku kemi qenë, por ku do të shkojmë”, tha Obama.

“Mendoj se për ne e rëndësishme është të zhvillojmë burime të reja të energjisë këtu në Amerikë; për këtë arsye ne e kemi ndryshuar kodin tonë të taksave për të pasur siguri se ne i ndihmojmë bizneset e vogla dhe kompanitë që investojnë këtu në Shtetet e Bashkuara”. Por Obama ishte dakord me Romney për nevojën e shtimit të prodhimit energjetik. Megjithatë ai tha se duhen shqyrtuar edhe variantet e energjisë së erës, diellit dhe të biokarbureve Ai tha se është e nevojshme të bëhen investime pa e rënduar shtresën e mesme të amerikanëve me koston e tyre.

TAKSAT

Kandidati republikan paraqiti një vizion tjetër duke mohuar se do t’i ulë tatimet për të pasurit. Romney kritikoi planin e Presidentit Obama për të mos shkurtuar taksat për kompanitë e naftës, ndërkohë që mbështeti shkurtimin e taksave për energjinë alternative. Ai tha gjithashtu se do të donte të sillte përsëri në Shtetet e Bashkuara ato vende pune që janë transferuar jashtë vendit. Ai tha se shtetet janë laboratoret e demokracisë dhe mund të kryejnë disa shërbime më të mira për qytetarët.

I PASIGURTË

Nervoz, pak i qartë, ndonjëherë hezitues në përgjigje, me shikimin lëshuar poshtë. Ky ishte Obama gjatë debatit. Sa dikush ngriti pyetjen: Po Obama a është përgatitur për debatin?! CNN: “Obama duket i pasigurtë, vazhdon të lexojë shënime dhe nuk e shikon kurrë rivalin në sy, ndryshe nga Romney”. Presidentin e luan shumë herë kartën e historisë së tij të trazuar. Citon prindërit dhe gjyshen amënore. “Ju i drejtohet Romenyt, doni që të moshuarit si gjyshja ime të mos jenë të fort të siguruar nga kompanitë e sigurimeve”.

SY TË PASTËR, ZEMËR E MADHE

Romney nuk i citoi familjarët e tij në debat, por ai kishte kaluar orë duke stërvitur për debatin me gruan e tij An. Por dy nga djemtë e tij shkruajtën në Twitter për babain: “Është dëfryes”, “sy të pastër, zemër e madhe”. Ndërsa stafi i Rommeyt: “E masakruam” (sigurisht Obamën).

La Repubblica: Goli që ndryshoi ndeshjen, ja pse Obama tani rrezikon VITTORIO ZUCCONI

Nëse Presidenti Barak Obama do të humbasë Shtëpinë e Bardhë me 6 nëntor, duhet të shikojë pas në debatin e parë me kandidatin republikan Mitt Romeny, si ngjarjen që solli humbjen e tij. Pritej që Obama të ishte lart në debat, sepse ai këtë e ka bërë në debatet me Hillary Clinton dhe më pas kundër John McCain, por humbja me Romneyn ishte e pabesueshme. Kandidati republikan që ishte në agoni, bëri atë që duhej të bënte një skuadër për të fituar në kthesë, sulm, sulm dhe vetëm sulm, e sulmi i tij habiti edhe më pesimistët dhe bëri që të entuziazmohem mbështetësit e tij. Mbrëmja e Denverit mund të cilësohet si “game changer”, ose goli që ndryshon ndeshjen, “gol” në të cilin republikanët dhe e gjithë e djathta amerikane po shpresonin të ndodhte.

Nuk mund të imagjinohej një dhuratë më e shëmtuar për 20 vjetorin e martesës së Obamës. Presidenti amerikan mori vetëm grushta, pa mundur t’i kthente ato, edhe kur Romney zbulohej kur mohonte ato që kishte thënë më përpara.

Nën frikën se mos dukej tepër agresiv e pak presidencial, Obama tregoi edhe një pasivitet në atë që quhet “body language”, ekspresionet dhe lëvizjet e trupi të tij e konfirmuan më së miri këtë. Obama nuk bëri gafa, por i tha një lumë gjërash, që asnjë nga fjalë nga to nuk do të mbahen mend gjatë. Ai pësoi agresivitetin e Romneyt, por pa reaguar. I mbante sytë poshtë. Lëshonte buzëqeshje të gjata, por që nuk dukeshin të sinqerta. Dukej në siklet dhe jepte shpjegime si një punonjës i Shtëpisë së Bardhë që e bënë të dukej pikërisht ashtu siç nuk duhet të duket një president: një lider i dobët.
I vetmi lajm i mirë për Obamën është se të paktën ka edhe dy debate. Dhe nuk mund të bëjë më keq se ç’bëri në Kolorado.

50 milionë amerikanë ndoqën debatin
Vlerësohet se afro 50 milionë amerikanë e kanë ndjekur debatin televiziv Obama – Romney në Shtetet e Bashkuara. Të pranishmit të audiencë do të bëjnë pyetje për politikën e jashtme dhe të brendshme gjatë debatit 16 tetorit, i cili do të zhvillohet në formën e një takimi publik. Debati i tretë dhe i fundit, që do të zhvillohet më 22 tetor, do të përqendrohet kryesisht në politikën e jashtme. Ndërsa debati mes kandidatëve për nënpresident do të zhvillohet më 11 tetor.

Sondazhet pas debatit
Gjerësisht analistet pranuan se Mit Romney u shfaq më mirë në këtë debat. ABC Neës citoi një prej këshilltareve dhe strategëve të partisë demokrate, Dona Brazil e cila tha se “se Mitt Romney-t ishte pak me shumë agresiv se presidenti”. Një tjetër sondazh i CBS-se, tregoi një mbështetje prej 46 % per Romney-n dhe 22 % për Obamën. Një tjetër sondazh i Google dëshmoi se Romney kryeson me 47.8%, kundër 25.4 % të Obames. Amerikanët kane mendimet te ndryshme për debatin, por shumë prej tyre mendojne qe asnjeri nuk ishte fitues i madh.

Analistët: Romney fitues në debatin e parë
Mitt Romney ka fituar në debatin e parë televiziv me presidentin Barack Obama. Është ky vlerësimi i analistëve kryesorë amerikanë, i konfirmuar nga një sondazh i CNN. Ndërsa ish-guvernatori i Masaçusetsit e sulmonte, duke përmendur shifra dhe duke shkatërruar “rekordin” në temën e ekonomisë për 4 vitet e fundit, Obama dukej i humbur. Sipas analistëve, shpesh herë presidenti është shfaqur me shikimin ulur, duke tundur kokën dhe duke qëndruar gjithmonë në mbrojtje, duke shmangur me kujdes çdo kontradiktë. Ky ishte debati i parë nga tre që do të zhvillohen gjithsej mes Romney dhe Obama që kandidon për një mandat të dytë presidencial në zgjedhjet e nëntorit.