Si po e furnizon me armë Asadin aksi Shqipëri- Mali i Zi- Serbi (FAKSIMILE)

0
64

Një histori e ndyrë aferash tregtimi armësh ku Shqipëria përdoret nga Serbia dhe Mali i Zi. Armët deklaron se po shkojnë në Armeni e përfundojnë në Siri

Nga Gjergj Thanasi, 2 Korrik 2012

Pranvera arabe që filloi vjet me pak apo shumë gjak po i spastron diktatorët arabë dhe po i detyron autokratët nga Rabati në Xhedah të moderohen, modernizohen e t’i liberalizojnë regjimet e tyre. Pas Ben Alisë, Mubarakut, Salehut dhe Gadafit tashmë është radha e Asadit të ri. Që nga fillimi i protestave regjimi gjakatar i Asadit ka masakruar mbi 17.000 sirianë. Normalisht regjimi me bazën e ngushtë alevite dhe të biznesmenëve këpusha sunito-kristiane nuk do të mund t’i rezistonte urrejtjes së popullit të vet, nëse nuk do të ndihmohej me armë, municione, ekspertë dhe inteligjencë nga aleatët e tij si Irani i mullahëve, Rusia e Putinit, Kina komuniste dhe Serbia demokratike e Tadiç -Nikoliçit.

Krahas Iranit, Kinës dhe sigurisht Rusisë, edhe Serbia po vazhdon furnizimin me armë të rregjimit vrastar të Asadit. Furnizimet me armë serbo-sllave për Asadët e Sirisë datojnë që në kohën e Mareshalit Tito. Normalisht lidhjet e vjetra rigjallërohen sot kur diktatori sirian është në ditë të hallit. Fatkeqësisht kur kemi shitblerje armësh serbe, pushtetarët tanë përfshijnë dhe Shqipërinë, e cila nuk fiton asgjë dhe humb shumë. Jo rastësisht ambasadori Arvizu në seminarin e 19 qershorit ritheksoi shqetësimin e qeverisë së tij për zbatimin e rregulloreve të tregtisë, që do të ndihmojnë në kontrollin e armëve në vendet pjesëmarrëse të këtij seminari, ku ndër këto vende dallohej Shqipëria dhe Mali i zi.

Në faksimilen e manifestit të ngarkesës së anijes “Barbet Arroë” shihet qartë që ngarkesa prej 2.500 tonësh fishekësh kalibër 7,62mm (fishekë kallashnikovi) dhe 154 ton raketa antitank OSA kalibër 90mm të prodhimit serb (jugosllav), rreth 14.000 copë raketa (lëshues +raketë), ka destinacion Armeninë, por malli do shkarkohet në portin sirian të Latakias. Meqenëse Armenia është vend pa dalje në det, mundësia e vetme që kjo ngarkesë armësh të arrijë ne destinacion është të kalojë nëpër Turqi. Për arsye historike dhe jo vetëm, Turqia kurrsesi nuk lejon të dërgohen armatime për në Armeni nëpërmjet territorit turk. Kujtojmë këtu rastin e anijes Brustel me 60 kontejnerë me predha mortaje kalibër 120mm, që e nisur nga Durrësi me destinacion Armeninë (transit nëpër Gjeorgji), u bllokua nga autoritetet turke në Bosfor në qershor 2007. Kuptohet që armatimet e anijes M/V Barbet Arroë nuk shkuan kurrë në Armeni, por shtuan arsenalet e regjimit të Asadit.

Raketat OSSA krahas kapacitetit antitank përdoren shumë kundër fortifikimeve fushore si edhe në luftime në qendrat e banuara, pikërisht në ato lloje luftimesh ,me të cilat po angazhohen trupat e Asadit, ndërsa po përpiqen të shtypin kryengritjen e popullit sirian. U soll shembulli i kësaj anije si provë e kamuflimit armen për të furnizuar me armë Sirinë edhe kur vendi nuk i nënshtrohej ende një embargoje ndërkombëtare armësh.

Kemi prova që furnizimet me armë për regjimin e Asadit nga Mal i Zi vazhduan edhe pas vendosjes së embargos së armëve. Në faksimile (FAKSIMILE 1) vërehen qartë 21 fluturime me avionë tip AN 12 dhe IL76 cargo d.m.th. vetëm për transport mallrash, pronë të dy firmave armene përkatësisht: Air Highnesses Armenia dhe firma VBird Avia, e cila zotëron vetëm një avion ish në pronësi të firmës Air Highnessess. Këto fluturime kanë vazhduar nga maji i 2010-ës deri në shkurt të 2011-tës. Firma spedicionere malazeze e këtyre fluturimeve ka qenë “Roksped”, e afërt me vëllain e Milo Gjukanoviçit vazhdimisht president ose kryeministër i Malit të zi. Për çudi avionët pasi janë ngritur nga aeroporti malazez, në vend që të fluturojnë drejt lindjes për në Armeni, kanë fluturuar drejt jugut, drejt Mesdheut.

Ngarkesat e këtyre avionëve kanë qenë municione dhe armë të vogla e të lehta serbe dhe shqiptare. Duke krahasuar tabelat zyrtare të eksporteve të armatimeve malazeze dhe shqiptare vihet re se Shqipëria importon armatime serbe nëpërmjet Malit të Zi gjoja për forcat e saj të armatosura dhe pastaj i eksporton drejt vendeve të treta, përfshirë dhe Armeninë, po që shpesh herë nuk përfundojnë në Armeni. Të tilla importe në mjaft raste bëhen duke përdorur kompani false në parajsa fiskale si Ishujt Sejshell apo British Virgin Islands. Po ashtu Shqipëria eksporton në Mal të Zi armatime dhe municione në sasi jashtëzakonisht të mëdha për një vend me 600.000 banorë, të cilat Mal i Zi i eksporton në vende të treta përfshirë dhe Armeninë, por që shpeshherë këto armë nuk përfundojnë në Armeni, por në vende si Siria e Asadit.

Në vitin 2010 Mali i Zi eksportoi po në Shqipëri 10.000 copë raketa kundërtanke ZOLJA, prodhim serb. Këto raketa janë të ngjashme me raketat antitanke jugosllave OSA, që u përmendën më sipër, por kanë rreze më të shkurtër dhe aftësi më të ulët blindshpuese. Të tilla raketa janë shumë të përdorshme në kushtet e luftës në qendrat e banuara, të ngjashme me luftimet, që po zhvillohen në Siri. Në EUC-në certifikatën e përdoruesit të fundit të lëshuar nga autoritetet shqiptare garantohet që këto raketa nuk janë për tu rieksportuar jashtë Shqipërisë.

Duke anashkaluar problemin moral për blerjen e armatimeve serbe për të armatosur ushtrinë shqiptare, kemi të drejtë të shqetësohemi, pse në dokumentet zyrtare shqiptare këto raketa deklarohen si të lejuara për tu eksportuar në Gjeorgji? Në fakt zyrtarisht deklarohet se ky eksportim nuk është kryer për vitin 2011. Gjithsesi tashmë këto raketa antitanke nuk gjenden në depot e ushtrisë shqiptare. Ku kanë shkuar këto raketa antitanke? Nëse Ministria shqiptare e Mbrojtjes do të përgënjeshtrojë këtë fakt le t’i tregojë medias jo të 10.000 raketat, por vetëm 500-600 prej tyre. Në të kundërt ngrihet pyetja në çfarë drejtimi kanë “avulluar” 10.000 raketa antitanke serbe, blerë në Mal të Zi për nevojat e modernizimit të ushtrisë shqiptare? Me siguri edhe në këtë rast prestigji ushtrisë shqiptare është përdorur si kondom për të maskuar kontrabandën e armëve që kryhet rëndom nga serbo-sllavët.

Nëse do të krahasohen dokumentet zyrtare malazeze të import-eksportit të armëve me ato shqiptare lehtësisht do të zbulohen edhe “xhevahire” të tjera si këto të raketave serbe. Normalisht ky krahasim është objekt për një tjetër shkrim. Komponenti sero-grekofon është i pranishëm thuajse në të tëra transaksionet e armëve të kryera në njërën apo tjetrën formë nëpër mjet Shqipërisë. Kështu në Shqipëri vetëm vrakaçorrët dhe grekofonët e minoritetit janë të aftë të merren me tregtinë dhe transportin e armëve, duke filluar nga Delijorgji te Kalivopulli me dy anijet e tij përkatësisht M/V Pyramis, e çuar për skrap në Indi dhe M/V Anna K. Interesant është fakti që të dy këta xhentëllmenë armësh janë paditur në gjykatë nga doganat shqiptare për kontrabandë hekuri.

Të dy i kanë mbyllur me sukses ballafaqimet gjyqësore me doganat. Për ta bërë më interesante “turlinë” shqiptare të tregtisë së armëve në të përfshihen edhe ingredient të tillë si një tregtar i famshëm polak armësh (rasti Unimesko dhe 2 milion fishekët gjoja për në Kenia) apo individë si Lorenc Gocaj, i cili me dekret të Ramiz Alisë, që në gusht të vitit 1991 familjarisht ka hequr dorë nga nënshtetësia shqiptare. Qershia mbi tortë në këtë tregti përfshihet me 28% të kapitalit edhe gruaja e ndonjë koloneli të SHIU-t si ortake në firma polako -shqiptare, që përziejnë tregtinë e armëve me ndërtimin e HEC-eve. Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti firma Përparimi SHA në pronësi të mbiemrit të njohur Delijoirgji ka eksportuar nëpërmjet portit të Durrësit sasi të konsiderueshme hekuri në Siri. Interesant në një vend në luftë civile si Siria kush ka nevojë për hekur për ndërtime, qytetarët privatë, ndërmarrjet shtetërore siriane apo investitorët e huaj??!!

Lidhja e Shqipërisë pas qerres së zotëve të luftës serbo-grekë na turpëron para aleatëve të NATO-s dhe na nxjerr bojën para popullit sirian njëlloj si para popullit libian vjet. Qeveria jonë me fjalë është aleate besnike e NATO-s, është maksimalisht e ashpër kundra diktatorëve si Salehu, Gadafi apo Asadi me vepra i furnizon ata me armë me ndihmën e tregtarëve serbo-sllavë(apo u shërben këtyre të fundit si kondom për të kamufluar këtë biznes të ndyrë), armë këto të transportuara me anije në pronësi të minoritarëve grekofonë. Vetëm kaq është gjysma e së keqes, sepse siç e tregoi edhe tragjedia e Gërdecit, kur djalli del nga shishja, shkakton edhe hata. Në të tilla gjëma lenë kokën si fshatarët e mjerë edhe baxhanaku i Kryeministrit. Fatkeqësisht askush nuk garanton,që tragjedia e Gërdecit nuk do të përsëritet në depot e ushtrisë shqiptare apo në kalatat e portit të Durrësit.