Si përfunduam te “Au Crocodile”

0
69

Alba Malltezi

Nga: ALBA MALLTEZI, 21 Maj 2010

Të njohësh mirë veten, të flasësh me veten, të dialogosh me veten para se të flasësh me të tjerët, është një punë që ne shqiptarët po tregojmë se nuk e njohim. Ne kapërcejmë, injorojmë unin tonë, nuk e respektojmë, nuk e vlerësojmë; nuk dëgjojmë, nuk dimë të lexojmë mençurinë dhe urtësinë që me siguri ekziston dhe në ADN trashëguar nga të parët, që kanë treguar se gjëra të mençura kanë ditur të bëjnë. Injorojmë dhe nuk shohim dhe ata që kemi më afër, por presim zgjidhje nga larg, nga jashtë.

Një zgjidhje që vetëm arnon. Jo më kot edhe kjo krizë politike kapërceu kufijtë për të ulur përfaqësuesit më të lartë të dy partive kryesore shqiptare nga pluhuri i “Dëshmorëve të Kombit”, në restorant “Au Crocodile” në Strazburg, për të biseduar mbi pjata me meny që kapërcejnë shifrën e një pensioni mujor shqiptar për person. Cilido të jetë rezultati i këtyre negociatave brenda ka një dështim të madh: paaftësinë tonë për ta zgjidhur vetë problemin që kishte mbetur pezull. Çfarë pretendojmë? Në fund të fundit, politika shqiptare pasqyron në një farë mënyre atë gjëndje që shoqëria jonë ka ndërtuar që në bërthamë të saj: një familje e projektuar jo brenda shtëpisë, por jashtë saj.

Për shumë ka rëndësi se si i gjykojnë të tjerët dhe jo si jetojmë brenda mureve realisht. Për shumë është arritje që kriza jonë nga Tirana shkoi në Strasburg, personalisht e konsideroj një dështim dhe një ofendim për inteligjencën e një kombi që ka kontribut në civilizimin europian dhe botëror. Nuk mund ta imagjinoj se si hallet e shqiptarëve përfunduan mbi një tavolinë të rrumbullakët erëmirë, me pjatat minimaliste të shefit Philippe Bohrer, sikur ndërkombëtarët të shpresonin në një magji në trurin rural të liderëve tanë.

Nuk mund të mos gjendej një marrëveshje e urtë në Tiranë, një e mesme që do të qartësonte parregullsitë që s’duhet të përsëriten më në zgjedhjet e ardhshme e të fuste në lojë të gjithë aktorët e politikës shqiptare. Një Kuvend i ardhshëm shumëngjyrësh është një garanci për shqiptarët dhe PS e PD të pranojnë që bashkë gatuan para 28 qershorti 2009 menynë më të shëmtuar, bardhë e zi, dhe ua ofruan shqiptarëve, meny që nuk ka “Au Crocodile” ta rregullojë shijen.
(BalkanWeb)