Si pastronte paratë studio e Argitës dhe “suksesi” i qeverisë në mbylljen e dosjes

0
37

Nga Tema

Para pak kohësh qeveria shqiptare arriti një “sukses” në fushën e pastrimit të parave. Dosja ndaj Damir Fazlliçit, sekserit të Familjes Berisha, që akuzohet për pastrim parash në bashkëpunim me të bijën e tij, Argita Malltezi, u mbyll. Edhe kjo si të gjitha dosjet e kësaj qeverie u mbyll për shkak problemesh procedurale.

Gazeta “TemA” riboton dhe njëherë dokumentet që kemi bërë publike për aferën e pastrimit të parave nga Fazlliç dhe Malltezi, të cilat nuk u rrëzuan kurrë në gjykatë, por dështuan të shkojnë atje për një fakt shumë të thjeshtë, sepse të hetosh krimin e pastrimit të parave në vendin tonë është jashtëzakonisht e vështirë.

Progres-Raporti më i fundit i Komisionit Evropian vëren se ky krim është tejet i përhapur në vendin tonë, por lufta ndaj tij është tepër e dobët.

Dosjet për pastrim parash nuk arrijnë të shohin dritën e gjykimit, për shkak se nuk shkojnë deri atje. Kjo për arsye të kapaciteteve të mangëta hetimore, moskoordinimit mes agjencive të zbatimit të ligjit dhe ekonomisë mbizotëruese informale.

Ajo çka thotë KE duket se është bërë realitet dhe në rastin e dosjes Fazlliç-Malltezi. Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë letërporositë nga vendet prej nga është kryer pastrimi i parave, si Zvicra, Bosnja dhe Qipro, dhe në këtë drejtim ka luajtur një “rol” shumë të madh dhe Ministria e Drejtësisë që nuk ka denjuar të ndjekë këtë çështje duke e çuar drejt dështimit. Edhe një drejtori e posaçme e Ministrisë së Financave, që merret me pastrimin e parave, nuk ka se si ta vinte ujin në zjarr për këtë problem.

Mbyllja për shkak të procedurave nuk do të thotë që gjërat janë arkivuar, pasi kjo dosje mund të hapet sërish, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha dosjet e qeverisë Berisha që nuk kanë parë dritën e gjykimit.

Ndërsa qeveria, siç thotë Komisioni Evropian, bën ligje “copy-paste” për pastrimin e parave, pa kuptuar asgjë nga termat, ne po sjellim të përkthyer pjesë nga një raport i Akademisë Britanike të Mbrojtjes që thotë troç atë që të gjithë e dinë, që në këtë vend ligjin e bën Argita

Dosja e pastrimit të parave
tema.al
04.10.2008

Kupola e pushtetit, Argita Berisha – Lulzim Basha – Damir Fazlliç

Damir Fazlliç është një serb boshnjak i kontraktuar i kompanisë BG&R në Shqipëri, në mbështetje të Partisë Demokratike në fushatën elektorale të vitit 2005. Pasi mbaroi fushata, ekipi i BG&R iku. Damir Fazlliç u kujdes që shumica e ekipit të armiqësohej me Sali Berishën dhe ekipin drejtues të PD dhe mbeti i vetëm në Tiranë. I lidhur fort me Lulzim Bashën, në atë kohë zëdhënës i fushatës elektorale të PD, Fazlliç krijoi javën e parë të pushtetit të PD brenda dy ditëve tri kompani, me statut të njëjtë, seli të njëjtë dhe administrator të njëjtë. Selia ishte shtëpia e vjehrrit të Lulzim Bashës, statutet janë të gjitha tipike, me aktivitet të përgjithshëm tregtar dhe administrator i të gjithave është Erion Isufi, kunati i vetëm i Lulzim Bashës. (Vëllai i gruas së tij).

Firmat e krijuara brenda dy ditësh janë si më poshtë:

Firma: “Virtu Acquisitions”, e regjistruar më 19 shtator 2005, administrator: Erion Isufi

Adresa: Rr. “Shinasi Dishnica”, Pallati 2/4.

Firma: “SRF Developments”, e regjistruar më 19 shtator 2005, administrator: Erion Isufi

Adresa: Rr. “Shinasi Dishnica”, Pallati 2/4

Firma: “Crown Acquisitions”, e regjistruar më 20 shtator të vitit 2005, administrator: Erion Isufi (deri më 4 qershor 2007)

Pra, siç shihet, brenda dy ditësh janë formuar tri kompani, me administrator Erion Isufin, kunati i Lulzim Bashës, pronar Damir Fazlliç, dhe seli të njëjtë te rruga “Shinasi Dishnica, që rezulton të jetë pronë e vjehrrit të Lulzim Bashës.

Ngjashmëritë vazhdojnë edhe me statutet dhe qëllimet e këtyre firmave, të cilat kanë ekzaktësisht të njëjtin grup objektivash. Kryesisht këto firma synonin operimin në tregun e pasurive të paluajtshme duke zhvilluar projekte ndërtimi dhe të zhvillimit urban, shitblerje dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme, dhënien e konsulencës ekonomike, tregtare dhe financiare për ndërmarrjet, por edhe tregtimin, import-eksportin dhe magazinimin e mallrave të ndryshëm. Kësisoj, është e qartë se, ndërsa kunat kishte ministrin e Transporteve dhe Punëve Publike, Erion Isufi vendosi të bëjë administratorin e tri firmave që zhvillonin projekte ndërtimi dhe urbane, por dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme.

Nga të tri këto kompani, “Crown Acquisitions” ka pasur më shumë fat. Ajo mori niptin për konsulencë tregtare dhe u regjistrua në tatime. Siç shihet dhe nga faksimilet, ajo nuk ka bërë asnjë aktivitet tregtar në Shqipëri deri në vitin 2007. Ka marrë rregullisht gjoba nga sistemi i tatimeve, dhe nuk ka vrarë mendje të shkojë të bëjë ndonjë deklarim atje. Siguria e pushtetit i ka dhënë krah.

Rasti fatlum është paraqitur në një periudhë shumë të dyshimtë. Në maj të vitit 2007, Damir Fazlliç vendos ta shesë këtë kompani te një kompani qipriote. Shuma është marramendëse, 1 milion e 750 mijë euro. Dhe kjo në një kohë kur kompania nuk ka asnjë kapital financiar dhe asnjë aset në formën e pasurive të paluajtshme. I vetmi ndryshim ishte se kishte ndërruar zyrat me qira nga lagjja e vjehrrit të Lulzim Bashës te dy kullat në bulevard së bashku me kunatin e Lulzim Bashës.

Shitja e dyshimtë e kompanisë në Qipro

Në maj të vitit 2007, pronari Fazlliç dhe administratori Erion Isufi vendosin ta shesin kompaninë te një kompani qipriote. Shitja u krye zyrtarisht më datën 9 korrik 2007, me vendim gjykate, nr. 34011/2, të gjyqtares Majlinda Doga për llogari të një firme të regjistruar në Nikozia të Qipros, e cila quhet “Altaria Research Limited”.

Praktika e ndjekur për shitjen tregon se firma qipriote nuk solli ndonjë përfaqësues të sajin në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Flutura Kola, bashkëpronare e studios “Kola& Malltezi”. Dokumentet tregojnë se firma qipriote e ka lëshuar prokurën e përfaqësimit që në datën 14 maj 2007 (kohë në të cilën administrator ishte z. Isufi), ndërsa avokatja Kola më datën 20 qershor 2007 firmosi kontratën e shitjes. Nga termat e kontratës del se firma “Crown Acquisitions” u shit për një vlerë prej 1 milion e 700 mijë eurosh, ndërsa në kontratë nuk përcaktohej asnjë aset i firmës.

Por në tatime zbuluam se firma ende vazhdonte të ishte e regjistruar në emër të Damir Fazlliç. Madje të dhënat nga tatimet tregojnë se kjo firmë nuk ka derdhur asnjë qindarkë në arkën e shtetit. Firma nuk kishte asnjë aset dhe nuk ka paguar kurrë ndonjë detyrim tatimor, madje nuk ka paguar as 10 përqindëshin e TVSH për kontratën e shitjes

Flutura Kola ka filluar të operojë në fushën e avokatisë dhe konsulencës që prej 8 tetorit të vitit 2005, datë në të cilën, zonja Kola së bashku me juristen tjetër, zonjën Argita Malltezi, regjistruan në Tiranë studion ligjore “Malltezi&Kola”. Megjithatë, praktika e kësaj studioje tregon se vetëm dy muaj pasi u themelua, dy ortaket u ndanë. Në bazë të dokumenteve zyrtare rezulton se në të njëjtën datë (15 dhjetor 2005), zonjat Flutura Kola dhe Argita Malltezi janë paraqitur tek e njëjta notere (zonja Flutura Pustina, shoqe e tyre, gruaja e Andi Tomës, drejtor i Rrugëve), për të regjistruar dy firma konsulence më vete. Për pasojë, u formuan dy firmat “Malltezi& Associates” si dhe “Kola&Associates”. Ndonëse dy ortaket filluan të operonin më vete, ato ndajnë të njëjtën zyrë që kanë deklaruar se kanë blerë bashkë, ekzaktësisht në të njëjtin apartament në adresën: “Rruga e Barrikadave”, Pall. Ndërtim Vila, Ap. 7.

Akti i shitjes është depozituar në QKR, por jo në tatime. Paratë janë marrë, por tatimi nuk është paguar. Nuk dihet në ç’mënyrë është bërë pagesa, cash ose me çek, por e sigurt është se ajo është përdorur për të sjellë 1 milion e 750 mijë euro nga Qipro në Tiranë.

Treshja që ka realizuar këtë ka lidhje me Lulzim Bashën, Argita Berishën dhe Damir Fazlliç, këshilltarin konfidencial të Sali Berishës.

Hijet serbo-boshnjake mbi kompaninë qipriote

Kompania qipriote “Altaria Research Limited” vepron formalisht në Qipro, dhe ka në përbërje të saj 1200 aksione, të cilat përfaqësohen nga dy gra secila nga gjashtë aksione. Forma e aksionerëve është anonime dhe e paverifikueshme. Në mbledhjen që ka bërë kompania për të autorizuar Flutura Kolën për blerje të kompanisë së Fazlliç në Shqipëri, del se është thirrur si sekretare e mbledhjes një pronare e një kompanie tjetër “Skaysee” me Merin Janulla, e cila ka firmosur autorizimin. Dyshimet shkojnë më tej, pasi kompania që ajo përfaqëson është në listën e zezë të OKB për trafik armësh në Afrikë.

Por kjo do të jenë objekt i hetimit të mëvonshëm të redaksisë sonë. Ajo që është prezente, ka të bëjë me faktin se një treshe e fortë në pushtet, Lulzim Basha, Argita Malltezi dhe Damir Fazlliç, janë shumë të përfshirë në biznes me njëri-tjetrin. Të gjithë asistencën ligjore dhe për kompanitë e tjera Fazlliç-it ia ka dhënë studioja e Argitës. Kështu, 1 muaj pasi kishte bërë këtë shitje të rreme, më 10 shtator të vitit 2007, zoti Fazlliç autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Joana Qeleshi, që të regjistronte në emër të tij firmën “Alpha”. Zonja Qeleshi në këtë periudhë ka punuar si avokate në studion “Kola&Associates”, në pronësi të avokates Flutura Kola. Madje, Damir Fazlliç zgjodhi si kontabiliste për firmën “Alpha” zonjën Shpresa Breçani, e cila është mbesa e kryeministrit Berisha dhe kushërirë e parë me juristen Argita Malltezi. Më tej akoma, gjithë përkthimet dhe përkthyeset mbajnë ose mbiemrin Basha ose Isufi, që janë përkatësisht mbiemrat e Lulzim Bashës dhe Xhaferr Isufit, vjehrrit të tij.