Si nuk iu ndanë fatkeqësitë këtij populli?

0
51

Nga Xhogu Ç

Kjo ishte pyetja që s’më hiqej nga mendja, kur lexova materialet e konferencës së shtypit që kryetarja e parlamentit Z. Jozefina Topalli dha pas vizitës në SHBA-së. Zonja Topalli u paska folur kongresmenëve amerikanë “për demokracinë në Shqipëri”, “për mrekullinë që ka bërë liria”, “për transformimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë,” “për rritjen ekonomike”, dhe sipas mendjes së Topalles qenkemi “edhe lidër në rajon,” (pikërisht ashtu siç ishim edhe në kohën e Enver Hoxhës, “luanë në Evropë”).

Hapu dhe e futu!!! Jeton kjo zonjë në realitetin shqiptar, apo në botën e përrallave? Mos e sheh kjo zonjë mrekullinë e lirisë në lirinë e pushtetarëve si Ilir Metat e Genc Rulat me kompani për ta vjedhur e grabitur këtë popull në mes të ditës? Apo në lirinë për të vrarë njerëz të pafajshëm ditën me diell, në Gërdec apo në mes të Tiranës, dhe në vend që vrasësit dhe njerëzit përgjegjës, Fatmir Medirat, Lulzim Bashat e kompani t’u kaloheshin organeve kompetente, u jepen poste e ofiqe?

Mos vallë mrekullinë e lirisë e sheh kjo zonjë në institucionet e ashtuquajtura demokratike që janë kthyer në leva të partisë në pushtet, e janë mbushur me bolshevikë të partisë e me servilë e Sashenka? Apo në lirinë për të vjedhur votat në mes të ditës? Apo e sheh mrekullinë e lirisë në arrogancën, prepotencën që ushtron në sallën e Parlamentit e që të kujton arrogancën, prepotencën e ish-udhëheqësve komunistë? Apo në lirinë e pushtetarëve për të bashkëpunuar me krimin e organizuar?

Mund të vazhdoja me pyetje të tjera, por deklaratat e Topalles në konferencën e shtypit, më kujtuan një nga ato “barsoletat” e famshme të Shtjefën Palushit, në kohën e tërmetit të madh që ra në Shkodër në prill të 1979. Shtjefeni po ecte mundimshëm në ato rrugë të kthyer në gërmadha, kur takon një shok që e kishte pasur në Liceut Artistik “Jordan Misja”. Një djalë që studionte për kanto, por që s’kishte talent fare. Pasi u përshëndetën, Shtjefni e pyeti se ç’e kishte sjellë në Shkodër. Tjetri iu përgjigj me një ton emfatik, ashtu si Topallja në konferencën e shtypit.

“Kam ardhur me Ansamblin e Ushtrisë për t’u gjendur pranë popullit të Shkodrës. Do të këndoj solo në koncertit që do të japim për këta fatkeqë.”

Shtjefeni, nxori një si pasthirrmë habite, dhe vazhdoi rrugën. Kur u nda, tha me vete: “Si nuk iu ndanë fatkeqësitë këtij populli, dje tërmeti dhe sot vjen ky të këndojë?”

Po kështu po ndodh edhe me ne. Gjatë gjysmë shekulli diktaturë, ishim kthyer në “fanar ndriçues për botën”, ndërsa tani nën këtë demokraci që ngjason më shumë me një autokraci jemi shndërruar në “lider në rajon.”

Janë këta politikanët tanë idiotë, apo jemi ne që e kemi ulur kurrizin kaq shumë saqë kanë të drejtë të tallen me ne kështu?