Si në komunizëm!

0
33

Nga Mero Baze, 20 Tetor 2012

Asllan Patrioti mbeti në burg. Koordinatori i grevës së urisë së ish- të burgosurve politikë është ndaluar nga policia dhe më pas është burgosur pasi një mashtrues italian, nga ata që kërkohen si mashtrues në Itali dhe strehohen në Shqipëri, ka bërë një denoncim, sipas të cilit ky person i ka kërkuar 700 euro pas humbjes së makinës së tij, e cila u rigjet. Nuk ka asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë dëshmitar që të provojë akuzën e stisur vetëm disa orë pasi Asllan Patrioti deklaroi vendosmërinë për të mbrojtur grevistët përballë policëve të dhunshëm të Sali Berishës.

I pandehuri i regjimit të Hoxhës, dhe tashmë i regjimit të Berishës, nuk i ka marrë ato euro, dhe personi që e akuzon është botërisht i njohur si mashtrues në median italiane dhe atë shqiptare. Ai është një i vetëshpallur konsull nderi në Shqipëri, pastaj i vetëshpallur si mbartës i një urdhri të shenjtë si Varri i Pagëzorit, pastaj i vetëshpallur si qytetar nderi i Durrësit, por në fakt është thjesht një mashtrues ordiner. Shkalla më e lartë e karrierës së tij duket se është si bashkëpunëtor i policisë politike të Sali Berishës.

Por pas policisë, treguesi më i frikshëm është politizimi ekstrem i prokurorisë dhe gjykatës menjëherë pasi Sali Berisha mori të gjitha pushtetet në vend.

Prokuroria, e cila nuk ka asnjë provë të besueshme për ish- të burgosurin politik, pranon si provë faktin që një mashtrues italian, të cilit policia i mban të bllokuar makinën, bëhet bashkëpunëtor policie për të marrë makinën e tij, dhe çon si provë në gjykatë gjithçka thotë policia. Por për një moment e zëmë se prokuroria bën punën e saj rutinë në këtë rast si organ akuze duke supozuar çdo akuzë si krim.

Gjykata, e cila është ajo që duhet të ndajë trukimin nga faji, e lë në burg të pandehurin e regjimit, vetëm pse e ka parë në kamera duke folur kundër qeverisë.

Kjo gjykatë ka lënë të lirë Ilir Metën, i cili fliste para kamerave me zë dhe figurë jo për 700 euro, por për 700 mijë euro bakshish nga një biznesmen. Por meqë Sali Berisha një natë para gjyqit shkoi e piu verë tek shtëpia e Ilir Metës dhe pastaj në drekë kafe në Rogner, gjykata vendosi që ajo video nuk ekziston.

Kjo gjykatë ka në tavolinë një dosje të FBI me prova shkencore, që thotë se komandanti i gardës ka vrarë demonstrues përtej dyshimeve, thotë emrin e të vrarit dhe emrin e të dyshuarit që e ka vrarë po ai. Kjo gjykatë e lë atë të lirë, biles së bashku me gardistët e tjerë sillen ne sallën e gjyqit si në shtëpinë e tyre.

Kjo gjykatë ka lënë të lirë Lulëzim Bashën, duke mos ia hapur fare kapakun e dosjes për shqyrtim, pasi sipas saj i erdhi një ditë me vonesë.

Kjo gjykatë ka lënë të lirë Fatmir Mediun, pasi ditën që do të gjykohej, rifitoi imunitetin, ndërsa tani që ia kanë hequr, bën sikur nuk e ka mendjen që një vrasës po sillet si njeri i lirë.

Kjo gjykatë ka falur Damir Fazliçin, sekserin e Familjes në pushtet, i cili e ka të provuar se ka bërë pastrim të qartë paresh përmes studios ligjore të vajzës së Sali Berishës në shumën 1.7 milion euro, duke i shitur vetes në Qipro një kompani pa asnjë aktivitet në Shqipëri me një shumë marramendëse.

Por kjo gjykatë ka qenë e vendosur të mbajë në burg Asllan Patriotin, një qytetar të angazhuar politikisht kundër qeverisë, në krye të një greve vetëmohuese kundër regjimit. Qytetari është qartazi i përfshirë me mekanizma policorë në një akuzë të montuar, njësoj si në regjimin komunist. Nëse atëherë regjimi gjente disa bashkëpunëtorë sigurimi që dilnin dëshmitarë të rremë, sot regjimi ka gjetur një italian delikuent, që pranon t’i shërbejë policisë politike të Sali Berishës për t’i montuar një akuzë një kundërshtari të regjimit.

Dhe fill pas kësaj, të gjitha institucionet e tjera të shtetit, të gjitha pushtetet dhe instancat e gjykimit vihen në rresht për t’i plotësuar dëshirën regjimit. Pas policisë, që po përdoret si leckë për të fshirë pështymat e ish- të burgosurve nga fytyra hipokrite e Sali Berishës, në rresht janë vënë prokuroria dhe gjykatat, për të na treguar të gjithëve se sot krim nuk është të vjedhësh, krim nuk është të vrasësh, krim nuk është të manipulosh vota apo pastrosh para, krim është vetëm të jesh kundërshtar i Sali Berishës. Si në komunizëm!