Si mund të thyhet një korporatë e tillë kaq e frikshme?

0
68

Gjykatat shqiptarë vazhdojnë të japin dënime të lehta për rastet e korrupsionit në gjyqësor, duke penguar luftën e Shqipërisë kundër këtij fenomeni

Nga Besar Likmeta, BIRN, 4 Korrik 2012

Një gjykatë në qytetin e Fierit në fillim të kësaj jave liroi tre të dyshuar të gjetur fajtorë në përpjekjen për të korruptuar Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.

Edhe pse prokurorët provuan se tre të akuzuarit tentuan të ndikojnë një vendim në një gjyq për vrasje, ata nuk do të qëndrojnë në burg pasi dënimet e tyre janë pezulluar për shkaqe humanitare.

Gjykatësit pezulluan dënimet pasi tre të akuzuarit kishin fëmijë të vegjël.

Tre të akuzuarit tentuan të ndikojnë Gjykatën e Lartë për gjyqin ndaj Vilson Millarajt, që ishte dënuar me 20 vite burg për vrasje.

“Nga përgjimet doli që dy nga të dyshuarit po mblidhnin shuma të mëdha parash për të zgjidhur çështjen në favor të Millarajt,” thanë të premten prokurorët.

“Personi që premtonte të zgjidhte çështjen në Gjykatën e Lartë, Agron Lumeshi, është një i afërm i drejtuesit të trupit gjykues, Gani Dizdari,” theksuan ata.

Edhe pse Gjykata e Lartë në maj të vitit 2011 e la në fuqi dënimin ndaj Millarajt, prokurorët thonë se të dyshuarit ishin informuar se ishin nën mbikëqyrje dhe se ata ishin njoftuar për vendimin e gjykatës një ditë përpara se të bëhej i ditur.

Prokurorët thonë se gjykatësit e Gjykatës së Lartë ishin njoftuar se çështja po hetohej, duke bërë që ata të linin në fuqi vendimin.

Çështja kundër nipit të Dizdarit është një nga çështjet me profil të lartë kundër korrupsionit, ku përfshihet gjykata më e lartë në Shqipëri, që ka qenë nën kritikë nga media e publiku, e akuzuar se ka përdorur argumente të dyshimta për të mbyllur disa çështje korrupsioni kundër ministrave të qeverisë shqiptare.

Prokurorët në Shqipëri janë penguar disa herë në përpjekjet e tyre për të hetuar gjykatësit për shkak se ata kanë imunitet.

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka bërë thirrje disa herë për amendime kushtetuese për të kufizuar imunitetin për gjykatësit, në mënyrë që të forcohet lufta kundër korrupsionit në gjyqësor.

Duke folur përpara Komisionit të Ligjeve javën e shkuar në Kuvend, Rama nënvizoi se edhe ato pak raste kur kanë mundur të mbledhin prova të forta dhe të çojnë gjykatës dhe prokurorë të korruptuar në gjyq, gjykatësit nuk kanë dënuar kënd.

“Ka një lloj korporate mes gjykatësve për të mbrojtur njëri tjetrin dhe prokurorëve (të akuzuar për korrupsion),” tha Rama.

“Ata nuk e shohin çështjen si padi ndaj një gjykatësi apo prokurori, por më shumë si një padi ndaj një miku apo kolegu,” konkludoi ajo.

*Titulli është redaksional