Bledar Kurti, 03.06.2011
Në vend që zgjedhjet e 8 majit të ishin një dëshmi maturie dhe evoluimi politik, një hap më pranë Europës së bashkuar dhe perëndimit, ato dëshmuan se nuk është Europa që nuk na mirëpret ne, por, jemi ne që nuk duam dhe nuk dimë si të shkojmë tek ajo.
U desh një ndërhyrje e rreptë e trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë për të ruajtur stabilitetin në vend dhe për të ndaluar daljen e situatës jashtë kontrollit, pasi siç e pamë dhe dëgjuam në ditët pas 8 majit, pati një seri kërcënimesh për mosbindje civile, barrikada njerëzish, revolta me trup dhe me zemër, protestë popullore në të gjithë vendin, si edhe disa deklarata momentale të pamenduara mirë rreth një rikthimi të vitit ‘97.
Prezenca e dukshme dhe e shpeshtë e disa ambasadorëve e ndau opinionin publik në ata që mendonin se ndërkombëtarët po bënin një punë të shkëlqyer, dhe në ata që, të pakënaqur nga rezultati i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, mendonin se diplomatët e huaj ishin pjesë e një komploti, duke treguar njëanshmëri apo duke mos kontribuar në të mirën e këtij vendi. Në fakt, ne shqiptarët jemi njerëz shumë politikë dhe çdo lëvizje të ndërkombëtarëve e analizojmë duke parë se kë mbështesin më shumë, liderin tonë politik apo kundërshtarin, duke harruar se trupi diplomatik përbëhet nga diplomatë profesionistë karriere, të shkëputur nga emocionet partiake dhe preferencat momentale, të cilët kanë si mision të tyre interesat e vendeve që përfaqësojnë, zbatimin e politikave nga ministritë e Jashtme përkatëse dhe rekomandimin e situatave të caktuara në rajon te politikëbërësit e qeverive të tyre, si edhe fuqizimin e miqësisë së mirë midis vendit të tyre dhe vendit tonë.
Dëgjojmë shpesh të thuhet se po të donin ndërkombëtarët ta sillnin këtë vend në rrugën e duhur do e bënin! Ky koment ka një të vërtetë në vetvete, por është i pasaktë në situatën ku ndodhet vendi ynë. Është e vërtetë që vende si SHBA ka influencuar në fatet e qeverisjes së shumë kombeve në të shkuarën, por ajo ka qenë gjithmonë ndihmë dhe e përfshirë në mbrojtje të popujve të rrezikuara nga komunizmi, fondamentalizmi, junta ushtarake dhe presione apo kërcënime nga presione të jashtme, ndaj do ishte absurde të përlyhej në skena diletantësh politikë dhe beteja personale pushteti në një vend që aspiron të marrë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian.
Ndërkohë që pyesim se me kë janë ndërkombëtarët me Berishën apo Ramën, do ishte me vend të pyesnim se a dalin ndonjëherë në televizionet amerikane, britanike, gjermane, holandeze etj., ambasadorët tanë të akredituar në këto vende? A dalin ata t’u bëjnë thirrje politikanëve vendas të ruajnë qetësinë, të respektojnë ligjet dhe institucionet? A shkojnë ata të kontrollojnë dhe ulen me orë të tëra duke vëzhguar me sytë e tyre numërimin e votave? A vendosin ata se kush do bëhet kryebashkiaku i Londrës, Berlinit, Romës, Uashingtonit etj?
Sigurisht që jo! Këto vende janë demokraci të konsoliduara me një klasë politike plot integritet të cilët nuk do ia kishin lejuar kurrsesi vetes të degradoheshin në këtë mënyrë, ata do jepnin menjëherë dorëheqjen nëse një skenar i tillë do kishte ndodhur. Mbi të gjitha, këto vende e duan veten, popullin dhe qeverinë e tyre, ndërkohë që këtu te ne, në të gjithë historinë e tij, ky popull është flijuar si një sakrificë e gjallë për epshet e pafundme të pushtetit të disa politikanëve. Ndaj, si mund të kërkojmë të na dojë i huaji kur nuk na duan tanët? Si mund të kërkojmë ndihmë nga jashtë kur ne nuk ndihmojmë njëri-tjetrin? Si mund të pretendojmë të na duan ambasadorë anglo-saksonë të cilët nuk udhëhiqen nga pasioni, por nga racionalizmi, kur nuk na duan politikanët shqiptarë të dashuruar me veten?
Për shkak se jemi një vend i vogël dhe me një histori të gjatë pushtuesish dhe okupatorësh, kemi krijuar mendimin se ndërkombëtarët bëjnë komplote kundër nesh duke mos dashur që ne të integrohemi. E vërteta është se perëndimi dhe Europa i kanë bërë të qarta qëllimet e tyre integruese dhe zhvilluese ndaj nesh duke na caktuar testin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si një dëshmi pjekurie politike dhe qeverisëse. Dhe si gjithmonë, politika jonë vazhdon ta lërë popullin në baltë dhe vazhdon ta mbajë atë peng të provincializmit të pushtetit dhe karriges.
Ndërkohë që vazhdojmë të shohim disa nga politikanët tanë të cilët në emër të popullit u bëjnë thirrje ndërkombëtarëve të shkelin statutin e misionit të tyre diplomatik dhe të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit tonë, duke diktuar se kush do të ulet në karrigen e pushtetit dhe kush jo, ne populli u bëjmë thirrje ndërkombëtarëve, që nëse e marrin një iniciativë të ndërhyjnë në punët e brendshme të një vendi sovran le ta riciklojnë këtë elitë politikanësh provincialë në karrige dhe skllevër pushteti në mendim, pasi do marrin falënderimet më të përzemërta të tre milionë e gjysmë shqiptarëve.







