Nga Enton Palushi
Nuk është hera e parë kur Brukseli lëshon sinjale se Bosnja është përpara Shqipërisë në përmbushjen e standardeve për të përfituar nga regjimi i lëvizjes pa viza. Brukseli ka hedhur mundësinë që Bosnja të ketë mundësi të lëvizë pa viza përpara Shqipërisë. Me këtë lëvizje ata mendojnë se vrasin dy zogj me një gur.
Fillimisht ata parandalojnë mundësinë e një ndarje të Bosnjes. Lideri i Republika Srpska, Milorad Dodik, po kërcënon gjithmonë e më shumë me ndarje, që do legalizohej nga një referendum popullor. Ndarja e Bosnjes do kishte një efekt zinxhir dhe do e zhyste rajonin në kaos. Ritmi me të cilin punoi Bosnja për të plotësuar kushtet për të lëvizur pa viza, tregon se vetëm integrimi mund ta mbajë të bashkuar atë shtet.
Së dyti, duke mos hequr vizat edhe për pak muaj për Shqipërinë, Brukseli do mbante nën presion politikën shqiptare për të zgjidhur krizën në vend, në favor të zhvillimit të zgjedhjeve më standard të larta demokratike. Nëse do bënte të kundërtën, të liberalizonte vizat në prag edhe të një palë zgjedhjeve tjera, Brukseli thjesht do nxiste një tjetër proces zgjedhor problematik. Tani është e qartë për ta se Berisha e Meta i shkatërrojnë zgjedhjet më shumë kur mendojnë se i kanë të sigurta. Kështu ndodhi në vitin 1996, kur Berisha mendonte se i kishte të sigurta, kështu ndodhi edhe në vitin 2001, kur Meta po ashtu e mendonte fitoren në xhep. Kështu duket se ka ndodhur edhe vjet. Po të shohësh se ç’ka ndodhur në Ruzhdie, e kupton këtë fakt. A nuk është Ruzhdija një bastion ku PD mund të fitonte edhe pa bërë manipulime? Po, por masakra në atë qendër votimi, e në shumë të tjera që njihen si bastione të PD, është e pashembullt.
Duke i dhënë flamurin e liberalizimit të vizave, BE druhet se nuk do mbyllë krizën aktuale, por do çojë dëm edhe një tjetër proces zgjedhor. Ishte vetë i dërguari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që deklaroi më 29 qershor se i ishte dukur sikur NATO ishte një parti politike. Po sikur të na hiqen vizat, ç’do ndodhë në zgjedhjet e ardhshme?
Sigurisht një propozim i tillë ka acaruar në kulm kryeministrin Sali Berisha. Përgjigja më e parë ka qenë se Brukseli do të duhet të përballojë popullin shqiptar. Me fjalë të tjera, prisni kaosin.
Dhe në të vërtetë sjellja e kryeministrit Berisha e vartësit të tij, Meta, këto ditë është tipike e njerëzve që duan të provokojnë tension.
Përplasja për asfaltimin e sheshit “Skënderbej” është shembulli më i mirë për këtë. Pak ditë përpara nisjes së punës për këtë shesh, Berisha kujtohet se ai është problematik dhe dërgon njerëz për të bërë atë që është më e tmerrshme, “të asfaltojë” sheshin më të rëndësishëm në Shqipëri. Mjafton pak zift për të krijuar tension. Berisha e di se aty preket populli opozitar dhe provokohet kriza. E me këtë rast i dërgohet një mesazh Brukselit.