Si kapter deri në fund!

0
30

Nga Mero Baze, 5 Korrik 2013

Bujar Nishani po lë përditë shijen e keqe të njeriut që kërkon të mbajë me thonj pushtetin e humbur të Sali Berishës. Zgjedhjet kanë përfunduar dhe 1 milion shqiptarë kanë votuar kundër Sali Berishës, edhe për shkak të portretit banal të presidentit të Republikës, por ky i fundit vazhdon t’i trajtojë shqiptarët si kundërshtarë dhe përditë merret me riparimin e anijes së mbytur të Sali Berishës.

Emëroi sërish njerëzit e Berishës në KLD, ata më të inkriminuarit, bashkëpunon me Berishën të emërojnë dhe në ditët dezhurn të qeverisjes shefa shërbimesh, gjeneralë e kolonelë, dhe në mënyrë flagrante dhjetë ditë pas zgjedhjeve, ende nuk ka përshëndetur fituesit publikisht, por i është bashkuar korit të atyre që qajnë me dënesë për ikjen e Sali Berishës. I përgatitur me sa duket të mbronte manipulimin e zgjedhjeve, i ka ardhur papritur referendumi popullor që bëri të pavlefshme çdo manovër të pushtetit për manipulim dhe tani ka dhjetë ditë që hesht i mbyllur në kullën e tij për humbjen e shefit të tij real.

Edi Rama dhe Ilir Meta e kanë takuar njëri pas tjetrit për t’u konsultuar për tranzicionin e pushtetit, por ai në të vërtetë po nxiton të sigurojë përjetësinë e Berishës në drejtësi dhe institucionet e tjera të larta të shtetit shqiptar.

Ai ka heshtur dhe nuk po flet për VKM-në haxhiqamiliste të Sali Berishës për t’i dhënë shtetësi gjithë shqiptarëve jashtë Shqipërisë, i frustruar rëndë nga votimi popullor kundër tij, Sali Berisha në mënyrë të paprecedent nuk e shikon problemin tek vetja e tij, si një njeri i urryer për popullin, por e shikon tek populli shqiptar. I bindur se ky popull nuk e do, Sali Berisha nuk bën asnjë përpjekje për të ndryshuar, por kërkon të ndryshojë popullin dhe të sjellë në këtë vend një popull tjetër për ta votuar. Ky gjest sa antikushtetues dhe destabilizues, jo vetëm që nuk është ndalur formalisht nga presidenti, por me heshtjen e tij, ai është bërë palë për shkeljen e rëndë të Kushtetutës për ligjin e shtetësisë, dhe më keq akoma për dakordësinë e tij për këtë shkelje.

Edhe pse ajo VKM do përfundojë në kosh plehrash, presidenti duhet të shprehej së paku për etikën e institucionit që përfaqëson për këtë poshtërim që i bën si ta kishte kapter personal, kryeministri i larguar me votë nga shqiptarët. Në çdo vend të botës kjo do të mjaftonte që presidentit t’i bëhej një impeachment dhe të shkarkohej, kurse ky yni jo vetëm që do të rrijë, por është gati dhe të shërbejë 24 orë në këto orë të fundit që i kanë mbetur Sali Berishës.

Në këto dy muaj që Shqipëria për një arsye krejt parazitare, duhet të presë ikjen formale të Sali Berishës, presidenti i vendit duhet të merrte rolin e garantit të rendit kushtetues. Ai jo vetëm që nuk e ka marrë, por është kthyer në një kapter pa dinjitet të një kryeministri të larguar me një votë plot urrejtje nga shqiptarët.

Kur të vijë shtatori dhe Sali Berisha të kthehet në PD për të drejtuar opozitën me një nga figurinat e veta, Bujar Nishani do të ketë rastin të marrë vendime të vështira dhe të ç’firmosë gjëra që i ka lejuar të firmosen gjatë kësaj vere. Ai duhet t’i qëndrojë parimit se nuk i bëhet pengesë kryeministrit dhe të riemërojë shefin e ri të SHISH, të balancojë institucionet e zhbalancuara të drejtësisë dhe të ndihmojë në reformat e reja, ndoshta të dhimbshme, që do t’i duhen qeverisë për të stabilizuar një vend që Sali Berisha, siç e ka zakon, e dorëzon si piramidë.

Por iluzionet e Edi Ramës dhe Ilir Metës që Bujar Nishani do të jetë luajal, janë të kota. Luajaliteti nuk është çështje konformizmi, por karakteri. Bujar Nishani nuk është konformist, por servil i paaftë, që vuan nga komplekset e inferioritetit kundrejt Sali Berishës. Konformizmi i tij nuk vlen dhe nëse demonstrohet. Ai duhet të japë shenja tani që do ta frenojë spiralen e papërgjegjshmërisë ku Sali Berisha synon të fusë vendin duke ikur. Nëse nuk e bën këtë, më mirë do të ishte të kërkonte një pension shtesë si i sëmurë e të dilte në KEMP, se sa të sakatonte gjithë Shqipërinë. Siç e ka nisur, ka shumë shanse që beteja e parë e opinionit publik me shumicën e re, të zhvillohet për mbajtjen e tij në presidencë.